215 vetëvrasje, rriten tentativat në vitin e pandemisë

304
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ekonomia që vret

Rritja e numrit të vetëvrasjeve në Shqipëri u atribuohet faktorëve ekonomikë dhe socialë. Teksa niveli i tyre vijon të jetë tre herë më i lartë se sa vrasjet, ekspertët e fushës psikologjike, bëjnë thirrje për ndërtimin e mekanizmave që të parandalojnë sjelljen vetëvrasëse, e cila ka ndikim ekonomik dhe social të konsiderueshëm. Në Shqipëri, vijojmë të flasim për shifra të larta. INSTAT raportoi  se, numri i vetëvrasjeve  në vitin 2020, në total ka qenë 215, nga 216 një vit më parë. Shifrat flasin sërish për një numër të konsiderueshëm, si dhe një raport 3-fish më të lartë se sa vrasjet në Shqipëri (55 vrasje në 2020-n). Ekspertët rikujtojnë edhe rastet kur fenomeni ka mbetur në tentativë. Sipas tyre, tentativat për marrjen e jetës, vitin e shkuar, kanë pasur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit, përkatësisht 129 raste të raportuara dhe gjithashtu, mendohen edhe dhjetëra të tjera të paraportuara.

Shkaqet

Sipas ekspertëve të çështjeve psikologjike, rreziku mund të shpjegohet pjesërisht nga lidhja familjare dhe faktorët gjenetikë të sëmundjes mendore, në rastin e vdekjes së një të afërmi nga vetëvrasja. Për më tepër, faktorët mjedisorë dhe të komunitetit luajnë një rol në rrezikun e vetëvrasjes, duke përfshirë jetesën në një zonë rurale, individët të cilët jetojnë pranë të dashurve që humbin jetën nga vetëvrasja mund të përballen me një rrezik më të lartë, sepse ata janë të ekspozuar ndaj të njëjtëve faktorë rreziku. Komunitetet gjithashtu ndikohen ndjeshëm kur ka një vdekje nga vetëvrasja. Përveç tronditjes dhe pikëllimit që shoqëron një vdekje, mund të ketë edhe grupe vetëvrasjesh, që do të thotë vetëvrasje të shumta në një periudhë të shkurtër në atë zonë gjeografike. Ndaj, ekspertët këshillojnë të tregohet shumë kujdes me mediatizimin e fenomenit.

Efekti i Covid-19

Arjana Rreli, mjeke psikiatre, pohon për “Monitor” se, gjatë pandemisë, stresi, ankthi e më pas depresioni, kanë qenë në rritje të vazhdueshme, faktorë që sipas saj, çojnë në një sjellje vetëvrasëse të pakthyeshme.

Ekonomia dhe shoqëria

Vetëvrasja analizohet kryesisht nga ekspertët e shëndetit mendor, por duhen kuptuar edhe fenomenet sociale. Madje, sipas sociologes Marsida Simo, mund të jenë pikërisht këto fenomene socio-psikologjike si mungesa e mirëqenies, zakonet e vjetra dhe shtypëse, gjuha e urrejtjes që është përhapur gjerësisht në media apo në rrjetet sociale, bullizmi, mungesa e optimizmit, të cilat mund të krijojnë këtë gjendje amullie të një shoqërie,  deri te marrja e vendimit për vetëvrasje te një person.

Trendi ndër vite

Vetëvrasjet u rritën në mënyrë sistematike në dy vitet e fundit, duke arritur në 216 persona më 2019, ose 2,3% më shumë në raport me një vit më parë dhe pothuajse në të njëjtin nivel ishin edhe në 2020-n.  Sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, numri i personave të vetëvrarë, arriti në 7,5 për 100 mijë banorë nga 5,4 që ishte në vitin 2016. Numrin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë burrat, me 72% të totalit në 2020-n. Vetëvrasjet e meshkujve u rritën me 8.4% në vitin 2020, ndërsa ato të femrave ranë me gati 18%. Më e ekspozuar ndaj vetëvrasjeve ishte grup-mosha 55-59 vjeç me 15% të totalit të vetëvrasjeve. Një rritje e ndjeshme e heqjes së jetës me dëshirë, u konstatua për grup-moshën 50-54 vjeç, me pothuajse dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, e ndikuar kryesisht nga meshkujt. Vitet e fundit, numri i pleqve që jetojnë vetëm, është rritur, dhe të moshuarit janë më të ekspozuar ndaj depresionit. Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai, që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni, është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vë egërsisht nën presion individët. Mund të themi se, shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, të cilat bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta. Shifrat e Policisë treguan se numri i vetëvrasjeve në vitin 2020, në total, ka qenë 156. Por, në një pikë bien dakord të dyja palët, tentativat për vetëvrasje kanë qenë më të larta vitin e shkuar.  Qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës kishin nivelin më të lartë të vetëvrasjeve në vitin 2019. Në raport me popullsinë, Gjirokastra shënoi 13 vrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Berati me 12,8 persona të vetëvrarë për 100 mijë banorë dhe Lezha me 12. Në anën tjetër, Kukësi, Elbasani dhe Tirana kishin numrin më të ulët të vetëvrasjeve, përkatësisht me 3,6, 5,1 dhe 5,8 për 100 mijë banorë, duke rezultuar shumë poshtë mesatares kombëtare.

Eksperti: Shkaktarët, ekonomikë dhe socialë

Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe i vë egërsisht nën presion individët. Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Një pjesë e mirë e individëve që mund të bëjnë vetëvrasje, vuajnë probleme në familje, divorc, mosmarrëveshje, mungesë komunikimi, apo presionet në punë dhe vështirësi për të siguruar jetesën. “Një pjesë tjetër, për shkak të pamundësive që sjell mjedisi, vuajnë perceptimin e të ndierit të parealizuar, të paaftë apo dështakë. Shoqëria shqiptare karakterizohet nga një intensitet i lartë i tensioneve, konflikteve, presioneve të shumta, të cilat shpesh ndikojnë në humbjen e ekuilibrit psikologjik. Jemi një shoqëri tejet agresive dhe aspak tolerante, gjë që rrit ndjeshëm ngarkesat e përditshme.”

Mekanizmat shtetërorë për minimizimin e situatës

Ekspertë të fushës sociologjike dhe psikologjike pohojnë se, shteti e ka të vështirë të ndërhyjë në probleme, të cilat janë thellësisht individuale, por ai ka një ndikim të madh, për aq sa mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Sipas tyre, nëse kushtet ekonomike, shoqërore e kulturore do të ishin më të mira, numri i vetëvrasjeve do të reduktohej shumë. Në një plan më të ngushtë, strukturat shtetërore mund të ndihmojnë në krijimin e lehtësive për njerëzit që vuajnë depresionin, mund të rrisin numrin dhe cilësinë e shërbimit të qendrave që asistojnë probleme të kësaj natyre, mund të ndërhyjnë me politika të cilat mund të zbusin probleme të stresit në punë, si dhe mund të rrisin ndërgjegjësimin dhe informimin mbi probleme të depresionit, zbutjes së konflikteve sociale dhe motivimit.