Dr.Qemal Lame/ Rusia kërkon të rimarrë rolin parësor në Ballkan

581
Sigal

 

 

Rusia vepron me strategji të qartë për të rimarrë pozicionin si fuqi kryesore në politikën ballkanike. Për këtë arësye, ajo kujdeset për lidhjet tradicionale ndërshtetërore dhe besimin e serbëve tek rusët për mbështjejen ndaj politikës shoviniste dhe të rolit të drejtues të Serbisë në Ballkan. Këtyre qëllime i shërbejnë edhe baza ushtarake ruse në Nish, si dhe superarmatosja e ushtrisë serbe.

Këto zhvillime me një dinamikë në rritje kanë nxitur shqetësime në perëndim dhe në vendet fqinje të rajonit. Në opinionin publik po ripërtërihet situata tragjike nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta. Ndjehen natyrshëm ndryshimet që po ndodhin në politikën botërore.

Rusia është partneri strategjik i Serbisë dhe njëkohësisht me ndikim të fuqishëm politik dhe me prezencë të ndjeshme ushtarake me përmasa dominuese të ballkanit. Prezenca e shtuar e Rusisë dhe gara e armatimit në Serbi kuptohet më konkretisht me analizën e gjeopolitikës së fuqive të mëdha. Në Perëndim, ndodhën ndryshime të papritura. Presidenti i Francës në muajin tetor 2019 bllokoi hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke bllokuar në fakt politikën e dakordësuar për zgjerimin e natyrshëm të Bashkimit Evropian. Tronditje u shkaktuar edhe tek partnerët e Aleancës Atllantike, me cilësimin nga Macron për “vdekjen” e trurit të Natos. Ndërsa në Lindje, Rusia dhe Kina forcojnë më shumë aleancën midis tyre dhe rrisin ndikimin e tyre politik dhe ekonomik në Evropë, sidomos në Ballkan. Suksesi i ndërhyrjes ruse në konfliktin e gjatë në Siri, ka inkurajuar më shumë Moskën për tu bërë faktor kryesor në zgjidhjen e konflikteve dhe gjendjeve të tensionuara që shqetësojnë rajone dhe shtete të ndryshme në botë.

Ofensivën e gjeopolitikës së Rusisë e ndiejmë më të drejtpërdrejtë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht edhe në Ballkanin Perëndimor. Tërheq vëmëndjen qëllimi për të ndryshuar zhvillimet e arritjet politike dhe rikthyer vartësinë sipas modelit të ish-Bashkimit Sovjetik. Këto morën formë të plotë në samitin e parë “Rusi-Ballkan për diplomacinë popullore”, të organizuar në 12-15 nëntor në Voronezh. Sipas shtypit rus, morën pjesë Rusia, Serbia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia. Në Shqipëri nuk është bërë njoftim dhe as koment zyrtar për këtë veprimtari, kush ishte përfaqësuesi, nëse u nënshkrua dokumenti përfundimtar, etj.

Rusia bëri të qartë, së pari, propogandën mbi nivelin e rëndsinë e aktivitetit dhe gjerësisë së përfaqësimit me cilësimin zyrtar nga autoritet si “samit”. Së dyti, theksohet roli i ri i politikës së qeverisë ruse në Ballkanin Perëndimor dhe ritjes së ndikimit direkt në rajon me anë të nxitjes e mbështetjes së forcave filloruse. Së treti, orientimi i shteteve të rajonit drejt lindjen dhe largimit nga perëndimi, nga integrimi evropian dhe influenca e SHBA. Tronditja politike e shkaktuar në rajon me pengesat për integrimin evropian të shteteve kandidate, si dhe të dyshimeve për rolin e Natos, shfrytëzohet për të afruar dhe realizuar me shpejtësi alternativën e antarësimit në Aleancën Euroaziatike.

Në dokumentin përfundimtar të samitit, Rusia formuloi dhe zyrtarizojë objektivat e politikës së saj për Ballkanin, mori përsipër rolin parësor për të garantuar paqen në rajon, pozicionimin kundër perëndimit dhe në veçanti mbështetjen e gjithanshme të Serbisë pozicionimin serb në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Naton, SHBA-së dhe veçanërisht Shqipërisë e Kosovës. U kërkua ndërprerja e sanksioneve ndaj Rusisë nga vendet ballkanike që janë bashkuar me sanksionet e BE, u dënua ndërhyrja ajrore e NATO-s në vitin 1999 në Serbi, u dënua anëtarësimin në NATO i Malit të Zi dhe i Maqedonisë së Veriut dhe zgjerimin e saj në vendet e tjera të rajonit, si dhe mbështeti pretendimin shovinist të Serbisë për të rimarrë Kosovën.

