Skuadrat e Superiores në merkato, stërvitje, miqësore dhe Europë
Agron Kaja
“Nëse do t’i shohim të gjitha lëvizjet e kryera deri ditën e djeshme, kemi 78 largime zyrtare në 10 skuadra, ndërsa kanë bërë edhe 67 afrime. Kukësi kampion me largimet, Erzeni nuk ka asnjë të afruar!”
Edhe katër ditë na duhen që të shuajmë kurreshtjen se, çfarë starti do të kenë skuadrat shqiptare në Europë. Do të jetë Partizani ai, i cili më 11 korrik do të ndeshet në AIR Albania me skuadrën bielloruse BATE Borisov. Dy ditë më vonë, në rresht janë tre skuadra që do të luajnë në Ligën e Konferencës: Tirana, Egnatia dhe Vllaznia. Bardheblutë do të luajnë kundër gjeorgjianëve të Dinamo Batumi, Rrogozhinasit në Armeni do të ndeshen me Ararat-in vendas, ndërsa Vllaznia në Irlandën e Veriut me vendasit e Linfild. Së bashku me këto katër skuadra, që do të luajnë në Europë, ku përgatitjet ka rreth një muaj, që i kanë nisur. Kësaj “valleje” i janë bashkuar edhe gjashtë të tjerat e Superiores. Dhe cila ka qenë “menuja” e muajit korrik për të gjitha këto skuadra? Përgatitje, merkato e miqësore, ndërsa ethet e Europës kanë qenë të pranishme jo vetëm te katër skuadrat e sipërpërmendura, por edhe tek drejtuesit e tifozëritë e tyre, të cilët presin me padurim të shohin skuadrat e tyre në shfaqjet e para europiane.
Duke i kaluar të gjitha skuadrat në treguesit e hyrjeve e daljeve të merkatos, shohim se ka edhe lëvizje për rekord, por ka edhe stopime. Konkretisht: Duke e nisur me Partizanin, kampionët kanë baraspeshë në hyrje e dalje (afrimet e largimet), madje me futbollistë që kanë afruar duken më konkretë, referuar emrave të tyre. Nëse trajneri Zoran Zekiç ende nuk e ka thënë fjalën e tij se çfarë di të “gatuajë” në fushën e lojës, 96 orët e mbetura do të thonë se çfarë Partizani kemi në Europë. Kështu duket se po vepron edhe Orges Shehi me Tiranën. Skuadra bardheblu, si gjithmonë mbetet rracionale në merkato. Pas 5 largimeve ka afruar gjashtë futbollistë të rinj, madje nisur nga emrat e tyre, më cilësorë se të larguarit. Egnatia si një “hirushe” e futbollit tonë, po provon eksperiencën më të re, të vështirë e të bukur. Realisht ka hyrë te skuadrat elitare në topkëmbën shqiptare dhe në merkaton e kësaj vere ka afruar 9 futbollistë të rinj nga futbolli i huaj dhe ai shqiptar, për ta nisur mbarë gjithë sezonin. Vllaznia si një “zonjë e vjetër” në historinë elitare të futbollit në vendin tonë, rrjedhjet e sezonit të kaluar i ka mbuluar me po aq afrime, tek të cilët Memelli do të shohë edhe “dritën” e kualifikimit që në Irlandë. Ndërsa të tjerat, Kukësin e kanë kryesues në largimet, 17 të tillë, ndërsa kanë afruar futbollistë pa shumë eksperiencë në Superiore. Skuadra e Erzenit nuk ka mundur të afrojë ndonjë futbollist të ri, por i janë larguar 3 titullarë. Skuadrat e tjera kanë dalë barazim në këtë merkato, nisur nga largimet e afrimet në përbërjet e tyre.
Lëvizje te Legjionarët
Strakosha gati për Serie A, paga mbetet problem

Pas Ylber Ramadanit, skuadra e Leçes po kërkon një tjetër legjionar kuqezi. Dhe kjo mundësi mund t’i jepet Strakoshës, në kërkim të rikthimit në Itali, lëvizje që do ishte e dobishme edhe për Brentford. Për Leçen, paga e portierit shqiptar është problem dhe opsioni më i mundshëm është huazimi, ndërsa klubi anglez të paguajë një pjesë të pagës. Strakosha thuajse nuk u aktivizua fare te Brendfort dhe e ka kërkuar që në janar largimin e tij nga kjo skuadër.
Gjasula në Bundesligën 1, i shkel syrin Dortmundit

