Përmbysja e madhe e Bayern, tani bavarezët kanë titullin në dorë

384
Sigal

Bajerni i Mynihut nuk ka ndërmend të dorëzojë titullin në Gjermani. Më saktë është një mision i vështirë t’ia rrëmbesh trofeun bavarezëve edhe kur nuk janë në një sezon të shkëlqyer. Pak njerëz besonin në mbyllje të fazës së parë të Bundesligës se skuadra e drejtuar nga Niko Kovaç do të mund të mbronte fronin në kampionatin gjerman. Kundër ishin edhe shifrat në tabelën e renditjes, ku diferenca me rivalët e përjetshëm të Borusia Dortmund, në atë kohë kryesuese shkoi deri në minus 11 pikë.

Por tani gjithçka është përmbysur dhe peshorja anon nga bavarezët, që pas fitores të ekzagjeruar 5-0 në sfidën e së shtunës janë ngjitur në vendin e parë me një pikë më shumë se ndjekësit më të afërt. Jo vetëm kaq. Rezultati i thellë në sfidën direkte ishte një tregues force dhe pritet të vendosë shumë në garën për titull, që gjithsesi mbetet e hapur.

Por tani presioni është i gjithi mbi Borusian e Dortmundit. Skuadra e Lusien Favre duhet të ndjekë kampionët në fuqi të Gjermanisë, por si fillim duhet të kalojë goditjen e rëndë që mori me humbjen shkatërruese në ndeshjen e javës së 28-të të Superligës. Po ashtu, kundër verdhezinjve është edhe historia, që tregon se Bajerni i Mynihut rrallë gabon në situata të tilla.