NOTI SHQIPTAR/ Në fundjavë u mbyllën garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve ku nuk munguan rekordet. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Ky kampionat mbetet për t’u veçuar në pjesëmarrje dhe organizim

“Kampionin e Fëmijëve e mendoj si nisje për një rrugëtim të bukur, siç është vetë sporti i notit. Por edhe të vështirë për një sezon rekordmenësh në çdo garë”

Nga Agron KAJA

Agron Kaja

Me garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve në pishinën 25 m startuan veprimtaritë e viti 2026, si e përshkruani?

Sigal

Unë mund të them se fillimi i garave me fëmijët ishte një nisje e bukur. Në pjesëmarrje dhe në organizim ishte shumë mirë. Ata që garuan janë e ardhmja e jetës dhe e ardhmja e notit në vëndin tonë. Një fillim i mirë, por kërkon më shumë seriozitet.

Masat e marra nga FSHN-ja në këtë kampionat, ishin edhe këto pjesë e arritjeve në këtë kampionat?

Patjetër që po. Është bërë traditë në sportin e Notit që, masat paraprake të jenë të plota dhe në funksion të ritmikës së zhvillimit të çdo eventi. Këtë herë edhe gjyqtaria ka qënë më serioze dhe korrekte. Kësisoj, kampionati u zhvillua në normalitet të plotë.

Ku dalloi më shumë ky kampionat i Fëmijëve: Në cilësi, rezultate, apo në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Unë më sipër u shpreha se pjesëmarrja dhe organizimi ishin mirë dhe në këta tregues, ky kampionat mbetet për t’u veçuar. Çdo rezultat i lartë, çdo rekord kombëtar i thyer, tregoi se ishin bërë përgatitje serioze nga trajnerët dhe nga notarët.

Pjesmarrja në këtë kampionat ishte e lartë sikundër në vitin e kaluar, çfarë tregon kjo për ju?

Në këtë kampionat pjesëmarrja ishte e mirë, me garues e trajnerë nga qytete të Shqipërisë. Ata ishin të inkuadruar në 10 ekipe me 140 notarë fëmijë në tre Kategori, Meshkuj e Femra: A, B, C. Pjesëmarrja ishte e qëndrueshme.

Ju si President i FSHN-së, cilin nga ekipet do ta veçoni në këtë start të vitit që e nisët në fundjavën e shkuar?

Duke ju referuar ritmikës së garave, ekipi më i mirë u veçua me rezultatet që arriti. Mendoj se “Te Stela” e meritoi trofeun e këtij kampionati, por edhe skuadrat e tjera ishin garuese të denja dhe me rezultate në rritje.

Në pozicionin e Presidentit, cila është nota që ju do ta vlerësonit këtë kampionat të fëmijëve?

Unë do thoja se në të tilla evente, më shumë vlerë ka vlerësimi teknik që e bëjnë specialistët. Por unë si një ish-notar dhe aktualisht President i FSHN-së, këtë kampionat e vlerësoj me notën 8, me shumë meritë dhe pa asnjë rezervë.

Cili është mesazhi juaj për trajnerët e notarët, tashmë për veprimtaritë që do të zhvillohen gjatë vitit 2026?

Të gjithë të përgatiten ritmikisht para çdo gare. Trajnerët duhet të përsosin metodikat e tyre të trajningut me çdo grupmoshë. Pjesëmarrje dhe rezultate të larta, në këta dy tregues do t’u sugjeroja përmirësimin notarëve dhe trajnerëve të tyre.

Si e parashikoni rrugëtimin që ju do kryeni gjatë këtij viti sportiv 2026?

Natyrshëm që e mendoj një rrugëtim të bukur, sepse vetë sporti i notit është i tillë. Por e mendoj edhe të vështirë, sepse pa ato nuk vjen progresi. Nëse i referohem startit që mbyllëm të dielën, e mendoj një rrugëtim rekordmenësh në çdo stinë garimi.

