Rekordet e reja gjatë aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, medalion i artë për Notin në Shqipëri

175
Sigal

Analiza vjetore e Federatës Shqiptare të Notit për vitin 2023


Telegraf.al / Federata Shqiptare e Notit më 28 shkurt 2024 organizoi Asamblenë e Përgjithshme Vjetore për të diskutuar mbi edicionin e 2023 të notit, arritjet dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të këtij sporti të rilindur në këto 10 vite të post-tranzicionit. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, Përfaqësues të Komitetit Olimpik Shqiptar, MAS, anëtarë të FSHN-së  dhe personalitete të Notit. Analiza e punës së FSHN për vitin 2023, konsistoi në arritjet e shkëlqyera të notarëve, të cilët kanë thyer me dhjetëra rekorde të para viteve 1990, por edhe të këtyre 30 viteve, si ato individuale ashtu edhe ekipore, të punës së shkëlqyer të trajnerëve, klubeve nën kujdesin dhe mbështetjen e pakursyer të FSHN-së. Drejtimet kryesore ku u përqëndrua analiza kishte të bënte me: Aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare zyrtare, aktivitete rajonale, të të gjitha grup-moshave që nga fëmijët, të rinjtë, të rriturit deri tek veteranët, seminaret, kurset e ndryshme për trajnerë dhe sportistë si dhe pjesmarrjen e notarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku mbajti një raport të gjatë, të hollësishëm dhe shterues me shifra dhe fakte, duke e parë sportin e notit si vlerë qytetare dhe përfaqësim kombëtar dhe ndërkombëtar. Ja analiza e plotë e kreut të FSHN-së.

NOA

 

Agim Çiraku,

Presidentit të FSHN


Lidhja e shëndetit me sportin si dhe ndikimi i këtyre dy faktorëve në mirëqënien e përgjithshme të individëve në veçanti dhe familjeve të sportistëve në tërësinë e tyre janë tashmë të konfirmuara si elementë themelorë të një shoqërie të shëndetshme. Pikërisht ky ka qënë edhe synimi primar i klubeve dhe ekipeve sportive të Notit shqiptar për të cilën Federata Shqiptare e Notit me mbështetjen edhe të qeverisë ka bërë një hop cilësor nëpërmjet garave zyrtare dhe aktiviteteteve të tjera ndihmëse në sportin e Notit. Parimi klasik se: “Sa më shumë individë të merren me sport, aq më e shëndetëshme do të jetë edhe shoqëria jonë”, është një motiv që ecën paralel me objektivat e notarëve, klubeve dhe vetë Federatës Shqiptare të Notit për rekorde të reja si në garat kombëtare, ashtu dhe ato ndërkombëtare. Ndaj FSHN në bashkpunim me specialistët e notit ka ndjekur përgatitjet  teoriko-praktike të notarëve dhe trajnerëve në takimet zyrtare si dhe gjatë aktiviteteve në nderim të figurave të notit,  të cilët bënë historinë e këtij sporti, duke  përdorur si shembull dhe model frymëzimi për notarët aktualë dhe klubet sportive të Notit në Shqipëri. Personalisht nuk e kam parë Notin nga shkallët e pishinave, por vij në këtë detyrë dhe në këto ambiente si notarë, ndaj me shumë dashuri dhe përkushtim si President i FSHN -së, jam munduar të bëj më të mirën për këtë sport elitar.

 

1-Aktivitete kombëtare zyrtare FSHN ka kryer 7 kampionate në rang Republike .

a) Kampionati Kombëtar i fëmijëve deri 14 vjeç që u zhvillua nga 1-2 prill 2023 ku morën pjesë 148 Sportistë nga 12 ekipe ku u thye 1 rekord kombetar për 50 M Stil Flutur nga Arla Dermishi.

b) Kampionati dimëror për të rinj dhe të rritur 22-23 prill 2023 ku arritën gjithsej 11 rekorde të reja kombëtare nga të cilat 6 rekorde për të rinj dhe të reja – 3 rekorde për kategorinë 15,16 vjeç dhe 4 rekorde për të rritur dhe të rritura .

c) Kupa e Shqipërisë 29-30 qershor 2023

Morën pjesë 120 Sportistë nga 9 ekipe dhe u thyen 6 rekorde të reja nga të cilat 4 rekorde për të rinj, 1 rekord për të rritur dhe 1 rekord për kategorinë e fëmijëve deri 14 vjeç .

d) Kampionati Kombëtar për të rinj dhe të rritur 17-18 korrik 2023.

