Nesip Kaçi: Lufta e Vlorës ndaloi coptimin e Shqipërisë dhe shpalli të pavlefshme planet kriminale ndaj vendit tonë   

741
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Lufta e Vlorës përbën një ndër faqet më  të  ndritura të historisë së Shqipërisë së pavarur dhe të  luftërave shekullore që ka bërë populli shqiptar për mbijetesë dhe ekzistencë. Ajo, shkruan Dr. Hasan B. Luçi, në monografinë  e tij me titull : “ Lufta e Vlorës dhe Kuçi i Labërisë”, është një nga epopetë  më të mëdha të  Labërisë, që mbeti në histori se ndaloi coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë në vitet  ’20 të shekullit XX.

Epopeja e Labërisë

Kjo luftë nuk ishte një rastësi. Kongresi i Lushnjës krijoi kushtet dhe nxiti krahinat e jugut për luftë kundër politikës imperialiste evropiane me kryengritje të armatosur, për t’i prerë rrugën coptimit të Shqipërisë nga Greqia e Italia në jug dhe jug-perëndim.  Pasi delegatët u kthyen nga Kongresi i Lushnjës në vendlindjet e tyre, në Labëri filluan përgatitjet për kryengritjen e armatosur me grumbullimin e armëve. Në takimet që bëri Halim Xhelua në Kuç, Dukat, Armen, Vajzë, Mesaplik etj, mori garanci nga lebërit se ‘do vimë të gjithë në luftë’ për çlirimin e Vlorës. Halim Xhelua ishte nga një familje e varfër blegtorësh nga Tërbaçi, por dha një ndihmesë të çmuar për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar dhe u tregua aktiv në përgatitjen e luftës së Vlorës.

Krahas Halim Xhelos u aktivizuan shumë  patriotë të ngarkuar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, për të krijuar nënkomitetet e çlirimit të Vlorës, të cilët shkuan fshat më fshat dhe në qendra banimi, ku  bënë thirrje për të shpëtuar atdheun nga pushtuesit e huaj dhe coptimi i vendit. Në këto mbledhje folën patriotë si Arif Mëhillaj, Toto Hosi, Sali Vranishti, Memo Meto, Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Selam Musai, Avdurahman Çiraku, Shtjefën Gjeçovi, Zigur Lelaj, Kanan Maze etj. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare mbulonte Vlorën, Tepelenën, Kurveleshin, krahinat e Labërisë, Gjirokastrën, ku mbledhjet e parisë vendosën që çështja e Vlorës të zgjidhet me armë, me kryengritje të armatosur dhe për këtë u krijuan komitetet e fshehta. Atdhetarët trima Avdurahman Çiraku nga Vërniku dhe Kanan Maze nga Shkoza, ngritën në këmbë për çlirimin e Vlorës, Nivicën, Progonatin, Gusmarin etj. Më 29 maj në  malin Barçalla të Dukatit, mbledhja e përgjithshme e krahinave, në cilësinë e një kuvendi, me pjesëmarrjen e 200 vetave nga qyteti i Vlorës dhe pleqësia e fshatrave të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës, diskutoi për organizimin e çetave të armatosura. Qeveria e Tiranës dërgoi atje major Ismail Haki Kuçin, ushtarak i aftë, trim e patriot, me detyrë organizimin e qëndresës nën drejtimin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Kuvendi zgjodhi  “Këshillin Kombëtar” prej 30 vetash me kryetar Osman Haxhiun. U krijua gjithashtu edhe komisioni ushtarak  “Komisioni Epror i Luftës”  me ushtarakë të njohur si Ahmet Lepenica, major Ismail Haki Kuçi, Aziz Çami,  Xhevdet Picari, Memo Meto, Tosun Selenica etj.  Komandant i forcave kryengritëse u caktua Ahmet Lepenica. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare caktoi komandantët e çetave dhe zëvendsit e tyre për çdo fshat dhe të gjitha forcat kryengritëse të mblidheshin në Beun mbi Vajzë më 2 qershor 1920. Pjesëmarrësit në kuvendin e Barçallasë u kthyen në vendet e tyre dhe dhanë kushtrimin për të vënë në gatishmëri forcat e armatosura vullnetare dhe për këto vendime të Kuvendit u vu në dijeni qeveria e Tiranës. Delegatët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare (K.M.K ) shkuan në Gjirokastër, Kurvelesh, Tepelenë, Korçë, Berat, Elbasan, Durrës etj, për t’i njohur me vendimin për luftë kundër Italisë. Një përfaqësi me në krye Osman Haxhiun shkoi në Tiranë për bisedime dhe ndihmë nga qeveria. Kjo luftë ishte kërkesë historike e kohës. Në fakt, kryengritja kundër pushtuesve italianë, filloi në Kuç më 3 qershor 1920, dhe përfundoi  në Vlorë  më 3 shtator të po atij viti. Duhet theksuar  se Komiteti i Luftës së Vlorës, duke vlerësuar Kuçin si një fshat i madh dhe me peshë në Labëri, vendlindja e Zenel Gjolekës – udhëheqës i kryengritjes fshatare të Tanzimatit dhe i Myslym Gjolekës – luftëtar i Lidhjes së Prizrenit, dërgoi atje  të delegur, atdhetarin trim Halim Xhelo, i cili u prit me përzëmërsi nga paria dhe pleqësia e Kuçit, me të cilët njihej mirë. Paria e Kuçit thirri më 31 maj 1920 në Grabovë, në lumin e Kuçit, një kuvend popullor të traditës, ku foli Arif Mëhillaj, i cili parashtroi vendimet e rëndësishme të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare (KMK) dhe Halim Xhelua në këtë kuvend njoftoi vendimin e Barçallasë për çlirimin me luftë të Vlorës dhe të gjithë krahinave nën pushtimin italian. Ai i bëri thirrje popullit të Kuçit, që edhe këtë herë të tregonte atdhetarizmin e tij.

