Skënderbeu: Lamtumirë Champions!

593
Sigal

Skënderbeu-Shahkter 3-2/ Korçarët kryesuan 3-0 deri në minutën e 38-të. Aventura vazhdon në Ligën e Europës

 Ëndrra e Skënderbeut, për të realizuar përmbysjen e madhe zgjati vetëm 38-të minuta, kur kampionët e Shqipërisë kryesuan bujshëm 3-0, përpara se Shahkteri të shënonte golin e parë të tij e më pas dhe një të dytë. Edhe pse Skënderbeu arriti fitoren e nderit në “Qemal Stafa”, humbja 3-0 në “Astana Arena” në Kazakasitan, u dha miqve kënaqësinë e kalimit në turin e katërt të Ligës së Kampionëve. Aventura në Ligën e Kampioneve mbaron këtu, teksa tani nis korçarët ajo e Ligës së Europës. Skënderbeu kaloi në turin e parë azerbajxhanasit të Neftçit, duke u bërë skuadra e katërt shqiptare që kalon një tur në Ligën e Kampioneve, pas Tiranës (6 herë), Vllaznisë (1) dhe Dinamos (1). Ndeshja nisi në mënyrë të shkëlqyer për Skënderbeun, kur Zheljko Tomiç realizoi një gol të shpejtë në minutën e 9-të pas një asisti të nigerianit Nuredin Orelesit. Në të 20’, kroati Pero Pejiç fitoi një penallti, të cilën e realizoi në gol kapiteni Bledi Shkëmbi. Nëntë minuta më pas, “skenari” u përsërit, kur pas fitimit të penalltisë nga Pejiçi, Shkëmbi i çoi shifrat në 3-0 brenda 29 minutash. Në këtë moment, rezultati i përgjithshëm 3-3, pra shumëshpresëdhënës. Por, një gol i Khizhinçenkos, për shkak të vëmendjes së mbrojtjes korçare, i çoi shifrat në 3-1, pra dhe rezultatin e përgjithshëm në 3-4. Pas këtij momenti, Skënderbeut i duhej të fitonte 5-1. Në pjesën e dytë, Shahkteri e rriti ritmin, ndërkohë që Skënderbeu ishte i lodhur. Kartoni i kuq i marrë nga Pero Pejiç (57’), u lehtësoi punën miqve nga Kazakistani, të cilët shënuan edhe golin e dytë me anë të zëvendësuesit Baizhanov, ndërsa u shuan përfundimisht shpresat e korçarëve, nisur dhe nga rezultati i ndeshjes së parë. Shahkter Karagandy triumfoi 3-0 ndaj Skënderbeut në “Astana Arena”, me kazakastanasit që i dhanë një leksion të hidhur kampionëve të Shqipërisë në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Golat e Shahkterit mbajnë firmat e boshnjakut Aldin Xhixhiç (8’) në pjesën e parë, dhe të dy kazakistanezëve: Roman Murtazajev (79’) dhe Sergei Hizhniçenko (90’). Kështu, kualifikohet Shahkter Karagandy me rezultatin e përgjithshëm 5-3. Skënderbeu pati meritën në këtë edicion, pasi kaloi një tur pas dy dështimeve në sezonet paraardhëse: me APOEL-in e Qipros (2011-2012) dhe Debrecenin e Çekisë (2012-2013). Gjithsesi, aventura e Skënderbeut vazhdon në Ligën e Europës, teksa kundërshtarin do ta njohë pas hedhjes së shortit ditën e premte në selinë e UEFA-s.

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Kualifikohet Skënderbeu me rezultatin e përgjithshëm 1-0

Turi i tretë eliminator

30 korrik 2013

Shahkter-Skënderbeu 3-0

Dje, 6 gusht 2013

Skënderbeu-Shahkter  3-2

Kualifikohet Shahkter Karagandy me rezultatin e përgjithshëm 5-3

  Mediat zvicerane: “Shqipëria po na vjedh talentet”

