Avokat Kujtim Cakrani: Rishkrimi i historisë nuk mund të bëhet nga ata që e falsifikojnë çdo ditë

336
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rishikimi apo rishkrimi i historisë u shfaq fuqishëm nga një lloj revanshi, si një ogur i keq në ndërgjegjen kombëtare të këtij vendi, si në një parcelë eksperimentale, ku nuk pushuan kurrë ato në shpinë të një populli. Duhet thënë, përjashtuar elitat kombëtare, se ai popull ka shërbyer si një tokë pjellore në lindjen dhe lulëzimin e lloj-lloj praktikash vrastare, ku si fryte, i ka dhënë regjimeve më famëkeqë lëndën e parë. Përpunimin e bënte vetë regjimi, duke përçarë si fillim, vrarë, shfarosur me njëri-tjetrin shqiptarët, duke i mbushur me lavde e superlativa, si “heroik” “sypatrembur”, si dhe duke u futur deri në qelizë propagandën komuniste, për “jetën e bukur socialiste” që gëzonte. Mjafton të përmendim se edhe dasmat ky popull, ishte i detyruar t’i quante “socialiste”, pa shtuar këtu dollitë e detyruara për diktatorin në sy të dasmorëve, ku më shumë se gjysma figuronin informatorë që prisnin me padurim viktimën e radhës. “Puna matet me rezultate” thotë Einstein, por kur rezultati është ky që flasim, duhet që të mos konstatojmë pasojën, por atë që e prodhoi, shkakun. Pikërisht, historia që kërkon të rishikohet, si psh. ajo e Luftës Civile, zhvilluar gjatë Luftës së Dytë në Shqipëri rishkruesëve, që u erdhi rasti i artë, po rendin ta rehabilitojnë diktatorin Enver Hoxha, në përmasa të ndryshme në gjithë periudhat e dominimit e sundimit të tij, gjatë dhe sidomos paslufte, periudha më e mbrapshtë dhe më përgjakshme e eksperimentit tipik rus, ndaj popullit të tij. Por krahasimin nuk duhet ta bëjmë me Rusinë Bolshevike, pasi edhe ndaj atij populli J.Stalini u detyrua brenda 5 vjetësh të likuidonte plot 20 milionë rusë, pra 10% të popullit të tij si kundërshtarë, fakt që tregon se edhe vendi ku u aplikua komunizmi si diktaturë, me gjithë nivelin mjaft të ulët të Perandorisë, kishte një reagim të tillë të admirueshëm. Krahasimin po e bëjmë me diktaturën naziste të A.Hitlerit, ku për hir të së vërtetës, u rrit produkti shoqëror dhe mirëqënia e popullit të tij ishte në krye të atyre evropianë, amerikanë, japonezë dhe botërorë.

Historiani P.Milo, i cili si pjesë aktive e jetës së Partisë-shtet, që bart mbi supe krimet më makabre të të gjithë shekujve të marrë së bashku, gjatë periudhës së regjimit komunist, çuditërisht është paracaktuar për të rishkruar atë periudhë të vrullshme me “objektivizëm”. Kjo shfaqet më se groteske, pra identike me fjalët e urta të popullit në shekuj “Ti varësh ujkut mëlçitë në qafë”, si t’i japësh një historiani të oborrit të Rajhut, të shkruaj për Fyhrerin dhe bëmat e tij. Por jam i sigurtë që, edhe ai do të ishte shumë më objektiv, pasi do ta kontestonin menjëherë angloamerikanët. Ndërsa në rastin e figurës së diktatorit E.Hoxha “shoku” P.Milo paraprakisht për të testuar situatën akademike, po hedh në treg të një pakice populli të mbetur në Shqipëri, e cila në një varfëri të skajshme nuk ka asnjë interes historik (bukën e përditshme falna o Zot!), figurën “emancipuese” të diktatorit, duke folur për arsimimin dhe kulturën gjatë regjimit komunist.