Ndodh edhe kështu: Klaus Gjasula e nis me humor sezonin e ri. Skuadra ku ai luan aktualisht, Darmstadt arriti të ngjitej në Bundesligën 1, pasi u rendit në vendin e dytë në Bundesligën 2. Ndërkohë, “transfermarkt” e lidh emrin e Gjasulës me një transferim të mundshëm te Borusia Dortmund. Vetë Gjasula ka shkruajtur në “Instagram” se : “Nuk doja që ta mësonit nga mediat, por ja që ndodhi. U zbulua”, duke e lënë të hapur kalimin e tij në Dortmund.
145 Lëvizje
Në 10 skuadrat e Abissnet Superiore janë bërë 145 lëvizje, me 78 largime dhe 67 afrime
Merkato e Verës
Abissnet Superiore
Sezoni 2023-2024
Partizani
Largime: Engjëll Hoti, Jozef Menish, Aldo Teqja, Fabian Shahaj, Bekim Rexhepi? (5)
Afrime: Albers Keko, Eros Grezda, Adnard Mehmeti, Pano Qirko, Mateo Koçinaj, Gjelbrim Taipi (6)
Tirana
Largime: Visar Bekaj, Kristjan Toshevski, Zhozelin Behiratçe, Albano Aleksi, Elvi Berisha, Aldi Gjumsi (6)
Afrime: Kaina Nunjesh, Gentjan Selmani, Erhun Obanor, Liridon Latifi, Albi Doka, Gledi Mici, Erjon Hoxhallari, Fjoart Jonuzi (8)
Egnatia
Largime: Sodik Atanda, Eduards Emsis, Gersi Diamanti, Majkëll Agbekpornu (4)
Afrime: Stiven Janku, Redon Mihana, Jurgen Goxha, Albano Aleksi, Ilir Dobjani, Toni Gomes, Vusal Isgandarli, Edison Ndreca, Alesandro Ahmetaj (9)
Vllaznia
Largime: Ante Aralica, Liridon Latifi, Kaina Nunjesh, Kristjan Vulaj, Elvedin Heriç, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Darko Bulatoviç, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Erdenis Gurishta, Herald Marku, Bojan Zogoviç (13)
Afrime: Ildi Gruda, Eslit Sala, Darko Dodev, Redon Dragoshi, Konstantin Sheshmedzhiev, Millosh Stojanoviç, Jurgen Mehidri, Bujar Hajdari, Ardit Krymi, Gjelbërim Taipi (10)
Laçi
Largime: Gentian Selmani, Marko Roganoviç, Rudolf Turkaj, Viktor Velkoski, Majkëll Babatunde, Mentor Mazrekaj, Vasil Shkurtaj, Renato Ziko, Albi Alla, Saliu Guindo (10)
Afrime: Ronald Sobovale, Luis Paolo Silva Zhuinior, Emanuil Guci, Orgi Cena, Khalil Taleb (5)
Teuta
Largime: Albion Marku, Sherif Kallaku, Jurgen Goxhaj, Ildi Gruda, Aleksandër Kuro, Pano Qirko (6)
Afrime: Ergys Peposhi, Aldi Gjumsi, Mario Gjata, Realdo Fili (4)
Kukësi
Largime: Juan Martinez, Xhonson Ovusu, Shqiprim Taipi, Edi Basha, Betim Halimi, Ergys Peposhi, Redon Dragoshi, Altin Bytyçi, Gabriel Barabosa, Edison Ndreca, Gjelbrim Taipi, Ebert Kardozo Da Silva, Rrezart Kokollari, Laurenc Xheka, Antonio Ilieski, Mirza Delimedjak, Altin Bytyçi (17).
Afrime: Vasil Zhongo, Blerim Sahitaj, Argtim Ismaili?, Blendi Tahiri?, Berat Hismani?, Henri Sulovari?, Endri Reçi?, Albi Shpuza?, Mario Beshiraj (10)
Erzeni
Largime: Adnard Mehmeti, Dejvid Kapllani, Elvis Kovaçi (3)
Afrime: Nuk ka
Skënderbeu
Largime: Shkëlzen Ruçi, Uendi Vecaj, Dritmir Beci, Oltion Rapa, Agnaldo Moraesh, Hektor Idrizaj,Kristan Keqi Abdul Temitope (8)
Afrime: Klevis Shaqe, Markos Ramos, Suhejl Muharrem, Marko Alia, Mario Rabiu, Ermir Rashica, Kristian Keqi, Alkeo Bani, Orestis Ademaj, Dejvid Janaqi, Kosta Vangjeli (11)
Dinamo
Largime: Eni Imami, Edvan Bakaj, Sabien Lilaj, Patrik Fetaj, Realf Zhivanaj, Dikson Idakvo (6)
Afrime: Albion Marku, Rustem Hoxha, Luis Kaçorri, Zhozelin Behiratçe, Arbenit Xhemajli, Edmir Sali, Lorran de Oliveira (7)
Partizani prezanton uniformat e sezonit të ri

Sezonin e ri 2023-2024, Partizani do ta nisë me ndeshjen kundër BATE Borisov, të vlefshme për turin eliminator në Ligën e Kampioneve. Dhe vetëm dje kanë prezantuar uniformat e sezonit të ri, ku kanë prezantuar tre prej tyre, të gjitha me firmën “Macron”. Në AIR Albania do të luajë me fanelën tradicionale të kuqe, uniforma e dytë do të jetë e bardhë dhe e treta është zgjedhur e zeza.