Basketboll/ Tirana mposht në derbi Barletin, fitojnë edhe Vllaznia e Partizani

84
Sigal

Tirana, Partizani dhe Vllaznia kanë shënuar fitore në ndeshjet e javës së 15-të të vlefshme për Kategorinë e Parë të basketbollit të femrave.

Ekipi bardheblu shpërtheu kundër Barletit, duke i mposhtur vajzat e reja të ekipit universitar me rezultatin e jashtëzakonshëm 110-21 (33-5, 40-2, 17-9, 20-5). Një takim pa histori në sallën “Farie Hoti”, teksa trajnerja Mirza Alibegaj u dha hapësira edhe lojtareve të stolit.

Rendimentin më të lartë në radhët e vajzave bardheblu e kishte Emily Tërshalla, autore e 16 pikëve, 20 ribaundeve dhe 4 asisteve. Ndërsa pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Tijana Dukiç me 18 pikë. Fitore e thjeshtë edhe për Partizanin, teksa të kuqet mundën Elbasanin në “Asllan Rusi” në shifrat 72-52 (20-8, 23-8, 13-14, 16- 22).

Kryeqytetaset i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, ndërsa trajnerja Eliverta Bujari la pushim disa nga lojtaret më të rëndësishme pas suksesit të arritur në mesjavë, me Partizanin që u shpall kampion i Ligës Unike. Rahema Franklin me 28 pikë, 6 ribaunde dhe 2 asiste ishte më e mira në këtë takim për vendëset. Për Elbasanin spikati e zakonshmja Sidorela Zenuni me 23 pikë, 13 ribaunde dhe 3 asiste.

Vllaznia nuk fali në shtëpi, teksa mposhti Studentin më rezultatin 56-48 (11-13, 17- 12, 7-10, 21-13). Shkodranet e bënë diferencën në periodën e katërt, duke siguruar një sukses që ua konsolidon edhe më tepër pozitat në vendin e katërt. Pikëshënuesja më e mirë për vajzat kuqeblu ishte Bernarda Rreshpja me 22, ndërsa për Studentin ishte Xhensika Toska me 17.