Po paralelizojmë ndoshta padrejtësisht në këtë pikë po me Gjermaninë e Hitlerit, ku zhvillimi arsimor dhe kulturor ishte i atillë sa, shokoi Evropën dhe SHBA-në. Ideja klasike se një popull sa më të paditur ta kesh, aq më lehtë e sundon, kishte rënë, sepse teoritë e reja në kohët dhe periudhat e evoluara kërkonin dhe metoda bindëse të sofistikuara. Kjo ishte arsyeja kyçe që çdo gjë e shkruar duhet të ishte në funksion dhe shërbim të diktaturës hitleriane, aq sa, nga këndvështrimi kulturor, në një shtet me traditë, përplasi ashpër dy figurat më me peshë të stafit hitlerian, ajo e ministrit të propagandës J.Gebëls dhe kineasten e Hitlerit L.Riefenshtal. Duhet kujtuar se L.Riefenshtal ishte pritur me nderime të mëdha në SHBA dhe vlerësuar jashtë mase në gjithë Evropën.

Po përse po përdoret pasoja, dhe jo shkaku nga P.Milo për të thënë se diktatori E. Hoxha kërkonte si shembulli hitlerian, të arsimonte popullin e vet? Shkaku nuk mund të thuhet, pasi qysh fëmijëve të sapohyrë në shkollë, “Cuca e maleve” do t’u mësonte fjalët “Partia na dha lirinë”, fakt kuptimplotë, se në kurset e analfabetizmit në një propagandë të pastër, edhe të rriturit duhet të mësonin të parin libër, atë të diktatorit, që flisnin për epërsi të socializmit ndaj kapitalizmit, dhe ditët e bardha që gëzonin me bukë misri gjithë vitin, shoqëruar me dhallë, e më fatlumët me gjizë. Trushplarja është strategji afatgjatë për diktaturat, por më e sakta, pasi ajo kujdesej për atë që kish mbjellë në mendjen e këtij populli, duke e vaditur çdo ditë me propagandë. Aty diktatori do të sajonte në mënyrë të paskrupull një pseudohistori fitimtarësh e trumfuesish, paçka se fotot e të gjithë pjesmarrjen e themelimit të Partisë Komuniste dhe atyre që kishin luftuar kundër nacionalistëve në luftën më të përgjakshme civile, zhdukeshin hap pas hapi.

