KATEGORIA E PARË/ Ish-futbollisti e trajneri i Besës, Ndriçim Kashami, analizon 66 ndeshjet e luajtura.
Agron KAJA

Ndeshjet e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë sikur e “shkundën” përgjumjen dy javore pa ndeshje kampionati, edhe pse skuadrat nuk i ndalën përgatitjet, ndeshjet e kontrrollit apo edhe ato miqësore. Këtë fundjavë, Kategoria e Parë do të nisë rrugëtimin e fazës së dytë, teksa në të parën u luajtën 66 ndeshje në 11 javë. Por si i analizon këto ndeshje të fazës së parë ish-futbollisti e trajneri kavajas Ndriçim Kashami? Për gazetën “Telegraf”, ai u shpreh se është duke u luajtur një kampionat i paparashikueshëm në rezultate. “Realisht, në fazën e parë pretendentë kanë qënë Skënderbeu. Laçi e Pogradeci, por së bashku me to brënda ka patur rivalitet dhe oshilacione nga skuadrat që kërkonin ngjitjen në renditje. Kështu kanë qënë ndeshjet edhe për skuadrat që pozicionohen në mesin e fundin e renditjes, duke treguar se ky ka qënë një kampionat i pa parashikueshëm në rezultate. Besa e nisi jashtë pritshmërive, por me ndeshjet e fundit ka treguar përmirësim të dukshëm dhe të pritshëm, edhe pse ka pak problem me golin”, kështu e nisi dje bisedën specialisti i futbollit Ndriçim Kashami, i cili mendon se në renditje, skuadrat janë në pozicione përsa kanë dhënë në fushën e lojës. “Të gjitha skuadrat janë në renditje për aq sa kanë dhënë në 11 ndeshjet e fazës së parë. Pozicionet e tyre në renditje janë në vlerat që ato kanë treguar, me gjithë luhatjet që kanë patur në fazën e parë. Pas këtij pushimi dy javor, besoj se duhet ti kenë gjetur pikat e dobëta të tyre gjatë fazës së parë. Trajnerët duhet të përmirësohen në sulmin frontal, sepse kjo pjesë duket se është në tranzicion. Te goli shkohet me shumë takime dhe nuk arrihet konkludimi”. Ndërkohë që këtë fundjavë nisin ndeshjet e javës së 12-të, e para e fazës së dytë, dhe Ndriçim Kashami shprehet se në vazhdimësi skuadrat do “grinden” në luftë sportive mes tyre. “Gjatë fazës së dytë do kemi ringritje të disa skuadrave, ku veçoj Besën me një organikë të plotësuar, pse jo edhe Luftëtarin që më duket ekip simpatik. Skuadrat e tjera do “grinden” në luftë të fortë sportive mes tyre. Tani është kulmi për të treguar nivelin origjinal të formës. Për javën e 12-të veçoj ndeshjen Lushnja-Pogradeci si më të fortën, por edhe ndeshjet e tjera, si Burreli-Skënderbeu, Kastrioti-Besa e Laçi-Iliria, do jenë interesante. Tek të gjitha ndeshjet mund të priten surpriza”, ishte kjo analiza e Ndriçim Kashamit për fazën e parë të Kategorisë së Parë.
SHORTI I PLAY-OFF I EUROPËS
Drejt Amerikës, Kombëtarja sfidon Poloninë në Play-off
Rrugëtimi A
Itali-Irlanda e Veriut / Uells-Bosnjë
(Finalja i përket fituesit të çiftit të parë për ta luajtur në shtëpi).
Rrugëtimi B
Ukrainë-Suedi / Poloni-Shqipëri
(Finalja i përket fituesit të çiftit të parë në shtëpi, Shqipëria e humbet mundësinë)
Rrugëtimi C
Turqi-Rumani / Sllovaki-Kosovë
(Finalja i përket fituesit të çiftit të dytë, Kosova ka mundësinë që ta presë në shtëpi)
Rrugëtimi D
Danimarkë-Maqedoni e Veriut / Rep. Çeke-Irlandë.
(Finalja i përket fituesit të çiftit të dytë)

Kombëtarja i dha fund emocioneve të pritjes së kundërshtarit në ndeshjet Play-off të “Botërori 2026”. Shqipëria ka mësuar fatin në shortin e kësaj faze ku synohet Botërori. Por shorti nuk u tregua shumë bujar me kuqezinjtë që do të përballen me Poloninë, rival i pozicionuar më mirë në fazën e dytë, që parashikimet nuk e favorizojnë. Nëse fiton me polakët, Kombëtarja jonë, sërish do të luajë në transfertë, me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi. Ndërsa Kosova do përballet me Sllovakinë, e cila pozicionohet e fundit në renditjen e FIFA-s, ndër ekipet e tjera të mundshme. Nëse fiton, Kosova do të luajë me fituesin e Turqi-Rumani duke patur mundësi që ndeshjen finale ta luajë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshjet gjysmëfinale do luhen më 26 mars. Ndërsa ato finale në datën 31 mars 2026.
Në Lushnje, specialistët e futbollit duan merkato
“Pa merkato, Lushnja rrezikon qëndrimin në Kategorinë e Parë”, kjo ishte thirrja e djeshme, të cilën disa specialistë të futbollit lushnjar e quajnë emergjente. Të shqetësuar për ecurinë e dobët në fazën e parë, ku grumbulluan 12 pikë në 2 fitore, 6 barazime dhe 3 humbje. Nisur nga kjo ecuri, edhe pas uljes në bankinë të Ditmar Bicajt, alarmi duket normal, ndërsa paralajmërimi vjen nga ata që kanë shkruar histori verdhejeshile: Pa merkato cilësore rrezikohet rënia.

Faza e parë
Kategoria e Parë i ka luajtur 11 javët e fazës së parë, në të cilën u zhvilluan 66 ndeshje me 5940 minuta, u shënuan 146 gola.
Faza e dytë
Ndeshjet e fazës së dytë në Kategorinë e Parë do të mbyllen në 15 shkurt 2026, kur edhe përcaktohet kalendari i fazës së tretë
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e 12-të
(E para-faza e dytë)
E dielë, 23 nëntor 2025
Apolonia-Kukësi 13:30
Burreli-Skënderbeu 13:30
Kastrioti-Besa 13:30
Korabi-AF Luftëtari 13:30
Laçi-Iliria 13:30
Lushnja-Pogradeci 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 11 28
2.Laçi 11 21
3.Pogradeci 11 18
4.Iliria 11 16
5.Burreli 11 16
7.Korabi 11 13
6.Apolonia 11 13
9.Kastrioti 11 13
10.Lushnja 11 12
10.Besa 11 11
11.AF Luftëtari 11 9
12.Kukësi 11 5



