Kemi të drejtë ta vlerësojmë strategjinë ruse si një kundërvënie të hapur ndaj aleancës euroatllantike dhe një veprimtari subversive ndaj bashkimit e zhvillimit të kombit shqiptar. Pretendohet rikthimi i pushtimit të Kosovës nga Serbia. Inkurajohen grupimet ultranacionaliste serbe, malazeze, maqedonase. Goditen të drejtat e liritë dhe e ardhmja e Sanxhakut, Luginës së Preshevës, Medvegjes, Maqedonisë, etj.  Këto shpjegojnë edhe deklaratën e dënuar nga bashkësia ndërkombëtare të Presidentit Aleksandër Vuçiç ndaj maskrës së Reçakut, në vend që të kërkonte falje për viktimat e genocidit serb në Kosovë, me të njejtën humanizën e përgjegjësi që dëshmoi Kanzelarja Angela Merkel në Ausviç.

 

Strategjia e Rusisë në Ballkan është përqëndruar në dy drejtime kryesore:

1.Në veprimtarinë e programuar dhe ndikimin intensiv tëinstitucioneve të specializuara ruse për të mbështetur dhe për të krijuar forca politike dhe parti politike në vendet e Ballkanit, që të priren drejt Moskës. Këto institucione do të bashkëveprojnë me  diplomacinë, shërbimet sekrete, kishën ortodokse ruse, etj., do të zgjedhin dhe  mbështesin politikanë dhe forca politike e shoqërore filoruse në Ballkan.

2.Këshilli Rus shpall avancimin drejt një objektivi më ambicioz që të arrihet krijimi i forcave dhe parti të reja politike filoruse në vendet e Ballkanit. Këto forca dhe parti të reja filoruse natyrisht do të marrin pjesë në proceset politike dhe në proceset elektorale të vendit dhe, duke patur financimin rus dhe përvojën e njohur dhe të sofistikuar të ndërhyrjes strategjike ruse në proceset zgjedhore të shteteve të tjera. Tek këto grupime të reja politike, Rusia shpreson që ato të marrin pushtetin dhe të arrihet ndryshimi i realitetit të sotëm politik në Ballkan.

 

Për herë të parë pas prishjes së marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik, Rusia shprehet zyrtarisht  për interesimin ndaj Shqipërisë dhe sqaron objektivin e krijimit dhe mbështetjes së forcave filloruse. Shqipëria vihet përsëri në qendër të veprimtarisë shtetërore, diplomatike, ushtarake të ndërhyrjes ruse. Me këtë kënvështrim shohim edhe emërimin e ambasadorit të ri rus, me njohuri e përvojë në kibernetikën ushtarake.

Lobi rus vepron e lobon lirshëm në Tiranë, sponsorizon mediat, “shoqatat jofitimprurëse”, forcat politike të majta e të djathta.  Këto kanë ndikimet e tyre potenciale në gjendjen e brendshme në Shqipëri dhe në rajon, shkaktimin e tensioneve politike dhe deri destabilizimin politik e shoqëror, si ndodhi me ish qeverinë e Gruevskit në Maqedoni.

Në sponsorizimiet ndikojnë edhe në disa aspekte të jetës politike, kulturore, akademike, mediatike dhe OJQ-ve, etj. Këtë ndërhyrje shpjegojnë edhe arësyen e orinetimit rus të disa dukurive në median, të ndonjë analisti ose portali me kritika të pajustifikuara antiamerikane, uljen e toneve apo justifikimin e ndërhyrjes ruse, tërheqien e vëmëndjes në madhështinë e Rusisë e të presidentit të gjithfuqishëm Putin, me kundërakuzat e propogandës së kohës së socializmit me rrezikun amerikano-britanik, imperialisto-revizionist, etj. Financimet dhe ndërhyrja ruse do të jenë më të ndjehsme në të ardhmen.

Rreziku i shtuar i Rusisë dhe pozicionimi i Serbisë ndaj Kosovës, shtrojnë edhe më konkretisht domosdoshmërinë e qëndrimeve të studiuara e të njesuara të Qeverisë së Shqipërisë me të Kosovës, si dhe me shqiptarët në trojet e tyre. Rikthimi i Serbisë në bisedime me Kosovën është i nevojshëm, por të reflektohet në përgjegjsinë për të kaluarën, të kërkojë falje, të heqi dorë nga ndarja e Kosovës e shkëmbimi i teritoreve shqiptare.

Zhvillimet politike po vërtetojnë se janë të drejta shqetësimet në opinonin publik dhe paralajmërimet e personaliteteve më të larta të Europës dhe të SHBA, të cilat theksuan se Franca bëri një gabim historik në tetor 2019 me veton e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe po i hap rrugën intensifikimit të ndikimit, institucionalizimit e dominimit të politikës ruse në Ballkan. Bashkimi Evropian është e domosdoshme të reflektojë dhe të përkushtohet në integrimin evropian të shteteve ballkanike si aspirata jetike për rajonin dhe vetë bashkësinë evropiane. Dominimi i Rusisë në Ballkan, shkëput përfundimisht bashkësinë nga rajoni dhe ajo vetë do të përballet me rrezikun në rritje të Rusisë dhe të Kinës.