Shqipëri–Izrael do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”

433
Sigal

“Loro
Boriçi” do të mbetet shtëpia e Kombëtares. Federata Shqiptare e Futbollit
konfirmoi se ndeshja e 12 Nëntorit ndërmjet kuqezinjve dhe Izraelit, e vlefshme
për kualifikueset e Botërorit 2018, do të luhet në Shkodër.Asnjë ndryshim plani
apo stadiumi. Shqipëria do të vazhdojë të luajë në kryeqendrën e veriut, në
stadiumin e licencuar nga UEFA dhe FIFA për këtë edicion kualifikues.

Impianti më modern në vend do të
jetë gati për sfidën që do të luhet pas dy javësh, me ndërhyrjet në tapetin e
fushës që kanë përfunduar. Bari është rimbjellë në sektorët që kanë qenë të
dëmtuar nga ngarkesa të cilës i’u nënshtrua fusha, por edhe për shkak të
rreshjeve, ndërsa kompania greke që është ngarkuar me ndërtimin e fushës ka
dhënë garanci se deri në ditën e ndeshjes tapeti do të jetë në gjendje
optimale.

“OK”-ji përfundimtar do të jepet
nga inspektorët e UEFA-s, që më 4 Nëntor do të vëzhgojnë ndërhyrjet e bëra në
tapetin e “Loro Boriçit”, për të konfirmuar se gjithçka është komform
standardeve të kërkuara. Fakti që ndeshja do të luhet në Shkodër ishte i
kuptueshëm edhe sepse prej disa ditësh, FSHF ka nisur shitjen e biletave për
sfidën me Izraelin, ku mbështetja e publikut do të jetë tejet e rëndësishme
përballë skuadrës që cilësohet si rivali direkt i kuqezinjve për vendin e tretë
në Grupin G.