Olimpiada nis me incident diplomatik

617
Sigal

Ngatërrohet flamuri i Koresë së Veriut me Korenë e Jugut

Lojërat Olimpike kanë nisur me një incident diplomatik. Në ditën e parë të futbollit të femrave, që ka nisur përpara ceremonisë së hapjes së evenimentit më të rëndësishëm sportiv, në ndeshjen ndërmjet Koresë së Veriut dhe Kolumbisë është regjistruar një ngjarje e pazakontë. Skuadra koreano-veriore është larguar nga fusha në shenjë proteste, pasi flamuri i vendit të tyre ishte ngatërruar me flamurin e fqinjëve të tyre të urryer të Koresë së Jugut. Gafa ka ndodhur në stadiumin “Hampden Park” të Glasgout, ku po zhvillohej një prej gjashtë ndeshjeve të planifikuara të mërkurën në turneun e futbollit për femra. Një skandal i vërtetë ai që ndodhi në Skoci e që njollos “Londër 2012”. Gjithçka nisi kur në ekranin gjigand të stadiumit, lojtaret e ekipit të Koresë së Veriut, në vend të flamurit të vendit të tyre shoqëroheshin me flamurin e Koresë së Jugut. Futbollistet koreano-veriore dhe mbi të gjitha stafi teknik i ekipit dhe delegacioni i pranishëm në stadium, protestuan ashpër ndaj këtij episodi, duke pretenduar që gjithçka të riparohej, si kusht për të zbritur në fushën e lojës.

Sulmuesi barez ka humbur besimin në projektin e Milanit dhe kërkon transferimin tek zikaltërit

Cassano kërkon transferimin tek Interi

Sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, është duke e shtyrë veten drejt një transferimi tek rivalët historik, të Interit. Sipas “Gazzetta dello Sport” bëhet e ditur se Cassano ka humbur besimin në projektin e Milanit dhe nuk ndjen se ka besimin e plotë të trajnerit Massimiliano Allegri. Ai tashmë u ka thënë përfaqësuesve të tij të shqyrtojnë një mundësi të transferimit të tij te zikaltërit. Para fillimit të kampionatit evropian, Cassano paralajmëroi se ai do të rimendojë të ardhmen me kuqezinjtë nëse Zlatan Ibrahimovicc dhe Thiago Silva shiten. Ndërsa trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ata duhet ta ndryshojnë stilin e lojës pas shitjes së Zlatan Ibrahimovicc. Suedezi nënshkroi për Paris Saint-Germain javën e kaluar, duke e lënë ekipin pa lider në sulm. “Humbja e Ibras do të thotë se ne patjetër duhet ta ndryshojmë stilin, me të cilin luajmë futboll”, pohon ai. “Por klubi është i vetëdijshëm se ne ende duhet të jemi aktiv në tregun e transferimeve. Besimi dhe harmonia mbizotërojnë në dhomat e zhveshjes së Milanit pas triumfit me Schalke 04”, thekson tekniku i kuqezinjve, Allegri. “Jam shumë i kënaqur me këtë fitore. Ky është një sukses i rëndësishëm. Pas trofeut “Tim” komentet nuk ishin shumë bujare në drejtimin tonë. Gjithsesi, jam i qetë dhe skuadra ime më pëlqeu. Ky është një sukses që shërben për moralin. Skuadra jonë është gjithnjë e më shumë në rritje”, përfundoi Allegri. Ndërkohë kanë nisur lëvizjet konkrete për rikthimin e Kaka-së. Adriano Galiani foli në telefon me mikun e tij, presidentin e Realit të Madridit, Florentino Perez bisedë, ku argumenti kryesor ishte pikërisht braziliani. Misioni vijon me nisjen e agjentit të Fifas, këshilltar i merkatos që mbulon çështjet spanjolle për Milanin drejt Madridit, por që në këtë rast duke patur parasysh raportet e shkëlqyera të drejtpërdrejta mes Galianit dhe Florentino Perez do të ketë një detyrë të redutkuar në karakterin teknik të çështjes. Propozimi i parë i Milanit është i kujdesshëm, por i qartë, dhënie në huazim e futbollistit falas, me një pagë maksimale prej 5 milion eurosh në sezon për futbollistin që tani merr dhjetë milion euro dhe ka një kontratë që zgjat dhe për tre vitet e ardhshëm. Nuk duhet anashkaluar një detaj i rëndësishëm, Galiani dhe Florentino Perez do të takohen në Nju Jork, ku në 8 gusht luhet miqësorja Milan – Real Madrid, një rast i artë për një takim kokë më kokë, ku mund të zgjidhet përfundimisht çështja e Kaka.

 Juventus largon dyshen Matri-Quagliarela

Gjiganti italian, Juventus duket se do të bëjë revolucion në sulmin e saj, pasi pritet të largohen dy sulmues nga kampi bardh e zi. Sipas “Tuttosport”, klubi po mendon largimin e Fabio Quagliarelas që pëlqehet nga Interi dhe po mendohet një shkëmbim i mundshëm me Gianpaolo Pazzinin dhe sulmuesit të dytë, Alessandro Matri që po kërkohet nga Milani. Mësohet se ky operacion mundë të ndodhë vetëm pas 11 Gushtit, atëherë kur Juventus luan superkupën e Italisë ndaj Napolit. Ndryshe këtë dyshe bianconerët po mendojnë ta zëvendësojnë me Pazzinin dhe më njërin nga top-sulmuesit, van Persie apo Jovetic.

Barcelona: Messi rinis stërvitjen

Lajme pozitive për Vilanovan, Lionel Messi rinis stërvitjen individuale pas dëmtimit. Ylli argjentinas zbriti në fushën stërvitore të katalanasve pas mungesës në miqësoren me Hamburgun, duke dhënë sinjale se mund të zbresë në fushë për Superkupën e Katalonjës në 31 Korrik ndaj Espanyolit. 25-vjeçari që i kushtoi klubit 400.000 euro për mungesën në Hamburg, nuk e ka zhvilluar të plotë fazën përgatitore. Ndërkohë, kapiteni Carles Puyol është bashkuar me grupin pas dëmtimit që e mbajti për disa muaj jashtë fushave, duke humbur edhe Euro 2012 me Spanjën.

 Oscar nënshkruan për Çelsin

Klubi anglez, Çelsi, ka kompletuar transferimin e mesfushorit Oscar nga Internacionali. Blutë nuk e kanë bërë publike shumën e transferimit, por besohet të jetë rreth 20-25 milionë strërlina. Po ashtu, nuk është bërë e ditur as kohëzgjatja e kontratës, të cilën e ka nënshkruar braziliani. “Nëse shkoj te Chelsea do të ishte një realizim ëndrre. Ata janë një nga skuadrat më të mira në Evropë”, pati deklaruar më herët 20-vjeçari.