Pejiç nderon Kukësin, Tirana del “bosh” me Laçin

444
Pero Pejiç, shënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore me 24 gola, ka nderuar Kukësin dje në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, teksa goli i tij ka vlejtur për t’i dhënë fitoren verilindorëve ndaj kampionëve në fuqi. Por ndërkohë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, Tirana dhe Laçi janë ndarë në barazim pa gola. Në të tilla kushte gjithçka mbetet për t’u zgjidhur më 22 prill, kohë në të cilën do të luhen dhe ndeshjet e kthimit. Të gjithë kanë shanset e tyre për të qenë në finale si Kukësi që dje ka fituar, ashtu dhe Tirana e Laçi që janë ndarë në barazim, apo dhe Skënderbeu, i cili dje ka humbur. Për rrjedhojë enigma e finalistëve mbetet e hapur.
Vlen Pejiçi, “ndriçohet”stadiumi i boshatisur
Në një impiant të boshatisur, për shkak të pezullimit të fushës së Kukësit nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, Skënderbeu nuk arriti ta shmangte humbjen. Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, rezultoi vendimtar edhe në takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, pasi shënoi golin e vetëm të takimit, që e bën skuadrën verilindore favorite për të prekur finalen. Një tjetër betejë e fituar nga 32-vjeçari ndaj ish-skuadrës së tij, që duhet t’i paguajë gati 15 mijë euro për shkak të detyrimeve të prapambetura nga sezoni i kaluar. Në kampin kuksian, Shaqiri kishte luksin të aktivizonte formacionin më të mirë të mundshëm, ku në vijën u parë Pejic mbështetej nga treshja Pit-Zeqiri-Lushtaku. Që në të 4’, korçarët u shfaqën të rrezikshëm në zonën e Kukësit, ku Martins ftoi në gjuajtje Sabien Lilajn, por topi i goditur u ndal nga shtylla. Në vijim të aksionit provoi edhe Abazi, por finalizimi i tij la për të dëshiruar. Kundërpërgjigja e Kukësit ishte e menjëhershme. Pero Pejiç, pasi stopoi saktësisht një top të ardhur nga thellësia, la pas bashkëkombësin e tij Radas dhe Jashanicën e me një lëvizje të bukur, teksa ishte i vetëm përballë Shehit, e dërgoi topin në rrjetë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës korçare. Në të 28’, braziliani Pit provoi me një diagonale të fortë nga e majta e sulmit kuksian, por topi u ndal nga shtylla. Pjesa e parë u mbyll me një depërtim të bukur të Radas, në qendër të zonës së Kukësit, por goditja e tij përfundoi mbi tra. Pjesa e dytë nisi me një moment të vështirë në portën e Skënderbeut, por Lushtaku, pas një sllallomi që nga mesfusha, nuk e shënjestroi si duhet portën e korçarëve. Pak çaste më vonë provoi edhe Dushku, por Shehi i mohoi golin qendërmbrojtësit. Me kalimin e minutave, Josa hodhi në fushë dy sulmuesit Stojkov dhe Sefa kuptohet për të rritur forcën goditës. Por formacioni i Artim Shaqirit u mbrojt mirë, duke mos lejuar prekjen e rrjetës, edhe pse në minutat shtesë u desh ndërhyrja vendimtare e Halilajt për të shmangur një gol të sigurt pas goditjes me kokë të Stojkov. Skënderbeu ka shanse të mira për t’u kualifikuar në finale, por duhet të fitojë me dy gola diferencë në sfidën e kthimit.
