‘Partizani’ ‘fundos’ ‘Teutën’ dhe merr kreun, ‘Tirana’ ‘humb’ biletën e fundit për Evropën

317
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

U luajtën ditën e djeshme, ndeshjet e vlefshme për javën e 34-t, të Kategorisë Superiore, ku ndesheja, që binte më shumë në sy ishte supersfida mes ‘Teutës’ dhe ‘Partizanit’ e luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, në Durrës. Padyshim, një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni, ku të dyja skuadrat gjatë gjithë lojës, u hodhën në sulm kundra njëra-tjetrës, në kërkim të 3 pikëshit, që vendoste “fatet” e kampionatit. Në përfundim, fitues dolën ‘demat e kuq’, të Ilir Dajës, të cilët ju falën golit të Çinarit, në këtë përballje drithëruese. Një përballje tjetër decizive, për ekipet të cilat do të luajnë në kupat evropiane sezonin tjetër, ishte dhe ajo mes ‘Tiranës’ dhe ‘Laçit’, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përballje kjo, e cila përfundoi me fitoren minimale 0-1, në favor të ‘kurbinasve’, të drejtuar nga Shpëtim Duro. Në zonën tjetër të ‘nxehtë’, të kampionatit, në atë të rënies nga Kategoria, nuk pati surpriza, me ‘Skënderbeun’ që kaloi lehtësisht ‘Apoloninë’, ndërsa ‘Kastrioti’ dhe ‘Bylis’ “ngecën”, respektivisht kundër ‘Vllaznisë’ dhe ‘Kukësit’. Për më tepër, le të shikojmë rezultatet e javës së 34-t, të Kategorisë Superiore dhe se si kanë ndikuar ato në renditje:

KATEGORIA SUPERIORE,  Java e 34-t
‘Tirana’ – ‘Laçi’ 0-1
( Najdovski (a.g) 67’ )
‘Kukësi’ – ‘Bylis’ 2-1
( Eze 67’, Limaj 89’/ Ntephe 14’ )
‘Skënderbeu’ – ‘Aplonia’ 2-0
( Meksi (p) 25’, Pusi 29’ )
‘Teuta’ – ‘Partizani’ 0-1
( Çinari 24’ )
‘Vllaznia’ – ‘Katrioti’ 1-0
( Dilaver 79’ )
KLASIFIKIMI KATEGORIA SUPERIORE
1. ‘Partizani’           33          62 pikë
2. ‘Teuta’                33          62 pikë
3. ‘Laçi’                  33          60 pikë
4. ‘Vllaznia’            33          60 pikë
5. ‘Tirana’               33          54 pikë
6. ‘Kukësi’              33          45 pikë
7. ‘Skënderbeu’       33          34 pikë
8. ‘Kastrioti’            33          31 pikë
9. ‘Bylis’                 33          30 pikë
10. ‘Apolonia’           33          20 pikë

‘Tirana’ 0-1 ‘Laçi’. ‘Kurbinasit’ e drejtuar nga tekniku Shpëtim Duro, kanë marrë sot një 3-pikësh më shumë vlerë për garën e këtij kampionati, ku kanë arritur të mundin skuadrën e ‘Tiranës’, me rezultatin minimal 0-1. Ndeshje e ekuilibruar me pak raste për shënim nga të dyja ekipet. Në pjesën e parë loja ishte e ‘Tiranës’ me 1 rast të shpërdoruar të Ismajlgecit dhe një pretendim për penallti të Halilit, pas bllokimit të tij gjatë një kundërsulmi në zonën e ‘kurbinasve’. Në pjesën e dytë, nis dhe reagimi i skuadrës së ‘Laçit’, ku pas një goditje të Mazrekajt, u desh ndërhyrja në vijën fatale e Hoxhallarit për t’i mohuar golin. Gjithçka do ndryshontë në minutën e 67’, kur Mazrekaj do të ekzekutonte në mënyrë perfekte, një goditje nga këndi dhe me ndihëm e Najdovskit, do ta çonte ndeshje në rezultatin 0-1. Pas kësaj ndeshje shpresat e ‘Tiranës’, për një vend në kupat e Evropës janë pothuajse zero.

‘Kukësi’ 2-1 ‘Bylis’. Përballje vendimtare kjo për ‘ballshiotët’ e Dovedan për qëndrimin në Superiore, përballë një ‘Kukësi’, që edhe pse nuk luan më për asnjë objektiv këtë sezon, po e mbyll me “nder” kampionatin. Gjithçka nisi mirë për ‘Bylisin’, të cilët u hodhën menjëherë në sulm për fitimin e pikëve, nuk vonoi dhe në minutën e 14’, krosimit nga një goditje dënimi, Ntephe kërceu më lartë se të gjithë, duke çuar në avantazhin 0-1 ‘ballshiotët’. Skuadra e ‘Kukësit’ pati reagimet e veta pas këtij goli, që në pjesën e parë, por pa arritur të kthejë rezultat. Duke arritur drejt 20 minutëshit të fundit të lojës, u mendua se ‘Bylisi’ po bëntë surprizën ndaj ‘verilindorëve’, por në minutën e 67’, nigeriani Eze përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e ‘ballshiotëve’ duke e dërguar topin në rrjetë, e duke sjellë baraspeshën në këtë sfidë. Nuk mbaron me kaq, pasi në minutën e 89’, skuadra e Bylisit pas një kundërsulmi të ‘kuksianëve’, bëjnë një tjetër gafë në mbrojtje, ku këtë herë ishte Limaj ai i cili do të përfitonte duke e çuar rezultatin në 2-1, në favor të ‘Kukësit’, të udhëhequr nga trajneri Mirel Josa.