Çeta e Kuçit e përbërë nga 120 luftëtarë, nën komandën e Rrapo Aliut, Meto Peçit, Sefedin Meçe, Ismail Meto Brahimaj, Arshi Saraçit e Jaho Gjolikut, rrethuan më 3 qershor postkomandën e karabinerisë italiane në fshatin e tyre, që ishte atje që nga viti 1916 me 60-70 karabinierë të armatosur deri në dhëmbë. Populli kërkoi t’i çarmatosnin karabinierët, por Kadri Gjoleka me parinë e pleqësinë vendosën t’i linin të lirë të iknin në familjet e tyre në Itali dhe të mos shkonin në luftën e Vlorës se atje do linin kockat  dhe  ata morën rrugën Pilur – Himarë. Kështu që Kuçi u çlirua që më 3 qershor dhe populli brohoriste : ‘Ja do mbetet Vlora jonë, ja do bëhet shkrumb e hi’. Materialet  ushtarake të postës së karabinerisë italiane të Kuçit, si pushkë e armë të tjera, bomba, municione, veshje, ushqime etj, iu shpërndanë popullit për t’u armatosur e për t’u mbrojtur.  Pas kësaj, forcat e Kuçit u ndanë në dy drejtime :  4 çeta, të komanduara nga M. Peçi, Rr. Aliu etj, u nisën në drejtim të lumit të Vlorës dhe më 4 qershor u bashkuan me çetat e Kallaratit, Bolenës, Vranishtit ,Bratajt e Tërbaçit, ndërsa  një nga çetat e Kuçit, e komanduar nga Jaho Gjoliku dhe Xh. Alikaj, shkoi për çlirimin e Tepelenës. Me të mbërritur në Tepelenë kjo çetë, së bashku me forcat e tjera të Kurveleshit, Tepelenës, Gjirokastrës, më 5 qershor rrethuan forcat italiane dhe mësymja filloi në të gdhirë të 6 qershorit në shumë drejtime. U luftua me heroizëm ditë e natë më 6 dhe 7 qershor por armiku u mbrojt me të gjitha llojet e armëve dhe me zjarrin e dendur të artilierisë dhe mortajave, i pengoi kryengritësit të hyjnë në Tepelenë. Më 8 qershor në të gdhirë, kryengritësit sulmuan me furi dhe e detyruan armikun: komandën italiane të regjimentit  72 të këmbësorisë dhe grupin 157 të artilerisë malore, të braktisnin  pjesën prëndimore të frontit dhe të mbylleshin në qytet dhe pak më vonë, në kalanë e Ali Pashës, të rrethuar nga të gjitha anët nga shqiptarët kryengritës, që i mbanin nën goditjet vdekjeprurëse. Të gjendur të rrethuar, pa ujë dhe pa ushqim në mes të vapës dhe pa shpresa për ndihmë, në pamundësi shpëtimi, pas kaq ditësh rrethimi, italianët u detyruan të dorëzoheshin pa kushte. Më 21 qershor në orën 18 e 30 minuta, Tepelena ra në duart e kryengritësve, të cilët vendosën në qytet flamurin shqiptar. Në këtë luftë u kapën  robër 270 ushtarë dhe 30 oficerë në mes të cilëve edhe komandanti, major Kalcibi. Gjithashtu u kapën sasi të mëdha armatimesh, municione dhe materiale të shumta luftarake.  Pas kësaj fitoreje forcat vullnetare u nisën për Drashovicë, ku u bashkuan me forcat e tjera për çlirimin e Vlorës, nën udhëheqjen e Halim Xhelos, Selam Musait, Sali Vranishtit  dhe shumë patriotëve të tjerë nga krahina e Labërisë dhe nga krahina të tjera. Mësymja luftarake kryengritëse e javës së parë u përballua nga forcat e krahinës së Vlorës, pastaj morën pjesë edhe ato të ardhura nga krahina të tjera. Më 2 qershor 1920 Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare u vendos në malin e Beunit, mbi Vajzë. Atje u caktuan çetat që do të luftonin në Kotë, Gjorm, Llogora, Drashovicë, dhe më vonë në kalanë e Kaninës e gjetkë. Sipas Halim Xhelos më 2 qershor “Komisioni Ushtarak” bëri organizimin e tyre duke i bashkuar çetat e fshatrave në njësi ushtarake më të mëdha, u dha detyrat luftarake dhe i përhapi forcat në terren në gatishmëri për të marrë sinjalin e fillimit të luftës. Mehmet Selim Mallkeqi, i caktuar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dorëzoi ultimatumin e parë gjeneral Piançentinit . Pasi gjeneral Piançentini, si agresor iu përgjigj me një gjuhë barbare ultimatumit, më 5 qershor 1920 në mbrëmje filloi kryengritja, çarmatosja dhe dëbimi i postave dhe qëndrave të karabinerisë italiane nga fshatrat dhe qëndrat e banimit

