Një raport i zgjeruar i Kontrollit të Lartë të Shtetit ngre alarm për funksionimin e sistemit të sigurisë në shkollat publike.Auditimi, i kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, institucionet vartëse dhe strukturat e Policisë së Shtetit, tregon se projekti “Shkolla të Sigurta – Oficerët e Sigurisë” ka dështuar të garantojë një mjedis realisht të mbrojtur për nxënësit.
Në raport theksohet se mirëarsimimi dhe siguria janë të ndërvarura, duke u cilësuar si “themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e individit dhe shoqërisë”. Megjithatë, KLSH konstaton se praktikat aktuale nuk arrijnë të garantojnë këtë objektiv.
Statistika të pasakta dhe realitet i deformuar
Një nga gjetjet më të rënda lidhet me mungesën e një sistemi të besueshëm të mbledhjes dhe analizimit të të dhënave mbi incidentet në shkolla. Raporti thekson: “Statistikat e prodhuara nga referimet e oficerëve të sigurisë (…) japin një panoramë të deformuar dhe të pavërtetë, duke krijuar premisa për një lexim të tjetërsuar të realitetit.”
Sipas KLSH, Ministria e Arsimit duhet të miratojë urgjentisht një udhëzues të posaçëm për mënyrën e përpunimit të të dhënave, pasi aktualisht mungojnë standardet bazë.
Oficerët e sigurisë nuk kryejnë kontrolle dhe raportimet janë formale
Auditimi evidenton se, pavarësisht udhëzimeve të qarta, oficerët e sigurisë: “nuk zhvillojnë kontrolle fizike të nxënësve ose të mjediseve, me përjashtim të rasteve sporadike”.
Po ashtu, ata nuk përdorin pyetësorë për të matur gjendjen e sigurisë, dhe komunikimi i tyre me drejtuesit e shkollave mbetet “informal dhe i padokumentuar”.
Raporti vëren edhe mungesë të theksuar të raportimeve zyrtare: “Raportet javore dhe vjetore jo rrallë herë janë të munguar, formalë, të pasaktë dhe të paplotë”.
Mungesë koordinimi dhe struktura fiktive
KLSH kritikon fort koordinimin midis institucioneve, duke theksuar se njësitë e ashtuquajtura “Zyra të koordinimit dhe monitorimit” në MAS, DRAP dhe ZVAP nuk ekzistojnë realisht si struktura të përcaktuara me rregullore: “Ky emërtim nuk është korrekt… kjo ‘zyrë’ nuk përfaqëson një strukturë të posaçme”.
Sipas raportit, oficerët e sigurisë nuk monitorohen nga asnjë institucion, duke nisur nga drejtuesit e shkollave e deri te agjencitë kombëtare që duhet të kenë këtë rol.
Trajnime të pamjaftueshme dhe mungesë logjistike
Një tjetër problem madhor është përgatitja e dobët fizike dhe profesionale e oficerëve të sigurisë: “Menaxhimi i dhunës fizike është i kufizuar, edhe për shkak të përgatitjes së pamjaftueshme që ofrohet në Akademinë e Sigurisë.”
Mungesa e mjeteve logjistike, e cila sipas KLSH “i ballafaqon oficerët me pamundësinë materiale për të ushtruar detyrimet”, e rëndon edhe më tej situatën.
Raporti i UNESCO: Shqipëria me nivel të lartë dhune në shkolla tek 11–13 vjeçarët
Për të krahasuar situatën me standardet ndërkombëtare, KLSH i referohet të dhënave të Raportit të UNESCO-s “Pas shifrave: Fund dhunës në shkolla dhe bullizmit”. Sipas tij, në Shqipëri:
19.9% e nxënësve deklarojnë se janë dhunuar: 22.6% djem, 17.3% vajza
Tek 11-vjeçarët, shifra arrin në 23.8%
Tek 13-vjeçarët, rreth 20%
Tek 15-vjeçarët, 16.1%
Në raport theksohet se Evropa ka nivelin më të ulët të bullizmit (25%), ndërsa Amerika e Veriut arrin në 31.7%.
Në konkluzion, raporti është i qartë: “Siguria në shkolla përgjatë periudhës shtator 2021 – dhjetor 2024 ka rezultuar një proces joefektiv”.
Dështimi lidhet me:
-mangësi të kuadrit rregullator
-mosushtrimin siç duhet të rolit të oficerëve
-mungesën e monitorimit
-raporte të shtrembëruara dhe të paplota
-mungesën e oficerëve të sigurisë në të gjitha shkollat
-mungesën e koordinimit mes institucioneve kyçe
KLSH rekomandon që të gjitha institucionet përfshirëse të ndërmarrin hapa urgjentë për të përmirësuar kuadrin rregullator, bashkëpunimin dhe monitorimin, në mënyrë që siguria në shkolla të mos mbetet vetëm në letër.






















