Predrag Manoljoviç: “Serbia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera sportive”

452
Sigal

Interviste ekskluzive me zëvendëspresidentin e “Organizatës Europiane Sportive Jo-Qeveritare” dhe anëtarin e Komitetit Olimpik të Serbisë, Predrag Manoljoviç

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar në bashkëpunim me ENGSO (Europen Non-Governmetal Sports Organization) dhe Zyrës së Sportit të Bashkimit Europian organizoi dje në Hotel “Tirana International” seminarin me teme: “Forcimi i Sportit nëpërmjet Qeverisjes së Mirë”, i organizuar në formën e një forumi. Në këtë seminar morën pjesë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolli, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH-it, Stavri Bello; Birgita Kervinen, Presidente e ENGSO. Gazeta “Telegraf” bisedoi me Predrag Manoljoviç, zëvendëspresidentin e “Organizatës Europiane Sportive Jo-Qeveritare”, ENGSO, i cili përcolli përvojën e vendit të tij, Serbisë. Predrag Manoljoviç është përfaqësues i lartë i Komitetit Olimpik Serb, ndërsa ë parë ai ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik.

 – Zoti Manoljoviç, ju sollët përvojën e vendit tuaj, Serbisë, në seminarin “Forcimi i Sportit nëpërmjet Qeverisjes së Mirë”, të organizuar në Tiranë, pra në Shqipëri. Cili ishte thelbi i këtij seminari?

– Ky ishte një seminar i organizuar nën kujdesin e Komitetit Olimpik Europian dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Organizata jonë, ENGSO, apo “Organizata Europiane Sportive Jo-Qeveritare”, ishte pjesë e këtij seminari me temë “Qeverisja e mirë Sport”. Qeverisje e Mirë në Sport do të thotë, se çfarë aksione ju ndërmerri në dobi të sportit, çfarë hapash duhet të ndërmerri për të arritur objektiva të caktuara, si i ndërtoni marrëdhëniet me Qeverinë tuaj. Kjo do të thotë, se ju duhet të keni njohuritë e duhura sesi ju duhet të udhëhiqni sportin, jo ta shikoni atë në një këndvështrim të ngushtë, por të veproni ashtu si trajnerët bëjnë më sportistët, pasi bëhet fjalë edhe për menaxhim të suksesshëm të parave. Juve u duhet nganjëherë edhe të distancoheni nga ajo që keni bërë, në kërkim të standardeve më të mira. Rruga më e mirë është që, ne të krijojmë projekte dhe programe cilësore në dobi të sportit.

– Sporti serb nuk njihet shumë në Shqipëri, pavarësisht se vendi juaj ka nxjerrë disa sportistë të një niveli të lartë ndërkombëtar. Si është organizuar ai?

– Ne në Serbi kemi ndërtuar një sistem në sport, që do të thotë se kemi ndërtuar piramidën e infrastrukturës sportive. Në bazën kësaj piramide është sporti për të gjithë, pra ai masiv; më pas vijmë me radhë komunitetet lokale sportive; klubet, shoqatat, federatat ndërsa në majën e piramidës sportive është organizatat që lidhen direkt me Qeverinë, e që merren me aktivitet kryesore dhe ato elitare. Këto janë pjesë e menaxhimit të sportit. Anëtarët tanë janë anëtarë të Komiteteve Olimpike dhe ata kanë detyra të caktuara për të ndjekur e përmbushur.

Shqipëria investon shuma jo të mëdha në sport, buxheti që u akordohet federatave është shumë i vogël. Sa është granti që ofron Qeveria serbe për sportin?

– Për të thënë të vërtetën, ne nuk jemi të kënaqur me buxhetin që na akordohet. Ne kemi vetëm 7 milionë euro në dispozicion të sportit në vit. Por, në të njëjtën kohë, por çdo anëtar të Komitetit Olimpik, pra për çdo federatë ne kemi sponsorë. Ne marrim disa miliona euro përmes tyre. Kjo na jep të drejtën që, me këto para ne të vendosim se çfarë do të bëjmë. Me paratë që marrim nga Qeveria ne ndërtojmë programe për sportin. Kështu, ne marrim para nga dy burime, çka na e dyfishojnë të ardhurat.