Skënderbeu’ 2-0 ‘Apolonia’. Fati i ka buzëqeshur këtë herë ‘korçarëve’, duke i përballur me ekipin tashmë të rënë në Kategorinë e Parë, ‘Apoloninë’. Ashtu siç pritej, ‘Skëndërbeu’ mori 3 pikë të arta në luftën për qëndrimin në Superiore. Përballja u vendos e gjitha në pjesën e parë, ku pas një ndërhyrje brenda zone ndaj Pusit, gjyqtari ka akorduar një 11-metërsh, e cila u ekzketua nga mbrojtësi Jorgo Meksi, i cili qetësisht dërgoi topin në anën e djathtë të portierit Harizaj duke e çuar rezultatin në 1-0, në minutën e 25’ të ndeshjes. Edhe pas golit nuk ndaloi ofensiva e ‘Skënderbeut’, ku vetëm pas 4 minutash do të ishte rradha e Pusit këtë herë të thellonte rezultatin 2-0, duke i dhënë kështu një fitorë të “artë” ‘Skënderbeut’, përballë ‘Apolonisë’.

‘Teuta’ 0-1 ‘Partizani’. U cilësua, si një finale e parakohshme e këtij kampionati përballja me ‘Teutës’ dhe ‘Partizanit’, e zhvilluar në stadiumin ‘Niko Dovana’, në qytetin e Durrësit dhe po të njëjtat emocione përcolli. Lojë e shpejtë dhe e bukur u zhvillua nga të dyja ekipet pretendente për fitimin e titullit kampion këtë sezon. Loja nisi vrullshëm nga ‘durrsakët’ e Edi Martinit, të cilët u hodhën menjëherë në sulm duke fituar një penallti që në minutën e 6’, të takimit, por pas komunikimit me gjyqtarin e linjës Blerim Ziri, kryesori Ferhataj e anulloi këtë vendim. Më tej në minutën e 16’ u bë protagonist Todorovski, i cili me një goditje potente nga distanca vuri në vëshitrësi portierin Alban Hoxha duke e çuar topin në rivënie këndore. Në minutën e 24’ vjen dhe reagimi i ‘demave’ të Ilir Dajës, ku pas një mosmarrëveshjeje me Arapit dhe portierit Frashëri, sulmuesi Eraldo Çinari shënon me kokë dhe çon rezultatin 0-1. Pas shënimit të golit, pati raste të shumta nga të dyja ekipet, por pa mundur të ndryshonin rezultat. Ndërkaq, pas përfundimit të ndeshjes lojtarët e ‘Partizanit’ filluan të festonin, pas marrjes së kryesimit, duke shkuar kështu shumë pranë fitores së kampionatit, të dytit në 3 vitet e fundit.

‘Vllaznia’ 1-0 ‘Kastrioti’. Përballje e rëndësishme kjo për të dyja skuadrat, ku ‘Vllaznia’ kërkonte qëndrimin në garën për titullin kampion, ndërsa ‘Kastrioti’ të shpëtonte nga zona e rënies nga kategoria. Ndeshje fantastike për portierin Zogoviç, të ‘Kastriotit’, i cili u kthye në një protagonist ditën e sotme (djeshme) duke i mohuar golin disa herë ‘shkodranëve’ të Brdariç. Një ndeshje e luftuar kjo nga të dyja ekipet, e cila dhe golin e solli shumë vonë, në minutën e 78’ ku Haris Dilaver godet topin me kokën dhe e ndal sferën në rrjetë. Edhe skuadra e ‘Kastriotit’ pati rastet e veta por pa mundur t’i finalizojë ato. Ku kanë mbetur edhe vetëm 2 javë nga përfundimi i sezonit futbollistik, javës tjetër do të kemi përballjen ‘Partizani’-‘Vllaznia’, përballje e cila do të tregojë më shumë për triumfatorin e këtij sezoni. Për më tepër le të shikojmë përballjet e javës së 35-të dhe 36-të, të Kategorisë Superiore.

Kategoria Superiore – Java 35
E premte, më 21 maj 2021
Ora 17:00 | ‘Kastrioti’ –      ‘Bylis’
Ora 17:00 | ‘Laçi’ –             ‘Teuta’
Ora 17:00 | ‘Partizani’ –      ‘Vllaznia’
Ora 17:00 | ‘Apolonia’ –     ‘Tirana’
Ora 17:00 | ‘Skënderbeu’ – ‘Kukësi’

Kategoria Superiore – Java 36
E mërkurë, më 26 maj 2021
Ora 17:00 | ‘Kukësi’ – ‘Kastrioti’
Ora 17:00 | ‘Bylis’ –  ‘Partizani’
Ora 17:00 | ‘Vllaznia’ – ‘Laçi’
Ora 17:00 | ‘Teuta’ –  ‘Apolonia’
Ora 17:00 | ‘Tirana’ – ‘Skërnderbeu’