Diktatori E.Hoxha nuk e përmendi kurrë themeluesin e vërtetë të Partisë Komuniste, pasi grupet shqiptare me të tillë shfaqnin mosmarrëveshje, e mori ai kreun e saj jugosllavi Miladin Popoviç, deri më 10 korrik 1943, nga ku po ai së bashku me emisarit tjetër serbin gjakatar Dushan Mugosha, e katapultuan si komandant të Shtabit të Përgjithshëm, pasi ata operonin me emra shqiptarë në terrorin ndaj tyre, i pari Ali Gostivari dhe i dyti Sali Murati. Këtë u detyrua ta shkruajë në librin “Kur lindi partia”, pasi e nxorën jugosllavët si fakt, pas demostratave kosovare të vitit 1981. Historiani i kohës së diktaturës nuk mund të justifikojë këtë fakt ogurzi me armiqtë shekullorë shqiptarë, serbët, sikur edhe ta krahasonim me pjesmarrjen në krye të ‘Nazionalsozialisten’ të A.Hitlerit, si austriak. Por këto fakte shqiptare nuk mund të anashkalohen, megjithëse revanshi i P.Milos është i tillë, sa kam përshtypjen, që me fjalë të tjera, si brendi do t’ja kalojë edhe historiografisë komuniste, shkruar nga kontributi edhe i këtij njeriu në diktaturë, që duhet juridikisht të ketë minimalisHt konflikt interesi. Me siguri ai nuk ka ndërmend të shkruajë të vërtetat që diktatori E.Hoxha vrau pa gjyq intelektualët dhe klerin, pasi duhet të rrezatonte intelekti i tij, i një të pashkolli, që shokët ja njihnin, dhe duhet të ish Zot ai, dhe jo Zoti i predikuari nga kleri. Ai nuk shkruan dot se qysh në kohën e luftës civile, direktiva jugosllave për ngritjen e grupeve terroriste me emrin “Njësite guerile” që vrisnin nacionalistë dhe patriotë, nuk e thotë dot (se e provoi) se partizanët ishin të parët që pritën pushtuesit gjermanë, nuk shprehet dot, për dhjetra qindra nacionalistë të vrarë e therur në Lushnjë e në Shipskë të Voskopojës, nuk mund të evidentojë programin e PKSH-së që ishte po sipas direktivës jugosllave, për status-quo, pa Kosovën, nuk mund t’ja zërë goja të thotë se diktatori ka nënshkruar me J.Tito bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e 7 e saj, në kuadrin e “Konfederatës Ballkanike”, nuk mund të përmendë 5 zitë e bukës me 200 gr bukë në ditë që pllakosnin sa herë shkëputej nga fuqitë komuniste (1948, 1961, 1978, 1981, 1990). Diktatori, por dhe regjimi pas tij, krahasimet i bënte me “Regjimin antipopullor të Zogut” mëse groteske, 1938 me 1988, pa përmendur se Mbretëria Shqiptare nuk hapi shkolla të larta, megjithëse i kishte profesorët, por i shkollonte në perëndim, një makth që e shoqëronte diktatorin E.Hoxha që nuk mbaroi asnjë vit atje. Të gjitha këto, pa përmendur kampet e punës së detyruar (kampet e përqëndrimit), ku A.Hitleri nëpërmjet propagandës shfaqte jetën e larmishme kulturore të hebrejve brenda tyre, pa përmendur krematoriumet, ndërsa E.Hoxha nëpër to la të vdisnin nga uria dhe kushtet, më shumë fëmijë dhe të rritur, (për frymë të popullsisë), se nëpër kampet e A.Hitlerit apo edhe “Gulag”-ët e Siberisë së J.Stalinit. Është pak sot të quhen këto kampe “Aushvici shqiptar”! Përderisa shoku P.Milo është vendosur të shkruaj këtë periudhë nga shteti komunist i përtëritur, nuk duhet të harrojë se në këto, majën e majës së aisbergut që përmenda Ndërgjegja Kombëtare, ku i rëndojnë si njolla të errëta kanceroze, nuk mund t’i mbajë më. Akademia e Shkencave Shqiptare, e uzurpuar nga pseudo-intelektualët e djeshëm të komunizmit, nuk do të mund të përbaltë përsëri kombin dhe sakrificat e elitave të tij, me periudhën më të kobshme kombëtare, duke e paraqitur atë si “periudhë, që kishte më shumë të mira”, pacipësisht, aprovuar dhe nga deputetë, promovuar direkt nga krimi i së djeshmes. Anglo-amerikanët kur K.Adenaueri ngriti partinë e qendrës së djathtë CDU, i kërkuan të mos kishte asnjë lidhje me të kaluarat naziste, jo më në program të kish ato të ‘Nazionalsozialisten’. A.Hitleri ishte i fshirë nga ligji nr.1 i paqes. Në Shqipëri po garojnë kush e kush ta promovojë diktatorin E.Hoxha dhe “të mirat” e tij. Skllavëria ndaj këtij populli nuk mund t’ju justifikojë të djeshmen kriminale me 6000 të vrarë e 4000 të zhdukur burgjeve, prandaj nuk e keni këtë luks të afroheni tek historia, të cilën e kanë bërë të tjerë, ndërsa ju vetëm e keni ndotur, por dhe lyer vazhdimisht me gjak shqiptarësh. Çdo gjë e juaja nuk ka si të lërë gjurmë, madje është fare e përkohshme. Së paku, këtë duhet ta dini! Dhe mos e harroni!