Not/Paraqitje e shkëlqyer e notarëve të rinjë shqiptarë në Izrael. Flasin Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Mes 600 notarëve nga 100 shtete të botës, notarët tanë mbajtën premtimin si rekordmenë.Trajneri i ekipit Kombëtar Arjan Fetishi: Krenarë që ishim në Botëror!

70
  • Kampionati Botëror &Maratona
  • Not/Paraqitje e shkëlqyer e notarëve të rinjë shqiptarë në Izrael. Flasin Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Mes 600 notarëve nga 100 shtete të botës, notarët tanë mbajtën premtimin si rekordmenë.Trajneri i ekipit Kombëtar Arjan Fetishi: Krenarë që ishim në Botëror!
  • Kupa “Idriz Muço” në Sarandë
  • Sadik Mema, kreu i Shoqatës së Veteranëve të Notit : Mbi 100 pjesëmarrës nga të gjitha moshat zhvilluan Maratonën Kombëtare të Notit.   
  • Presidenti Agim Çiraku: FSHN-ja ishte Non-stop në gjithçka që e përfshiu këtë veprimtari, Kryebashkiaku, Oltion Çaçi, KSHS “Butrinti” me Fuat Karralliun dhe shoqata e Veteranëve, me organizimin fantastik
Sigal

NOT. KAMPIONATI BOTËROR&MARATONA/ Të Rinjtë shqiptarë paraqitje të mirë në Izrael. Flasin Presidenti i FSHN-së, trajneri i Kombëtares e trajneri “Te Stela”

Agim Çiraku: Notarët e mbajtën premtimin si rekordmenë

Pas përfundimit të garave në Kampionatin Botëror të Notit për të Rinj, njëherësh edhe si pjesëmarrës në Maratonën e Notit që u zhvillua dje në bregdetin e Sarandës, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku ka shprehur vlerësime e falenderime për garuesit. Për gazetën “Telegraf”, ai theksoi se parashikimi i tij për Botërorin nuk ishte euforik, dhe premtimi që notarët i bënë Ministres së Arsimit, Evis Kushi dhe Presidentit të FSHN-së, Agim Çiraku, e mbajtën. Për Maratonën Zoti Çiraku shprehu respekt për garuesit. “E kisha theksuar se: Kampionati Botëror ishte një event ku Shqipëria u përfaqësua me katër notarë ekselentë dhe si ish-Ministrja Kushi dhe unë ishim besimplotë te premtimi i notarëve se do kishim rezultate të larta dhe se rekordet kombëtare nuk do na mungonin. Kështu ndodhi, dhe unë falenderoj të gjithë notarët e trajnerin Arjan Fetishi. Ndërsa Maratona e djeshme në Sarandë sikur i vendosi “vulën” e bukurisë kësaj fundjave në det, duke na dhuruar emocione e kënaqësi në këto ditë vjeshte me mot pranveror. Urime dhe suksese Notit Shqiptar”.

Trajneri Fetishi optimist: Krenarë që ishim në Botëror!

Agron Kaja

Nga Izraeli në Shqipëri, si u rikthye Kombëtarja e Notit nga Kampionati Botëror?

E them me krenari dhe respekt, se notarët shqiptarë, që garuan në Kampionatin Botëror në Izrael, treguan nivel të lartë garimi. Në të gjitha garat që ata morën pjesë, përmirësuan kohët, por edhe thyen rekorde kombëtare.

Vetëm me katër notarë, mos ishte ky një numur i kufizuar, apo kishte kushte në pjesëmarrje?

Katër notarët shqiptarë: Gresi Koxhaku, Julia Xhako, Endi Kola dhe Kaltra Meça, u përzgjodhën të përfaqësonin Shqipërinë në këtë Botëror, pas rezultateve që kishin arritur në garat e zhvilluara, duke kapur edhe normat e pjesëmarrjes.

Në nisje deklaruat edhe për rekorde kombëtare, cili është përfundimi i tyre?