– Pas pak ditësh, më 7 shkurt do të nisin Lojërat Olimpike Dimërore “Soçi 2014”. Shqipëria do të dërgojë dy sportistë, dy skiatorë (Erjon Tola dhe Suela Mëhilli). Sa sportistë do të dërgojë Serbia?

– Ne do të kemi gjashtë sportistë. Nuk janë të famshëm. Ne kemi sportistë të dobët në sportet dimërore. Dhe e dini përse? Pasi në ish-Jugosllavi, sportet dimërore kanë pasur prioritet në Slloveni. Pra, të gjithë sportistët e famshëm kanë qenë sllovenë. Nuk i kemi aq të zhvilluara sportet dimërore. Federata tona nuk janë kaq të forta në këtij lloj sportesh.

– Serbia ka fituar disa medalje të arta olimpike në Lojërat Verore, ndërkohë që Shqipëria ende nuk e ka shijuar këtë sukses…

– Po, kjo është e vërtetë. Edhe në “Londër 2012”, Serbia e mori katër medalje, një prej tyre të artë, ndërkohë që si ish-Jugosllavi kemi marrë shumë të tilla (83 në total/26 ari). Kemi disa sportistë elitarë, në shumë disiplina.

– Besoj se, ju e njihni disi Shqipërinë sportive. Sa larg është ajo nga standardet e Serbisë, në konceptimin e resurseve, menaxhimit?

– Mendoj se, Shqipëria nuk ka një sistem në sport. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe regjimin e kaluar. Ashtu si dhe në vendin e kaluar, në regjimin e mëparshëm, politikanët kanë qejf të përfshihen dhe të ndërhyjnë në sport, të marrin gjithçka prej tij. Ne, në Serbi, tashmë e kemi ndërtuar sistemin tonë të sportit. Ne ia kemi arritur të dalim nga influenca e politikës në sport. Ndoshta, unë mund të jem i gabuar, por në Shqipëri, politika ka një farë influence në sport, ndërhyjnë apo kanë interesa në sport, dhe komunitetet lokale sportive e vuajnë këtë. Kjo është pjesë e sistemit. Kështu ju dëshironi të zhvilloni disa sporte, për të cilat jeni të interesuar dhe mund të jeni të suksesshëm, por ngandonjëherë politika ka tjetër këndvështrim, pasi e sheh sportin në një optikë tjetër. Unë kam dëgjuar se, ndonjëherë dy apo tre federata paralele për të njëjtin sport. Në Serbi, kjo edhe mund të ndodhë, por ju nuk do të keni financime nga Qeveria, pasi ajo financon atë që është e regjistruar. Edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njeh vetëm një të tillë. Edhe mund të ndodhë që të jeni dy federata, por ato nuk mund të jenë pjesë e sistemit, nuk mund të financohen. Kjo është thelbësore.

– Zoti Manoljoviç, si janë marrëdhëniet midis Komitetit Olimpik të Serbisë dhe atij të Shqipërisë?

– Janë të shkëlqyera. Ne kemi kontakte shumë të ngushta, sidomos në kuadër dhe brenda Komitetit Olimpik Europian. Ne kemi shumë qëndrime të afërta, në lidhje me probleme të ndryshme. Kështu, vendet ballkanike, përfshirë edhe Çekinë, Sllovakinë apo dhe Poloninë, si pjesë e bllokut lindor, formojnë një grup shumë të fuqishëm brenda Komitetit Olimpik Europian. Ne bashkohemi, për të mbrojtur interesat tona, dhe, interesat janë thuajse të njëjta. Për të zhvilluar sportin, marrëdhëniet midis vendeve janë shumë të rëndësishme, sigurisht ish-vendet lindore nuk janë aq të zhvilluara sa ato Perëndimore, kështu që ne duhet të bëjmë shumë në këtë drejtim. Kështu që, grupi ynë, përfshirë dhe Shqipërinë e Serbinë, jemi duke punuar fort në këtë drejtim. Nga ana tjetër, mendoj se një nga mënyrat më të mira që të dy vende të kenë raporte të mira, dhe të përmirësojnë e të zhvillojnë marrëdhëniet në sport.