 Në prapaskenë gjërat janë duke funksionuar ndryshe. Përmendet prej kohësh se ka filluar një aleancë e pashkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës që është vendosur në heshtje, në mediat helvete gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë. Rasti i Abrashit, kohë më parë, bëri që të gjitha mediat e shkruara pa përjashtim të “bërtisnin” për një skandal të vërtetë të Federatës Zvicerane, me arsyetimin se pse kishte lënë të lirë një futbollist të talentuar si Abrashi për t’u veshur kuqezi. Një sulm ndaj drejtuesve të futbollit helvet, por edhe ndaj Hitcfeldit, që sipas tyre nuk kishte arritur të bindte mesfushorin e Grasshoperit për të vendosur me qetësi dhe mos pranuar Shqipërinë. E ndërsa për Vullnet Bashën s’kishin thënë asgjë, ashtu si edhe për Migjenin, apo Burim Kukelin, për Shkëlzen Gashin dhe Taulant Xhakën, që janë dy “prurjet” e fundit, sërish e përditshmja e njohur “Blick”, ka dalë me faktin se “Shqipëria po na merr edhe dy të tjerë”, duke lënë për të kuptuar se kombëtarja e Zvicrës, që nga shqiptarët mbahet, në njëfarë mënyre, nuk duhet të lërë që t’i ikin talentet. Një kritikë, apo diskutim, që ka rënë në “vesh të shurdhër”, pasi asnjë nga drejtuesit e Federatës Zvicerane të Futbollit nuk ka reaguar në lidhje me këtë gjë. Një luftë e cila do të vazhdojë, të paktën në media elektronike, ato sociale por edhe në shkallët e stadiumit, ku pavarësisht ‘rikthimeve’, shumë prej lojtarëve ‘zviceranë’ nuk pëlqehen nga tifozët kuqezi për shkak të deklaratave të tyre në të shkuarën.

 Berisha rrezikon skualifikim dhe gjobë nga FIFA

 Lacio kishte gjetur zëvendësuesin e Bizarrit, që kishte kërkuar të shitej te Xhenova për tu kthyer të luajë përsëri titullar: bëhej fjalë për Etrit Berishën, portierin shqiptar që tashmë rrezikon një skualifikim të gjatë për marrëveshjen e arritur me Kievon. Telenovela e Etrit Berishës është duke kaluar tashmë në një kapitull të ri: marrëveshja e firmosur në 28 qershor me Kievon është nën hetim nga ana e FIFA duke parë që në atë periudhë nuk ishte hapur akoma merkatoja për transferimin e lojtarëve shqiptarë. Lojtari tani mund të marrë një skualifikim të gjatë dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh: kontrata që portieri Kalmarit ka firmosur me veronezët nuk është e vlefshme, por në rast të një skualifikimi Lazio mund të bllokojë përfundimisht transferimin e Bizarrit te Xhenova. Tashmë priten me shumë interes lajmet që do të mbërrijnë nga FIFA në lidhje me këtë çështje. Në rast të një skualifikimi lojtari do të pësonte një dëm të madh sportiv duke mos luajtur për disa muaj, duke dëmtuar edhe skuadrën përfaqësuese në prag të ndeshjeve eliminatore për ‘Brazil 2014’ të muajit shtator.

 Mesi, Ronaldo dhe Riberi,për më të mirin e Europës

  Lionel Mesi (Barcelona), Kristiano Ronaldo (Reali i Madridit) dhe Frank Riberi (Bajerni i Munihut) janë tre lojtarët që do të luftojnë për lojtarin më të mirë të sezonit të kaluar, çmim që jepet nga UEFA, me votimin e gazetarëve sportivë. Mesi e Ronaldo ishin edhe vitin e kaluar në garë, ku fitues doli Andres Iniesta, i cili mungon këtë vit, i zëvendësuar nga francezi i Bajernit. Ky i fundit është një kandidat i fortë për të fituar çmimin, pasi me bavarezët fitoi gjithçka, duke qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm. Këtë e ka vënë në dukje edhe Riberi, i cili është shprehur se “pasi fituam gjithçka sezonin e kaluar, ky çmim është plotësisht i mundshëm, megjithatë unë jam i lumtur me rezultatet e arritura edhe në rast se nuk fitoj çmimin personal”. Votimi për fituesin do të bëhet në Monako, gjatë shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve për sezonin e ardhshëm, më 29 gusht. Në Monako, gazetarët do të votojnë direkt, përmes një sistemi elektronik, duke zgjedhur lojtarët e preferuar nga kjo listë e shkurtër prej tre lojtarësh. Tre lojtarët e sipërpërmendur kanë dalë nga lista me dhjetë emra që ishte bërë publike disa javë më parë.