Më datën 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane të krahinës, që nga Tepelena deri në Drashovicë. Ushtria e rregullt italiane në Shqipëri  përbëhej nga dy divizione me 12 gjeneralë, 20 mijë ushtarë nga këta  12 mijë i kishte në krahinën e Vlorës, dhe 7500  ushtarë brënda në Vlorë me në krye gjeneralin S. Piançentini, ajo ishte e  pajisur me mjete të blinduara, të mbështetur nga aviacioni e anije lufte dhe e  fortifikuar në bunkerë, transhe, istikame, me qëndra zjarri të mbrojtura me thaës me rërë, kalimet i kishin rrethuar me tela me gjemba të mbrojtura me topa e mitroloza dhe ishte e furnizuar për një qëndresë nga 4 deri 6 muaj. Kryengritësit shqiptarë, në numër ishin tri herë më pak, të pajisur me armë primitive dhe municionet i kishin të pakta, një pjesë e tyre shkuan në luftë  në fillim me sopata, me thika dhe me hanxharë.  Populli i ka përshkruar kështu:  “Po me se luftojnë vallë ? / Me sopata e me hanxharë,/ dyfekët lidhur me gjalmë,/ fishekët në xhep i mbajnë”. Ata shkonin në luftë me shpresë që armët t’ia merrnin armikut, dhe kështu ndodhi. Sipas plan-programit të hartuar nga komisioni ushtarak, veprimet luftarake të kryengritësve do të kryheshin në dy faza : E para, me objektiv asgjësimin e garnizoneve italiane në Llogara, Gjorm, Kotë, Vajzë, Drashovicë, Sinanaj e Tepelenë dhe faza e dytë,  marrja e kalasë së Kaninës dhe Vlora.  Në mbrëmjen e 4 qershorit, në errësirën e natës, së pari, u prenë linjat telefonike të Vlorës dhe lidhjet me garnizonet në terren, duke paralizuar plotësisht  ndërlidhjen e armikut; së dyti, u prishën urat dhe rrugët; së treti, u çarmatosën të gjitha postat e karabinierisë, duke i mbajtur robër këto forca. Në Smokthinë forcat e Kurveleshit ranë në pritë me 70 karabinierë, të cilët ca i vranë me thika, ca u dorëzuan dhe ca ikën në Gjorm në panik nga frika e hanxharëve. Në këtë mënyrë kryengritësit rrëmbyen armatimet dhe pajisën me to luftëtarët e çetave vullnetare. Kështu në natën e 4 qershorit kryengritësit nisën sulmin kundër objektivave ushtarake të armikut. Më 5 qershor ata rrethuan dhe sulmuan në befasi forcat italiane në Gjorm nga disa drejtime, nga Lepenica, rrëza e malit të Gjormit dhe nga lumi. Sulmi i kryengritësve ishte i papritur, i fortë dhe mjaft i rreptë. Pasi kaluan telat me gjemba e llogoret me përleshje trup me trup, ku vranë ushtarë, oficerë dhe një nënkolonel dhe pas luftimesh të ashpra dhe të përgjakshme nga të dyja palët, pas një qëndrese dëshpëruese prej dy-tre orësh, armiku u dorëzua, duke lënë 40 të vrarë, shumë të plagosur dhe 80 robër. Kryengritësit  zunë 2 topa, 7 mitrolozë dhe një numër të  madh pushkësh dhe municionesh etj, shumë kafshë ngarkese, që u vunë në shërbim të luftës së Vlorës. Kjo fitore ngriti lartë moralin dhe besimin e luftëtarëve shqiptarë për çlirimin e Vlorës. Pas çlirimit të Gjormit, çetat vullnetare u nisën për në Kotë. Gjatë rrugës po shtoheshin vullnetarët si ortek nga fshatrat e lumit të Vlorës dhe forcat që vinin nga Tepelena, Ndërkohë mbritën nga Gjirokastra 160 burra të armatosur, të komanduar nga Kapo Topulli dhe Hasan Xhiku. Luftimet më të ashpra u zhvilluan për marrjen e Kotës, si nyjë kryesore që kontrollonte rrugën Vlorë – Gjirokastër. Në Kotë në krye të trupave italiane drejtonte general Goti me një regjiment artilerie, bateri topash, mitrolozë të rëndë, automjete etj. Armiku bëri qëndresë të fortë dhe rrezistoi.