Morën pjesë 155 Sportistë nga 9 Ekipe dhe thyen 3 rekorde kombëtare nga të cilat 2 nga kategoria e të rinjve dhe 1 në kategorinë 14 vjeç.

e) Kampionati Kombëtar i fëmijëve deri 14 vjeç 2-3 shtator 2023.

Morën pjesë 160 sportistë dhe u thyen 9 rekorde kombëtare nga të cilat 2 rekorde në kategorinë C dhe 7  në kategorinë A .

f) Kupa Pamvarësia 24-25 nëntor 2023.

Morën pjesë 140 Sportistë nga 9 Ekipe dhe u thyen 12 rekorde Kombëtare.

g) Perspektiva notit Kupa Klavio Meça 16 dhjetor 2023.

Morën pjesë 100 Sportistë të moshës deri 14 vjeç nga 10 ekipe dhe u thyen 4 rekorde Kombëtare.

Pra siç shihet edhe nga statistikat që dhamë më sipër në këto 7 aktivitete kombëtare kemi patur 938 notarë pjesmarrës dhe 46 rekorde kombëtare për vitin 2023. Mendojmë që FSHN bashkë me punën e palodhur të të gjithë trajnerëve si dhe djersën dhe mundin e të gjithë sportistëve gjej rastin t’i falenderoj të gjithë. Dhe themi që kemi bërë një punë të mirë me gjithë këto rezultate të arritura, madje kam mendimin që federata jonë është pararojë e të gjithë sporteve individuale si nga ana e pjesmarrrjes dhe nga ana e thyerjeve të rekordeve kombëtare, por, gjej rastin të them që ne si federatë dhe ju si trajnerë duhet të gjejmë rrugën për të stimuluar notarët kampionë dhe rekordmenë, që këta të fundit të rritin më tepër performancën e tyre në gara për të kapur normat kualifikuese në eventet ndërkombëtare dhe pse jo në futjen e tyre në bateri finale të garave respektive.

2) Ndër aktivitetet ndërkombëtare të zhvilluara ku FSHN ka marrë pjesë mund të përmendim

 

a) Mediterranean Sëimming cup Larissa (Grece ) qershor 2023

b) Lojërat botërore Olimpike speciale Berlin qershor 2023 ku federata jonë ka investuar edhe te trajneri i sportistit Gersi Troka, por edhe tek vetë sportisti duke e çuar në kampionate të ndryshme ndërkombëtare gjë, e cila është shpërblyer dhe me medalje ari nga ana e sportisti .

c) Kampionati Europian i të rinjve Beograd Serbi korrik 2023 .

d) Kampionati botëror Fukuoka -Japoni korrik 2023, ku Vivian Xhemollari në 200 M shpinë arrin të dalë e para në baterinë e saj duke realizuar record të ri kombëtar.

e) Festivali rinor – Maribor Slloveni korrik 2023.

f) Kampionati Europian U 23 – Dublin ,Irlande gusht 2023

g) Kampionati Botëror për të rinj, Netanya Izrael shtator 2023, ku Grejsi Koxhaku në 50 M shpinë arrin të thyejë 2 rekorde kombëtare ( të rinj, të rritur ). Përsëri Grejsi Koxhaku në 100 M Flutur arrin të thyejë rekordin kombëtar për të rinj.

i) Lojërat mesdhetare të Plazhit-Heralion Greqi shtator 2023 ku sportisti Keisi Fetishaj u kualifikua për në finalen e disiplinës 50 m.

j) Kampionati Europian (25m) Bukuresht-Rumani dhjetor 2023 ku u thyen 8 rekorde kombëtare.

Vlen për t’u përmendur këtu që notarja Vivian Xhemollari në garën 200 m stil i përzier hyri në finale. Gjithashtu mund të përmendim që notari më i suksesshëm për vitin 2023 është Sportisti Grejsi Koxhaku duke thyer plot 9 rekorde kombëtare.

Siç shihet nga rezultatet e paraqitura edhe ekipi jonë kombëtar rezultatet kanë qenë plot rekorde të arritura .