– Lë të flasim pak për futbollin. Shqipëria ka disa ekipe të njohura në arenën ndërkombëtare, si Partizani, Tirana, Dinamo, apo dhe Flamurtari, madje ky i fundit e ka eliminuar Partizanin e Beogradit para më shumë se 25 vjet më parë në Kupën UEFA. Sigurisht, që ekipet serbe janë më të famshme, pasi Crvena Zvezda ka fituar madje Ligën e Kampioneve në vitin 1991. Cila është situata e futbollit në Serbi?

– Për hir të së vërtetës, ne kemi shumë probleme në futboll. Këtë e them në përgjithësi. Është lënë disi pak në hije nga basketbolli, ashtu si sportet e tjera. Kjo ka të bëjë me faktin, se futbollistët më të mirë synojnë të luajnë jashtë vendit, duke e ulur cilësinë e kampionatit. Kur ju jeni futbollist i mirë dhe luani në klubet perëndimore, apo në klubet më të mira në botë, kjo do të thotë se kampionati ynë është shumë i dobët dhe klubet tona janë të dobëta. Politika e klubeve tona është t’ua shesin lojtarëve klubeve të tjera që ofrojnë më shumë para. Në basketboll është krejt ndryshe. Ne kemi një nga ekipet më të mira në botë, madje dhe Presidenti i Komitetit tonë Olimpik, Vlade Divac, ka luajtur në NBA me La Lejkërs. Ne kemi shumë lojtarë, të shkëlqyer dhe të talentuar, por ata shkojnë shumë të rinj jashtë dhe rriten atje.

– Ndoshta ju nuk mund ta dini, por Ekipi Kombëtar Shqiptar i futbollit në vitin 1946 ka fituar Kampionatin Ballkanik, ku ka marrë pjesë edhe Jugosllavia, dhe për trajner ka pasur serbin Ljubisha Broçiç, i cili më pas ka drejtuar edhe Barcelonën, Jeventusin…

– Po, e kam njohur Ljubisha Broçiçin. Kam dëgjuar edhe për Kampionatin Ballkanik. Më vjen mirë, që atë titull kampion Shqipëria e ka fituar me një trajner serb. Atëherë dy vendet tona kanë pasur marrëdhënie shumë të mira.

– Në Shqipëria ka në numër të konsiderueshëm futbollistësh serb, madje këtë sezon tek ekipi i Kukësit, nënkampionit të Shqipërisë, i cili kaloi tre ture në Ligën e Europës, ka edhe lojtarë serbë e kosovarë, të cilët kanë marrëdhënie shumë të mira midis tyre. Lojtarët serbë kanë thënë se, ndihen si në shtëpi në Shqipëri. Madje edhe gjatë merkatos dimërore, ka disa lojtarë serb që kanë nënshkruar.

– Po, e di. Ju duhet ta dini se globalizimi, sidomos në futboll, nuk ka të bëjë shumë me politikën që mund të kenë dy vende, se unë jam nga Serbia dhe ti je nga Shqipëria, dhe ne nuk duhet të kemi marrëdhënie të mira. Unë kam kujtime shumë të mira nga Fadil Vokri (Presidenti aktual i Federatës së Kosovës), i cili ka luajtur futboll me Partizanin e Beogradit në vitet 1980. E kam parë dhe admiruar atë kur ka luajtur. Unë kam qenë Sekretari i Përgjithshëm i Sporteve në atë kohë në Serbi.