-Sipas kujtimeve të patriotit Kojdhel Luari(Zilja)-

Pak njerëz e dinë se Kojdhel Luari (Zilja), për aq kohë sa Ismail Qemali qëndroi në krye të qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur, ai ishte një nga anëtarët më të afërt dhe më besnik në grupin e tij të shoqërimit. Kjo për arsyen e vetme, se gjatë gjithë kohës ai jetoi i heshtur në thjeshtësinë e vetë, i bindur se kishte bërë vetëm detyrën ndaj atdheut që e lindi, e rriti dhe i dha emrin shqiptar.
Vetë Ismail Beu, me rekomandimin e mikut të tij të ngushtë, mësuesit Babë Dudë Karbunara, i cili e kishte patur nxënës Kojdhelin, e kishte mësuar, edukuar dhe kultivuar në shpirtin e tij ndjenjën e patriotizmit e caktoi me detyrën e rëndësishme duke e quajtur, “Djali i shtëpisë”. Detyra e “djalit” të ri, aso kohe në moshën e adoleshencës, ishte të mos largohej për asnjë moment nga paradhoma e kryeministrit dhe t’i servirte atij personalisht, nën masa sigurie që e kërkonte protokolli qeveritar kafetë e shumta, që ai i konsumonte “orë e pa orë”, sipas një zakoni të mbetur që nga koha kur shërbente si nëpunës i administratës shtetërore pranë Portës së Lartë. Por, edhe gjatë kohës kur kryeministri konsumonte vaktet e ushqimit, Kojdhelin, e detyronte detyra të ishte pranë tij, sepse për të qënë të sigurtë nga çdo intrigë për eleminimin e kryetarit të shtetit të parë shqiptar, diçka më shumë se dy orë para se t’i servirej Ismail Beut, çdo ushqim duhej ta provonte i pari Kojdheli. Për një djalosh vetëm 23-vjeç, ky ishte një besim i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe para kombit. Në shenjë mirënjohje ndaj këtij besimi, për realizimin e detyrës, ai vuri si garanci jetën e tij, duke qënë në një farë mënyre “mburoja” personale e jetës për atë, që ai e konsideronte me respekt si baba shpirtëror, deri atë ditë, kur i detyruar nga rrethanat historike të kohës, Ismail Qemali dha dorëheqjen.
Ata që e kanë njohur nga afër Kojdhelin, e dinë mirë sa vështirë ishte t’i “shkëpusje” ndonjë fjalë nga ato ditë të ngjarjeve të mëdha në historinë e vendit. Duhej shumë durim e këmbëngulje për ta “ngacmuar” e “detyruar” t’u kthehej kujtimeve, sepse i dukej sikur vetëmburrej, kur ai e konsideronte çdo sakrificë të bërë si detyrë të çdo shqiptari patriotë. Vetëm për një gjë nuk nguronte të fliste “pa dorashka”, për pengun e vetëm që i kishte mbetur në zemër deri ditën kur u largua nga kjo jetë.

…Natën e 21 janarit 1914, – kujtonte Kojdheli me dhimbje shpirtërore, Ismail Beu e gdhiu pa gjumë. Edhe darkë “bëri sikur hëngri”. Deri në mëngjes, atë natë të gjatë dimri, porositi disa kafe të cilat i konsumonte “shqeto”, pa sheqer. Pas mesnate, më kërkoi të lajmëroja Ali Asllanin, sekretarin e tij personal. Të dy ndenjën gjatë duke biseduar dhe kur zbardhi dolën prej dhomës ku ishin ngujuar me një “dëng” me shkresa, të cilat Ali Efendiu, i kishte futur në një çantë të madhe, që për arsye të tejmbushjes, “gryka” i qëndronte e hapur. I hipën karrocës dhe u nisën për në Skelë ku ishte selia e qeverisë. Kur shkova më vonë atje, selia ishte plot me njerëz. Shokët e mi, me të cilët më lidhte puna si anëtarë të grupit të shoqërimit, qëndronin të heshtur dhe një hije e zezë u dallohej mbi fytyrat e tyre. As biseda, as zhurmë. Të gjithë prisnin me ankth të mbaronte mbledhja e kabinetit qeveritar në zyrën e kryetarit, për të mësuar se ç’kishte ndodhur. Pas pak, gjashtë burra, që nuk i njihja, por siç më shpjeguan, ishin përfaqësuesit e fuqive të mëdha, anëtarë të Komisionit të Kontrollit Ndërkombëtar, i cili do të merrte në dorëzim pushtetin, nisën të “vareshin” shkallëve të drunjta. Pas shumë dilemash, për të shmangur copëtimin e Shqipërisë nga fqinjët grabitqarë, njëkohësisht, për të mos lejuar që atdheu të qeverisej nga një princ turk, siç po përgatitej të vepronte Porta e Lartë, Ismail Beu, kishte vendosur t’ia delegonte pushtetin fuqive të mëdha europiane. Atë ditë janari, pak më shumë se një vit nga koha kur nënshkroi pavarësinë e Shqipërisë, kryeministri i parë i saj, nënshkroi dorëheqjen e tij.
