Pas 16.1 mln eurove të shpenzuara, Teksasi mbetet shpresa e fundit për Shumakerin

465
Ylli i Formula 1, Mikael Shumaker, mund të fluturojë në SHBA për një trajtim të fundit mjekësor. Lajmi bëhet publik nga mediat suedeze. Legjenda e sportit pësoi një dëmtim të rëndë në tru në një aksident me ski, në dhjetor të 2013-ës, prej së cilës ai është ende në fazë rehabilitimi.
Por 48-vjeçari pritet të niset nga Zvicra, ku ndodhet për momentin, drejt një qendre traumatike të trurit në Teksas, pasi gruaja e tij, Korina, ka vendosur të provojë për një tjetër trajtim. Këtë detaj e ka zbuluar gazeta suedeze “Expressen”. Për specialistin në rastet e dëmtimeve të trurit, Dr.Mark Miks, mund të jetë një “shpresë e re” për legjendën e pilotimit. “Ne kemi përvojë të gjerë me pacientët e traumës. Në Europë nuk ka klinika të posaçme që mund të trajtojë raste si ky”.
aksidenti shumakerit
Gjermani do të përplasej fort në shkëmb, ndërsa bënte ski në Alpet franceze. Pas aksidentit, ai kaloi në gjendje koma dhe do të rifitonte vetëdijen qershorin e vitit të ardhshëm (2014). Në shtator 2014, ai u zhvendos në qendrën mjekësore në vilën e tij, ku thuhet se ai ka mbetur i paralizuar, ndonëse asnjëherë nuk janë konfirmuar detaje zyrtare të gjendjes së tij të tanishme. Vitin e kaluar, familjarët e Shumakerit u detyruan të mohonin pretendimet e bëra në një revistë gjermane se tani ishte në gjendje të ecë me ndihmën e terapistëve.
Shumaker është piloti më i suksesshëm në historinë e Formula 1, ndërsa ka fituar pesë tituj kampionë me Ferrarin dhe dy me Beneton. Aktualisht, ish-piloti gjerman trajtohet në vilën e tij në Gland në liqenin e Gjenevës, nën kujdesin e veçantë të një stafi mjekësh, infermierësh dhe terapistësh.
Të gjithë janë të detyruar për ruajtjen e konfidencialitetit të gjendjes shëndetësore të ish-pilotit. Prej shtatorit 2014, deri në dhjetor 2016, për kurimin e Shumakerit janë shpenzuar 13.8 milionë sterlina (16.1 milionë euro). Në javë, nga arkat e tij dilnin 134000 euro. Në vitin 2014, pasuria e ish-ferraristit u vlerësua rreth 600 milionë euro.
Sigal