 

REKORDET KOMBËTARE

#Giada Campanile (Alb)

100 m Shpinë Femra

Koha 1’08”22

 

#Giada Campanile (Alb)

50 m Shpinë Femra

Koha 32”07

 

#Stafetë 4X100 m Mix

Femra Kat A-Te Stela

Koha 04’29”87

MË TË MIRËT

Ekipet

Ekipi Te Stela-Femra

Me 589 pikë

Ekipi Te Stela Meshkuj

Me 600 pikë

Individët

Kategoria A

M/ Deni Karanxha (Stela)

Me 808 pikë

F/ Evie Asllani (Te Stela)

Me 800 pikë

Kategoria B

M/ Joel Golemi (Vllaznia)

Me 576 pikë

F/ Giada Champanile (Alb)

Me 998 pikë

Kategoria C

M/ Mateo Perloshi (Partizani)

Me 277 pikë

F/ Frederika Rotani (Vllaznia)

Me 376 pikë

Trajneri Arian Fetishaj: Giada, vlerë për notin tonë

Trajneri i Tiranës Arian Fetishaj ishte i pranishëm në garat e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve, ku tregoi vlerësim për notaren Giada Campanile. “Giada erdhi për garim me SK Tirana, e cila është e binjakëzuar me Aurelio Nuoto, Romë. Ajo tregoi se në vazhdimësi do jetë një potencial për notin shqiptar. Në të dy rekordet që theu, njëri nga viti 2017, ajo tregoi nivel të lartë garimi. Këtë herë garoi për moshën 12 vjeç, por shpërthimi i saj do jetë më evident në garat e tjera”.

Giada Campanile, italo-shqiptarja rekordmene e kampionatit

Kushdo që e mëson emrin e notare 12 vjeçare Giada Campanile, ndoshta edhe habitet pse garon në Shqipëri dhe jo në Itali ku jeton. Por ajo e ka nënën shqiptare nga një fis me emër në notin shqiptar, “Gjebrea”, me përfaqësuesin dinjitoz “Peshkaqenin” Ilir Gjebrea. Dhe mesa duket, këtë kërkojnë familjarët e saj këtu në Shqipëri. Pas thyerjes së 2 rekordeve kombëtare, njërin të vitit 2017, që mbahej nga Mirela Sula, vetë Giada u shpreh se, përgatitjet e saj i dhanë suksesin gjatë garave. “Unë isha përgatitur për të dhënë këto rezultate, madje mund të thyeja edhe ndonjë rekord tjetër. Niveli im i garimit e shoh se do më çojë në rezultate më të larta, por që asnjëherë nuk do t’i ndal këtu përgatitjet e mia. Do jem prezente në çdo aktivitet që Noti shqiptar do të organizojë, sepse e ndjej që veç anës sportive, më tërheq edhe mikëpritja e respekti që tregojnë për mua”.

 

FITUESIT/ Ekipi “Te Stela” përsëriti kampionatin e kaluar, trajneri Sadik Mema kërkon vazhdimësi: Ishim të përgatitur për suksesin, kemi traditë kampionësh