Vullnetarët lebër me shpejtësi, me lesa dhe me guna, kaluan mbi telat me gjemba dhe u futën e  pushtuan llogoret e armikut, duke i vënë italianët nën grykat e zjarrit të dendur tërë natën deri në mëngjez, kur zunë të gjallë shtabin e garnizonit armik dhe italianët  ngritën flamurin e bardhë. Armiku pati humbje të rënda: 80 të vrarë, shumë të plagosur, rreth 400 robër, u vra dhe general Goti dhe u plagos rëndë koloneli i artilerisë Kavolo, i cili ra rob. Pas 8 deri 9 orë  luftimesh të rrepta Kota ra  në duart e kryengritësve. Me armët e shumta që u kapën u armatosën mirë vullnetarët, të cilët do luftonin me to për çlirimin e Vlorës. Në luftimet e ashpra për çlirimin e Kotës në fushën e betejës u vranë  shumë djem të Labërisë dhe midis tyre edhe Zigur Lelaj, komandant i çetës së fshatit të tij, Bashaj, të cilën e udhëhoqi me guxim dhe trimëri. Ai ishte një organizator dhe komandant i shquar i Luftës së Vlorës dhe mori pjesë në mbledhjen e Mesaplikut më 20 mars 1920  për ngritjen e popullit në luftë.  Në asgjësimin e garnizonit armik të Kotës, në luftën e 5 qershorit, u plagos rëndë  edhe zëvendëskomandanti i çetës së Sevasterit, Kanan Maze, i cili luftoi me trimëri të rallë  në marrjen e Kotës. Kanan Maze, i lindur në fshatin  Shkozë të krahinës së Vlorës, kishte kryer shkollë ushtarake dhe  me shpalljen e pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë kombëtare të Vlorës. Më 1913-1914  luftoi për mbrojtjen e kufijve jugorë kundër ekspansionit grek. Në vitet 1919 – 1920, u aktivizua në përgatitjen e popullit për qëndresë të armatosur kundër pushtuesve italianë dhe gjatë Luftës së Vlorës, u zgjodh zëvendëskomandant i çetës së Sevasterit. Pas Kotës kryengritësit asgjësuan garnizonin e Mavrovës, ku u kap rob shtabi italian. Pas marrjes së Mavrovës kryengrirësit iu sulën Drashovicës. Luftimet në urën e Drashovicës vazhduan 10 orë dhe Drashovica u çlirua në mbrëmjen e 5 qershorit por në tërheqje, italianët dogjën urën e Drashovicës. Në më pak se dy ditë, u çliruan me radhë Vajza, Radhima, Jonufra e Matohasanaj. Llogoraja u mor dy- tre ditë më vonë. Humbjet e armikut në këto luftime qenë 180 të vrarë, midis tyre  një gjeneral,  mbi 1000 të plagosur dhe mbi 1000 robër, midis tyre rreth 200 oficerë si dhe sasi të mëdha armatimesh. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare caktoi oficerë të karrierës ushtarake të përgatitnin dhe hartonin planin e sulmit për çlirimin e kalasë së Kaninës dhe çlirimin e marrjen e Vlorës. Mbi këto të dhëna u dha urdhëri i sulmit më 9 qershor 1920. Ndërkohë Avni Rustemi vrau në Paris më 13 qershor tradhëtarin Esat pashë Toptani, agjent i Italisë dhe një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë në qeverinë e Durrësit. Gjendja e pushtuesve italianë në Vlorë po bëhej edhe më e rëndë. Gazeta italiane  “ Picolo giornale d’Italia”  e datës 12 qershor shkruante: “Po jetojmë orë të tmerrshme. Luftimet e para të kryengritësve dëshmuan epërsinë e plotë të tyre”. Gjatë luftimeve dy- javore kryengritësit patën 25 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur, ndërsa italianët patën 200 të vrarë, mbi 1000 të plagosur dhe rreth 1500 ushtarë e oficerë robër. Dy herë në javë anijet italiane çonin të plagosurit në Itali. Para fillimit të sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës dhe qytetit të Vlorës, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare e vendosi qendrën e tij më 15 qershor tek ura e Drashovicës dhe bëri riorganizimin e çetave dhe forcave që do të sulmonin kalanë e Kaninës dhe Vlorën.