Tirana s’di të fitojë me Laçin
Tirana nuk pësoi, ashtu siç donte Magani, por as edhe nuk shënoi. Gjithçka për të dalë në finale do të vendoset ne Laç. Mirëpo barazimi pa gola, dje pasdite në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, nuk është një lajm i mirë për Tiranën, sepse ndeshjen e kthimit e ka në transfertë. Tirana dominoi në lojë e raste për shënim, por i mungoi finalizimi. Magani hidhte në fushë Muzakën dhe Ndikumanën në krahët e Bushiç në repartin e sulmit, ndërsa Cungu i jepte hapësirë mes shtyllave Moçkës në 4-2-3-1. Sinjali i parë erdhi nga bardheblutë, teksa në të 7’, krosimi i Ndikumanës nga e majta, duke parë dhe daljen e gabuar të Moçkës, e ka gjetur të pafat Currin, që me kokë godet shtyllën. Në të 13’, Argjend Mustafa vë në provë me një goditje potente, por qendrore Edvan Bakajn. Tirana është superiore në kontrollin e topit, por gjithsesi nuk arrin të krijojë raste të pastra, ndërsa Laçii kërkon befasinë me anë të kundërsulmit. Në të 40’, kurbinasit kanë rrezikuar të shënojnë në portën e tyre, ndërsa në fund Muzaka e detyron Moçkën të bëjë një ndërhyrje vendimtare dhe pjesa e parë 0-0. Në 45 minutat e dyta, Magani ka futur në lojë dhe Sefën. Por problemi i Tiranës është i njëjtë, mungesa e finalizmit dhe pasimit të fundit. Në të 62’, Ndikumana, pas pasimit të Takut, mund të kishte goditur mirë me kokë. Në të 67’, Kahata godet fort, Moçka bëhet shpëtimtar për portën e tij. Në të 72’, Tirana ka pretenduar për penallti, por s’ishte i këtij mendimi gjyqtari Meta. Tirana ngulmon, teksa në të 86’, Kahata ka pasur një mundësi gjuajtje. Por në fund një 0-0 e bardhë që nuk lë askënd të kënaqur tek Tirana. 
Flasin trajnerët pas gjysmëfinaleve të para
Artim Shaqiri (Trajneri i Kukësit) – “Për ne ka një domethënie të madhe kjo fitore, ndonëse ndeshjen e kthimit do ta luajmë në Korçë. E kemi merituar fitoren, edhe pse në pjesën më të madhe të ndeshjes nuk e kemi kontrolluar si duhet topin. Megjithatë ne patëm raste më shumë dhe në fund ka rëndësi rezultati i ndeshjes. Kuptohet që ndeshjen e kthimit do ta nisim me një gol më tepër”
Mirel Josa (Trajneri i Skënderbeut) – “Me lojën jam i kënaqur në përgjithësi, sidomos për mënyrën se si luajti skuadra dhe qarkulloi topin. Duhet të ishim më prezentë në zonën kundërshtare. Vendosa ta ndryshoj këtë duke futur Stojkov, i cili shpërdoroi rastin e vetëm të pastër. Megjithatë them se jemi në rrugë të drejtë, pasi skuadra, nga një lojë jo e mirë në Laç, u kthye në atë që di të bëjë më mirë. Me Partizanin do të fitojmë”. 
Gugash Magani (Trajneri i Tiranës) – “E gjithë skuadra ka përgjegjësi përderisa nuk shënuam, kjo së bashku me mua. Tirana ka objektiva shumë më të mëdha e do të quhet dështim nëse nuk futemi në Evropë. Mund të them se kaq është mundësia për momentin, megjithëse kemi dhe 90 minuta të tjerë në lojë. Nuk mund të them që ishte vetëm faji i Currit, Bulkut dhe Muçës, por mendoj që nuk luajtën mirë në grup”. 
Armando Cungu (Trajneri i Laçit) – “Nuk ka lidhje nëse ia kemi marrë dorën Tiranës, apo jo. Kemi bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira. Kanë qenë superior nga statistikat, e vlerësuam shumë këtë ndeshje dhe do të kërkonim vetëm shënimin e një goli. Jam shumë i kënaqur dhe akoma tepër që nuk kemi pësuar. Na mungoi finalizimi i aksioneve, por nuk ditëm të shfrytëzonim rastet edhe kur ishim në superioritet. Ndeshjen e kthimit, detyrim fitorja 
Sigal