Në partiturën e Qeverisë “Rama 2”, sporti nën sqetullën e “djersitur” të Arsimit

563
Nga Agron KAJA
OPINION/ Nga Asambleja e partisë së tij, Kryeministri deklaroi se për mandatin në vazhdim, nuk ka derë për një Ministri Sporti!
Dje, më 27 gusht 2017, u publikua qeveria e re, të cilën Kryeministri Edi Rama do ta drejtojë zyrtarisht për një mandat katër vjeçar. Edhe pse u gjend një forum partiak për të prezantuar qeverinë që do të drejtojë gjithë shqiptarët me përkatësi të tjera partiake, apo edhe pa parti, çdo shqiptar do të urojë që, çdo qeveri të bëjë më të mirën për të, të risë pagat e pensionet, të ketë punësim dhe shëndetësi reale (pa check-up-e). Por, duke e parë me syrin sportiv këtë qeveri që na u prezantua dje në Asamblenë e PS-së, dallohet se ky kryeministër ish-basketbollist, as nuk e ka në konsideratë sportin, për ta ndarë atë në dikaster më vete. Kujtoj se, në mandatin e tij të parë, Rama premtoi shumë gjëra, dhe thuajse asnjë nuk e realizoi, njëherësh premtoi edhe për Ministrinë e Sporteve, por duket se do ti duhet mandati i tretë apo i katërt, kur ai të kapë moshën e pensionit, që të ketë një fushë basketbolli te dera e zyrës së pensioneve! Jo për ta përfolur qeverinë e kaluar, sepse ajo e mbylli mandatin e parë, dhe në të tilla raste ia ka lënë “targën” çdo shqiptari që kërkon ta kritikojë për ato që nuk janë bërë mirë, dhe ato që nuk u bënë fare në atë mandat, sepse fitoi e vetme në mandatin e ri më 25 qershor, por për të thënë atë që u pa dhe u bë. Që do të thotë se, shoqërisë shqiptare, sikundër edhe po ekziston në këtë sistem që nuk është i brishtë, por i pamëshirshëm për shtresat në nevojë, sporti i ka dalë në krah, si në aspektin shoqëror, ashtu edhe në atë financiar. Ka shumë sportistë e sportiste, trajnerë dhe trajnere, drejtues të klubeve sportive, të cilët me të ardhurat nga sporti mbajnë familjet e tyre dhe ndërtojnë jetesën e egër në Shqipëri. E mandej, ky sporti e ka treguar veten se e meriton ministrinë e tij, jo vetëm në peshëngritje, në futboll, në atletikë e në sporte të tjera, ku edhe është përfaqësuar me dinjitet. Por, nuk ka derën e tij ku të trokasë, sepse duhet të kalojë në një ose dy paradhoma, të cilat më shumë janë të mbushura me militantë, që në sport kanë shkuar vetëm kur i ka “detyruar” elektorati. Gjithsesi, prapë nuk “ndahem” nga ai i “gjati” i qeverisë, i cili thotë se ka qenë basketbollist, thotë se e njeh sportin në përgjithësi, por nuk e respekton atë, ta “strehojë” në “shtëpinë e tij” (Ministrinë e Sporteve). Kësisoj, ai nuk ka respektuar vetveten, dhe, nëse gjen justifikime kundër, e sfidon haptazi Ligji i ri për Sportin, i cili u miratua në limitin e Legjislaturës së kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Sporti me këtë lloj trajtimi zyrtar që po i bëhet, mbetet nën sqetullat e bashkiakëve, e kështu mbetet nën sqetullën e Kryeministrit, një ndëshkim ky që progresi në Shqipëri nuk ka për ta pranuar. Këto ditë, para Asamblesë së djeshme të PS-së, ishim në pritje të Qeverisë “Rama 2”, por kur dje u pa se “grepi” i tij nuk e “peshkoi” Ministrinë e Sportit, por më keq i futi me Arsimin e Rininë, realisht ne po i themi të fala Kombëtares së futbollit, po i themi peshëngritësve dhe atletëve kampionë Evrope, e gjithë të tjerëve që merren me sport. Po i mbajmë me “frena dore” edhe ata që nëpërmjet sportit kanë ndërtuar jetesën e tyre, se: ky Kryeministër, po nuk bëri një pedonale, dhe një aeroport edhe në Malin e Dajtit, pse jo edhe në Malin me Gropa, për sportin nuk ia ndjen fare! Ky është mendim personal që vjen menjëherë pas “Rama 2”, dhe kushdo që lidhet me këtë fakt e nuk do të protestojë, atëherë le të largohet vetë nga sporti, pa i nxjerrë ai në “knock-daun”. Mos e beso po deshe…!!!!
Sigal