Pra, përgatitjet për çlirimin e Vlorës u bënë në Drashovicë. Më 9 qershor Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i dërgoi ultimatumin e dytë gjeneral Piançentinit për të dorëzuar Kaninën dhe Vlorën. Italianët përforcuan qëndresën në qytet dhe kërkuan ndihmë nga Roma. Italia dërgoi reparte arditësh, mes të cilëve edhe kriminelë të nxjerrë nga burgjet, të gënjyer se “do të shuanin një kryengritje të vogël barinjsh”. Po kështu Italia solli armatime të tjera, municione dhe autoblinda. Në Vlorë erdhi edhe regjimenti Italian nga Himara e reparte nga Saranda. KMK shpalli shtetrrethimin për një kohë të pacaktuar në Vlorë, Himarë dhe Tepelenë, bëri ndarjen e forcave, të cilat më 9 e 10 qershor zunë vijat e frontit. Sipas planit, forca të zgjedhura të Kuçit, Bolenës, Kallaratit, Vranishtit dhe Kaninës rrethuan kalanë e Kaninës dhe zunë vijën e anës lindore e veri-lindore, të tjera çeta zunë anën veriore dhe jugore të kalasë, të tjera çeta, si ajo e Shullërit, Smokthinës zunë kodrat e Qishbardhës e Kallafetit, me drejtim sulmi majën e Vreshtave të Mëdha. Të tjera çeta do sulmonin nga Qafa e Koçiut – Nartë. Sulmi filloi në të gdhirë të 11 qershorit në Kaninë, Babicë e Panaja. Armiku bëri zjarr të fuqishëm me mitrolozë  nga fortifikimet dhe prozhektorët e bënë natën ditë. Artileria e rëndë  qëllonte nga kalaja e Kaninës, maja e Vreshtave dhe Qafa e Koçiut. Bateritë e topave të flotës detare shtinin pa pushim nga kryqëzori i madh San Marko. Megjithë këtë zjarr të përqëndruar të armikut, lebërit i shkulën italianët nga llogoret nga maja e Vreshtave të Mëdha deri në Gropën e Derrit, duke kapur pikat zotëruese të terrenit. Disa çeta përparuan dhe u futën në thellësi të mbrojtjes italiane. Afër mëngjezit këto çeta të përparuara mbritën tek shtëpitë e para të qytetit. Selam Musai, me një grup luftëtarësh, pa pritur çetat e Kurveleshit të Sipërm, që vonuan pak, duke kapërcyer me guna pengesat me tela me gjëmba në vijat e mbrojtjes italiane në Qafën e Topit e në Vreshtat e Mëdha, arriti në Kuzbaba mbi qytet. Atje u vra Selam Musai, duke luftuar trup me trup me armiqtë në llogore. Kështu e përshkruan Abaz Luçi dhe luftëtarët  e tjerë të çetës, që luftonin përbri  dhe në krah të Selam Musait, kur ai u vra. Abazi  dëshmon se ishte  përbri Selamit kur ndodhi përleshja.

 

Vijon në numrin e nesërm…