-Të them të vërtetën, – tregonte Kojdheli, unë atëhere nuk mund ta kuptoja se çdo të thotë dorëheqje me dëshirë. Në mendësinë tonë të asaj kohe, i pari i familjes, fisit, krahinës, vendit, mbetej i parë derisa të kishte jetën. Por, plaku i Vlorës ishte i rrahur me “vaj e me uthull” dhe kishte nuhatje të lindur për t’u orientuar në “labirintet” e ngatërruara të politikës.
Në mbrëmjen e asaj dite, teksa kryeja detyrat e mia, Ismail Beu më thirri pranë vetes dhe me fjalë të thjeshta që ta kuptoja më mirë, më shpjegoi se ai kishte vendosur të shkonte në Nicë të Francës për një pushim të “gjatë”, pas gjithë atyre që kishte hequr shpirtërisht dhe fizikisht që nga shpallja e pavarësisë. Si “djalë shtëpie” që më konsideronte, më propozoi, që nëse dëshiroja, të shkoja dhe unë bashkë me familjen e tij në Francë. Fjalët më erdhën papritur dhe nuk dija si t’i përgjigjesha. Me shpirt doja të mos ndahesha nga ai që tashmë ishte babai im i dytë, por mbeta në udhëkryq mendimi, si ai fëmija që duhet të zgjedhë midis babait dhe nënës. E gjora nënë, pas vdekjes së babait jetonte me shpresën se një ditë do bashkoheshim e do të ishim një familje. Ç’do të ndodhte sikur të ikja larg saj? Kush do kujdesej për atë grua mbetur vejushë e pa njeri tjetër atje në Luar? A do të mund të përshtatesha unë në një vend të huaj, të panjohur? Shumë pikëpyetje në kokën time, që dukej sikur do më çahej nga rrahja e tëmthave në ballë. Shumë dilema. Por koha nuk priste. Duhej marrë një vendim. Dhe unë iu përgjigja: “Nuk mundem Ismail Bej. Do jetoj dhe do vdes në Vlorë!”
Plaku më dha një puthje në ballë si bekim prindëror dhe e pashë që u përlot. Edhe mua më ishte mbledhur një lëmsh në grykë dhe shtërngoja dhëmbët se mos shpërtheja në të qara para tij. I putha dorën në shenjë mirënjohje, me shpresën se ndarja nuk do të zgjaste për shumë kohë dhe ai do të kthehej përsëri në vendin e tij që e donte aq shumë. Në atë çast nuk mund ta shkoja ndërmend se nuk do ta takoja më për së gjalli.
-Ajo ndarje e hidhur më mbeti peng gjithë jetën e do ta marrë me vete në varr, – psherëtinte me dhimbje, Xha Kojdheli. – Ashtu siç rrodhën ngjarjet e historisë, fajësoja veten që nuk ika pas tij. Po ta kisha shoqëruar, ndoshta do ta kisha shpëtuar nga ajo kafe e helmuar që piu në barin e hotelit “ Brufan” në Peruxhia, të Italisë. Fundja, kjo kishte qënë detyra ime në grupin e tij të shoqërimit. Por, “rrotën” e fatit e vërtit tjetërkush e nuk kemi gjë në dorë.




