Po, rekordet Kombëtare në këtë Kampionat Botëror kanë emrin e notarit të Tiranës, Greisi Koxhaku. Ai u tregua shumë këmbëngulës në të gjitha garat që zhvilloi, dhe në katër prej tyre theu edhe Rekordet Kombëtare. Sukses i merituar.

E arriti synimin ky notar për të hyrë në TopListën e 16 notarët më të mirë?

Jo, dhe na erdhi shumë keq, sepse për të qintat e sekondës Greisi Koxhaku nuk u rendit në 16 notarët më të mirë të Botërorit. Unë mendoj se, duke qenë hera e parë e tij që merr pjesë në një event të tillë, nuk e mundësoi objektivin madhor.

Po rezultatet e notarëve të tjerë, çfarë treguan në këtë Kampionat Botëror?

Julia Xhako ishte notarja më e vogël, 14 vjeç, dhe u shpall notarja më e mirë në kategorinë e saj. Endi Kola, me paraqitjen dinjitoze konfirmoi rezultatet e tij të larta, ndërsa Kaltra Meça tregoi se është nga notaret më të mira në Shqipëri për vitin 2023.

Për ju si trajner i këtij ekipi kombëtar, cili është përfundimi i pjesëmarrjes në këtë Kampionat Botëror?

Unë nuk mund ta mohoj se ndjehem krenar që isha pjesë e këtij Botërori, si trajner i Kombëtares shqiptare. Për katër notarët tanë, ky Botëror vlerësohet me nota pozitive, ndërsa unë e quaj si aktivitetin më të sukseshëm të Kombëtares shqiptare për vitin 2023.

Si e shikoni perspektivën për pjesëmarrjen e notarëve shqiptarë në evente të këtyre përmasave?

Rezultatet që u arritën në këtë Kampionat Botëror nga katër notarët tanë, na bëjnë optimistë për të vazhduar trajnimin e tyre në vazhdimësi. Marrja pjesë prej tyre, edhe të tjerë, në të tilla evente, do jenë një perspektivë e mirë për notin shqiptar.

Ndjehem krenar që isha pjesë e këtij Botërori, si trajner i Kombëtares shqiptare. Për katër notarët tanë, ky Botëror vlerësohet me nota pozitive, ndërsa unë e quaj si aktivitetin më të suksesshëm të Kombëtares shqiptare për vitin 2023.

PJESËMARRËSIT

 

600 notarë nga 100 shtete të Botës, Meshkuj e Femra, garuan në 6 ditë në pishinën Olimpike të qytetit Neanya të Izraelit. Shqipëria u përfaqësua me 4 notarë, 2 Meshkuj dhe 2 Femra

Rezultatet në botëror

GREISI KOXHAKU

Garat

100 m shpinë (RK)59.19

50 m shpinë (RK) 26.98

50m stil i lirë        23.85

100m stil i lirë      52.76

50m flutur            25.59

100m flutur (RK)  57.07

JULIA XHAKO

Garat

50m shpinë          33.21

50m bretkosë       36.66

50m stil i lirë        28.59

100m stil i lirë      1.02.63

50m flutur            30.51

ENDI KOLA

Garat

50m flutur            27.25

100m flutur                    59.89

100m stil i lirë      56.84

200m flutur                    2.15.09

KALTRA MEÇA

Garat

400m stil i lirë      4.36.61

200m stil i lirë      1.15.04

800m stil i lirë   (U tërhoq)

Zhvilloi vetëm dy gara.

Maratona Kombëtare &Kupa “Idriz Muço”, mblodhën në qytetin bregdetar garues nga e gjithë Shqipëria.