Gjatë dy ditëve të garave në Kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijë, trajneri i ekipit “Te Stela”, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, thuajse i “shpërfilli” stolat e qëndrimit në pishinë. Ritmika e garave, por edhe fluksi i lëvizjeve te fëmijët që kërkonin spjegim e drejtim, e “mbytën” Pupin, sepse në çdo garë ai shikonte pasqyrën e punës së tij. Për gazetën “Telegraf”, trajneri Mema tregoi për pjesëmarrjen e notarëve që ai përgatit në Akademinë e Notit “Te Stela”. “Gjatë kampionatit ju shikuat shumë fëmijë rreth meje, por do t’u thoja se duhet të ishin më shumë se ata. Sepse prisja 65 fëmijë në garë, ndërsa garuan 60. Garuam në të gjitha garat, ku notarët tanë dolën të gjithë kampionë, përjashtuar dy-tre gara që u fituan nga notarët e ekipeve të tjera. Këto rezultate e tregojnë përkushtimin e notarëve në garë, por ato vijnë edhe si një shpërblim për trajningun në ekipet e fëmijëve këtu në “Te Stela”. Duke qënë se notarët dhe notaret që Mjeshtri i Madh Sadik Mema përgatit, fituan shumë gara, përmirësuan disa kohë dhe thyen vetëm një rekord kombëtar në 4X100 m; Miks për Meshkuj, ai e konsideron këtë tregues për t’u respektuar. “Sepse të fitosh tituj kampionë në djem dhe vajza, njëherësh edhe të thyesh një rekord, këtu kemi tregues pozitivë tek fëmijët që ne i përgatitëm dhe i angazhuam në garat e këtij kampionati. Kjo është një punë e vazhduar së bashku me trajnerin Eduart Cane, i cili po tregon vlera në trajningun e tij. Gjatë kësaj periudhe dimërore, notarët tanë kishin thyer disa rekorde kombëtare në veprimtaritë ndërkombëtare, dhe diferencat me ndjekësit e tregojnë cilësinë”. Por Sadik Mema ka edhe një premtim për vazhdimësinë e garave në këtë vit sportiv. “Një pjesë e këtyre notarëve dhe notareve që garuan në këtë kampionat, do të marrin pjesë edhe në Kampionatin Kombëtar për të Rritur që do të zhvillohet në fundin e muajit prill. Atje do të kemi shumë përmirësim në rezultate, si dhe me kohë të përmirësuara e rekorde të thyera. AN “Te Stela” i ka të gjitha kapacitetet të jetë e tillë”, kështu e mbylli bisedën e tij trajneri i ekipit “Te Stela”, Mjeshtri i Madh Sadik Mema.

Ekipet që garuan me 130 notarë M+F

Te Stela (27F+33M), Teuta (4F+8M), Vllaznia (7F+6M), Partizani (7F+13M), Skampis (7F+5M), Flamurtari (1F+8M), Vlora Not (3M), SHSU, Vala Sëimming (2M)

1 TROFEU

Për notarët Fëmijë të AN “Te Stela”, fitorja në Kampionat ishte trofeu i parë për vitin sportiv 2026.

2 TRADITA

Nisur që nga viti 2013, notarët e AN “Te Stela” janë fitues në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve.

Në të gjitha kategoritë, Vllaznia me kampionë

Në Kampionatin Kombëtar të Notit për Fëmijët, ekipi i Vllaznisë u përfaqësua me 13 notarë, dhe mes tyre katër dolën kampionë. Për këtë sukses, pas garave, trajneri pasionant Kolë Shiroka u shpreh se këta fëmijë që po përgatiënt sot, do të jenë një e ardhme e mirë për ngjyrat e notit shkodran. “Numri 13 i notarëve të Vllaznisë në këtë Kampionat Kombëtar të Fëmijëve (7F+6M), mendoj se tregon interesin e përkushtimin e kësaj moshe për notin. Sepse janë shumë, dhe këtu në kampionat u përfaqësuam me seleksionin më të mirë. Mes tyre, Joel Golemi dhe Frederika Rotani u shpallën kampionë në kategoritë që garuan. Vllaznia konkurroi me kampionë, dhe kjo mendoj se tregon vazhdimësinë e zinxhirit të kampionëve shkodranë në notin shqiptar”, kështu e përshkruan trajneri Kolë Shiroka, suksesin e notarëve të Vllaznisë që ai i trajnon..

Skampis, me notarë që garuan dinjitozë dhe si kampionë

Gjatë zhvillimit të garave të Kampionatit Kombëtar për Fëmijë, trajneri i ekipit Skampis nga Elbasani, Andi Kongoli, tregoi se të 12 notarët që garuan, treguan rritje në rezultatet e tyre. “Këtu në këtë kampionat u paraqitëm me 12 notarë (7F+5M), me përgatitje që nuk ishin modeste për vetë kushtet e infrastrukturës. Sepse tre nga notarët tanë treguan nivel kampioni, ku do veçoja Joan Kacollen në stilin Bretkocë dhe në Katërnotim, Aishe Thanon në stilin Shpinë dhe në Katërnotim, si edhe Ajlin Tallollin në stilet Shpinë dhe Katërnotim. Angazhimi i lartë i të gjithë notarëve të Skampis, më jep shpresë se ky brez do ta zgjojë realisht traditën e notit në Elbasan”.