3) Aktivitete rajonale 

Në aktivitetet rajonale ekipet si Stela, Tiran, Partizani, Shkodra not kanë marrë pjesë në 18 Aktivitete rajonale që të mos ju mërzis nuk po i citoj të gjitha këto lloj aktivitetesh.

4) Seminare dhe kurse të ndryshme për trajnerë dhe sportistë

a) Këtu gjej rastin të falenderoj presidentin e komitetit olimpik z/.Fidel Ylli që në bashkpunim me Komitetin olimpik botëror mundësuam kursin 3 mujor të ish sportistit dhe trajnerit Keisi Fetishaj pranë universitetit të sporteve në Budapest – Hungari

b) Në konferencën kombëtare – arritjet dhe sfidat e sportit në shqiperi që u zhvillua me dt 18 prill 2023 FSHN u përfaqësua denjësisht në panairin e sporteve ku interesimi I moshave nga më të ndryshmet ishte i madh.

c) Aktivitet tjetër është dhe seminari trajnues për antidopingun, që u zhvillua në prill 2023.

d) Gjithashtu në aktivitetin promovues të sporteve të organizuara nga komiteti olimpik shqiptar në Thumanë në dt 28 tetor 2023 FSHN u prezantua me stendën e vet duke bërë promovimin e sportit të notit nga vete sportistët ku gjithashtu fëmijë të moshave të ndryshme interesoheshin për këtë lloj sporti dhe dëgjonin me vemendje të mirat e sportit të notit.

5)Aktivitete të notarëve tanë që jetojnë jashtë vendit

Gjjithashtu sportistë të federuar të FSHN, por që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që kanë marrë pjesë me siglen ‘Alb’ janë gjithsej 20 aktivitete në shtete të ndryshme si Itali, Belgjikë , Australi dhe Amerikë. Pra siç shihet dhe nga raporti i paraqitur nga ana jonë ne të gjithë si federatë duke filluar nga sportistët, trajnerët gjyqtarët jemi krenarë për rezultatet e arritura, sepse mundi, djersa juaj (këtu kam parasysh trajnerët dhe sportistët ) përkushtimi juaj i keni dhënë federatës prindërve dhe natyrisht ministres që na mbulon plot 46 rekorde kombëtare duke justifikuar në këtë mënyrë mbështetjen që na ka dhënë komiteti olimpik kombëtar, por njëkohësisht dhe ministria e Arsimit dhe Sporteve për grandin që na ka dhënë nga lekët e taksapaguesve shqiptarë (gjej rastin meqë kemi dhe zv/ministrin zotin Endrit Hoxha që për v 2025 ta zhgjidhi pak qesen për FSHN, sepse ne jemi një federatë që nuk do t’ju zhgënjejmë për të arritur rezultate më të mira.

Pa përsëritur ato që thamë më lart më duhet të theksoj si sukses të veçantë edhe një fenomen, i cili ka një rëndësi të veçantë sot në sportin botëror:

Para 2 muajsh Këshilli i Evropës bëri me dije se një ekip ekspertësh kreu  një Inspektim në Shqipëri , konkretisht më 5 dhe 6 dhjetor 2023, për të vlerësuar programin, praktikat dhe politikat antidoping të vendit tonë në kuadër të zbatimit të Konventës Anti-Doping. Federata Shqiptare e Notit  sot është krenare që nuk ka pasur asnjë rast me Doping. Gjatë gjithë periudhës që drejtoj FSHN, por edhe gjatë vitit 2023 , analizën e të cilit ne sot po bëjmë, kemi patur para, gjatë dhe pas aktiviteteve  edhe debate, kemi patur dhe dëgjuar edhe  komente, diskutime, mendime të ndryshme pozitive, të mira që edhe mua si President i FSHN më kanë ndihmuar shumë dhe me vëmendje të plotë i kam dëgjuar që të gjitha. Ashtu siç pata premtuar që në ditën e parë të zgjedhjes në krye të FSHN-it, se do t’i kryejmë së bashku me përpikmëri të gjitha obligimet e marra, sërish ju premtoj  se edhe gjatë periudhës në vazhdim, në bashkpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, sportistët, trajnerët dhe komuniteti i prindërve do të punojmë dhe stërvitemi për të ecur përpara, duke i dhënë kotit dhe komunitetit të tij vendin që meriton.