Në Sarandë, të rinj e veteranë  “trazojnë” detin si në pranverë

Agron Kaja

Të dielën paradite, Deti Jon në gjirin e Sarandës gumëzhiu nga dy veprimtari të notit. Notarë veteranë dhe të rinj në moshë, garuan dje në Maratonën Kombëtare të Notit, tashmë të përvitshme në këtë qytet bregdetar, si dhe në Kupën “Idriz Muço”, kushtuar personalitetit të notit shqiptar që sot nuk jeton. Më shumë se sa garat, gjithçka e organizuar mirë e bukur dhe e zhvilluar me korrektesë e bukuri, ju dha mundësi garuesve nga të gjitha moshat që të tregonin vlerësimin e seriozitetin e tyre në këtë veprimtari. Sipas Sadik Memës, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit Shqiptar, në këtë maratonë garuan mbi 100 pjesëmarrës nga të gjitha moshat, të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. “Në garën e notarëve që u fituan nga Ebiliano Kuna i Teutës për meshkuj, dhe nga Arla Dermishi e “Te Stela” për femra, garuan rreth 60 pjesëmarrës nga Vlora, Saranda, Partizani, Te Stela, Teuta dhe Shkodra. Edhe pse një garë në dukje miqësore, rivaliteti i të gjithë garuesve i dha bukurinë, ndërkohë që qindra qytetarë sarandiotë e të tjerë, e shijuan me përkrahjen që ju bënë notarëve. Ndërsa në garën e vetaranëve ku në ujë ishin mbi 40 vetë, nga Pogradeci, Tirana, Elbasani, Durrësi, Lezha, Shkodra, Lushnja, Vlora, Elbasani dhe Saranda, spikatën Andi Kongoli i Elbasanit dhe Vladimir Mato i Pogradecit për meshkuj, ndërkohë që për femra fituese ishin Anxhela Kullapi e “Te Stela” në 2 km, si dhe veterania sarandiote e notit shqiptar Anthulla Ekonomidhi, në distancën 1 km. Në këtë maratonë garoi edhe 80 vjeçari nga Tirana, Sulejman Poda”. Por veç garave, organizatorët e Maratonës: Federata Shqiptare e Notit, ku Presidenti Agim Çiraku ishte Non-stop në gjithçka që e përfshiu këtë veprimtari, Bashkia Sarandë me kryetarin e saj Oltion Çaçi dhe Klubi Shumësportësh “Butrinti” me sekretar Fuat Karralliun e  Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit në Shqipëri, me mirëorganizimin e tyre e kthyen paraditen e djeshme në një festë të vërtetë sportive në Gjirin e Sarandës. Dhe tradita në këtë garë festive u mbyll me dhënien e Kupave, Medaljeve  e Trofeve për fituesit e pjesëmarrësit, por më e veçantë ishte dhënia e 10 librave të autorit Xhorxhi Vasili “Mozaik Noti në Sarandë”. Një e dielë vjeshte e cila e solli pranverën në Gjirin e detit në qytetin e Sarandës.

FSHN-ja, ku Presidenti Agim Çiraku ishte Non-stop në gjithçka që e përfshiu këtë veprimtari, Kryetari Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, KSHS “Butrinti” me sekretar Fuat Karralliun dhe SHKVN në Shqipëri, me mirëorganizimin e tyre, e kthyen paraditen e djeshme në një festë sportive në Gjirin e Sarandës

 

FITUESIT E MARATONËS

 

NOTARËT

Arla Dermishi F   “Te Stela”

Ebiliano Kuna M  Teuta

 

VETERANËT

Distanca 2 km

Anxhela Kullapi F         “Te Stela”

Andi Kongoli M   Elbasani

Distanca 1 km

Anthulla Ekonomidhi F Butrinti

Vladimir Mato M Pogradeci

HISTORIA E BOTËRORIT

Garat e Kampionatit Botëror të Notit për të Rinj, kanë nisur që nga viti 2006, të cilat janë zhvilluar në Rio de Zhaneiro të Brazilit. Dy vite më pas, në 2008-ën, ky event botëror është zhvilluar në Monterrey të Meksikës. Në vitin 2011 u zhvillua në Lima të Perusë dhe tre vite më pas, 2013, ky botëror u zhvillua në Dubai. Në vitin 2015 në Singapor, për të shkuar në Indianapolis të SHBA-ve në vitin 2017. Në Europë u kthye në vitin 2019, në Budapest të Hungarisë, ndërkohë që Botërori më i fundit i Notit për të Rinj u zhvillua në Lima të Perusë, në vitin 2022. Ky ishte Kampionati i 9-të Botëror për të Rinj në të cilin Shqipëria mori pjesë me katër notarë: Greisi Koxhaku, Julia Xhako, Endi Kola dhe Kaltra Meça.

Greisi Koxhaku, rekordmeni shqiptar në Izrael

Agron Kaja

Në harkun kohor midis datave 4 dhe 9 shtator 2023, në pishinën Olimpike “Vignate Institute” të qytetit Natanya në Izrael, u zhvilluan garat e Kampionatit Botëror të Notit për të Rinj dhe të Reja. Në këtë event botëror ku morrën pjesë 600 notarë nga 100 federata sportive kombëtare, edhe Shqipëria u përfaqësua me katër notarë, dy meshkuj dhe dy femra. Për gjashtë ditë me radhë, në emocionet e këtij eventi u përfshinë edhe notarët tanë që përbënë ekipin Kombëtar të 19 vjeçarëve: Greisi Koxhaku, Julia Xhako, Endi Kola dhe Kaltra Meça, të cilët me performancën që treguan dhe rezultatet të cilat i arritën, treguan se niveli i notit shqiptar ka tregues në rritje. Madje duhet thënë se, notari Greisi Koxhaku që në Shqipëri garon për SK Tirana, thyeu edhe katër rekorde kombëtare për të rinj e të rritur, duke përmirësuar disa kohë me rezultate të larta. Ndërkohë që, me të qintat e sekondës ai ishte larg renditjes në TopListë “16 më të mirët” e këtij eventi. Edhe paraqitja e Julia Xhakos të SK Tirana tregoi se ishte notarja më e mirë në kategorinë e saj.

Për gjashtë ditë me radhë, në emocionet e këtij eventi u përfshinë edhe notarët tanë që përbënë ekipin Kombëtar të 19 vjeçarëve. Me performancën dhe rezultatet që arritën, ata treguan se niveli i notit shqiptar ka tregues në rritje

Ajo është vetëm 14 vjeç, notarja me moshën më të vogël në këtë event, që gjithsesi e konfirmoi veten shumë mirë në bateritë e saj në pesë displinat në të cilat garoi. Duke qenë pjesëmarrja e parë e saj në një Kampionat Botëror, rezultatet që arriti vlerësohen nga trajneri Arjan Fetishi si shumë të larta, duke e quajtur Julian si një notare me perspektivë në notin shqiptar. Ndërkohë që edhe notari i Akademisë së Notit “Te Stela”, Endi Kola, bëri paraqitje dinjitoze në katër garat që zhvilloi në këtë botëror. Me kohët që arriti në këto gara, Kola tregoi se mbetet një ndër notarët e rinj më të mirë në notin shqiptar, sepse ai mendohet se ka më shumë potencial për të dhënë. Notarja tjetër e Akademisë së Notit “Te Stela”, Kaltra Meça u rikthye në formën e saj më të mirë në këto gara, duke përmirësuar kohën e 400 m stil I lirë me 6 sekonda më mirë. Sikundër Koxhaku, edhe Meça tregoi në këtë Kampionat Botëror se është njëra nga notarët shqiptare më të mira për të Reja e të Rritura për vitin 202. Nisur nga synimet që kishte ekipi ynë Kombëtar në këtë Botëror të Notit për të Rinj, nga FSHN-ja vlerësohet me nota pozitive, madje si më i sukseshmi për vitin 2023. Dhe me gjithçka të arriur nga notarët tanë, Greisi Koxhaku mbeti rekordmeni shqiptar në Izrael.