Moisi Dalipi: Tores Çiraku, “brigadieri” i mesfushës të “Dinamos” dhe “Partizanit”. Si filloi rrugën e sportit së bashku me Muhedinin, Shaqirin, Thakën, Çakon, Dimrajn

896
Sigal

Speciale nga Moisi Dalipi: Tores Çiraku, “brigadieri” i mesfushës të “Dinamos” dhe “Partizanit”. Si filloi rrugën e sportit së bashku me Muhedinin, Shaqirin, Thakën, Çakon, Dimrajn dhe e vazhdoi me Çeçon, Xhafën, Gjinalin, Sejdinin, Kodrën, Hafizin, Përnaskën

Formimi tek “Partizani”, ndeshjet me “Torinon” dhe “Austrinë” e Vjenës dhe shkëlqimi tek “Dinamo”. Nostalgjia për Vërmikun, “Flamurtari” dhe këshillat e Faik Bajramit

Shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej”, historikisht  ka qënë një nga  “bazat” e mira  për klubet e futbollit të kryqytetit, ‘Partizani’ dhe ‘Dinamo’. Aty ku kanë lindur dhe janë përgatitur futbollistë cilësorë dhe  të nivelit të lartë. Dhe po të bësh me këtë  rast  një listë për ata që kanë dalë futbollistë  nga kjo shkollë, do të duhet të  përballesh me emra të tillë të mëdhenj, të cilët i kanë shërbyer me shumë  cilësi ekipeve të tyre dhe atij kombëtar. Gjithsesi, sot  të gjithë  ata janë dhe  mbeten të nderuar dhe të respektuar  për vlerat dhe kontrubitin e tyre sportiv. Dhe midis tyre ndodhet dhe Tores Çiraku, i njohur ndryshe dhe si “bigadieri” mesfushës të ‘Partizanit’ dhe ‘Dinamos’, në kornizën e viteve 1966 deri 1977. Ai u lind  në qytetin e Durrësit më 31 gusht të vitit 1948. Që në moshën e fëmijërisë transferohet së bashku me familjen në  qytetin e Tiranës, diku pranë  ish stadiumit “Dinamo”. Prania e një fushe futbolli pranë këtij kompleksi sportiv të kohës,  ngjalli tek djaloshi i shkathët  dëshirën për të luajtur futboll. Vetë Toresi i kujton këto vite kur thotë: “Aty  tek ajo fusha  zezë pranë stadiumit luanim futboll me orë të tëra me shokët e lagjes të Tiranës Re. Shumë prej nesh, më vonë u bënë futbollistë në klubet e kryeqytetit”.

Klubi  “Partizani” dhe formimi si  futbollist

Pas përfundimit të shkollës  8-vjecare, Toresi, vazhdon  shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Pikërisht tek kjo shkollë, ku disiplina ishte parësore në çdo drejtim, tek fusha e saj  e sportit, ai do gjente  kohën që çdo mbasdite të luante futboll. Në vitet 1963, djelmoshat e  fuqishëm ushtarakë, filluan të organizonin dhe kampionatin midis  klasave. Tores Çiraku  së bashku  me Bashkim Muhedinin, Pëllumb Shaqirin ,Gjergj Thakën, Perlat Cakon, Ylli Dimrajt  e të tjerë, ishin një klasë që fitonte edhe me më të rriturit e klasave të tjera, si ato të Agim Jakut dhe Neptun Bajkos. Një fakt i tillë nuk i shpëtoi syrit dhe vëzhgimit të Bejkush  Birçes, që këta djem ti bënte pjesë të ekipit të rinjëve të  “Partizanit”. Të gjithë djem të fuqishëm dhe tepër të dashuruar pas lojës të futbollit. Dhe “gjenerali” futbollit shqiptar Bejkush Birçe kujton: “Tek këta djem u mbështeta fort  duke krijuar atë skuadër të të rinjve të ‘Partizanit’ që vitin 1966 fituan dhe titullin kampion për të rinjtë. E kutoj si tani Toresin dhe të  gjithë  me rradhë, kur fituan titullin kampion, duke mudur në finale “17 Nëntorin”. Toresi si kapiten skuadre, nuk e lëshonte kupën nga dora. E kisha dhe nga anët e mia atë djalë, sepse fshati im Bolena, me Vërmikun e tij, janë afër, ndaj ju bashkova edhe unë atë ditë festës tyre.” Dhe nga ky grup i kësaj shkolle ushtarake, ku  pjesa më e madhe përfaqësonte ekipin e të rinjve,  trajneri tyre  Bejkush Birçe ju rekomandonte drejtuesëve të lartë të klubit të “Partizanit” që  pjesa më e madhe e tyre të kalonin tek ekipi parë. Bashkë me portierin  Muhedinin  do të kalonin tek ekipi parë mbrojtësi Cako, mesfushorët Çiraku, dhe Thaka dhe sulmuesi Pëllumb Shaqiri, ose “Lukja” siç e thërisnin shokët. Të gjithë të fortë dhe të gjithë ishin shumë cilësorë. Në atë periudhë të  sezonit  1966-1967, ‘Partizani’ përjetonte momente të mira, sepse kishte në përbërje lojtarë të tillë si  Mikel Janku, Lin Shllaku, Mihal Gjika, Teodrot Vaso, Neptur Bajko, Sokol Gjika, Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Panajtot Panon dhe Robert Jasharin. Gjithsesi, edhe pse kjo skuadër  ushtrake   ishte në rivalitet të fortë me “Dinamon” , “Vllazninë”  dhe “17 Nëntorin”, i mungonte fitimi titullit kampion. Edhe pse  rivaliteti për të fituar një vend në formacionin e parë, Tores Çiraku falë aftësive të mira fizike dhe veçanërisht  atyre atletike, fitoi besimin e trajnerit të njohur Loro Boriçi  për të qenë  në fushën e lojës. Ai lëvizte shumë në fushën e  lojës duke shkelur çdo pëllëmbë të barit të fushës. Tepër i fortë dhe dinamik, fitues në çdo përballje me kundështarët, duke u  bërë një “dispçer” i vërtetë i mesfushës të kuqe të ‘Partizanit’. Në kujtimet e tij ish kapiteni ‘Partizanit’  Lin Shllaku, do shprehet:  “Në shumë ndeshje, Toresi ishte një  “brigadier” i palodhur  për reaprtin e mesfushës sonë”. Të pashlyera do të mbeten në kujtesën e Tores Çirakut  dy finalet e luajtura për Kupë ndaj ‘Vllaznisë’ në vitet 1966, 1968, dhe 1970, ku ‘Partizani’ fitonte trofetë. “Kanë qenë ndeshje të jashtëzakonshme”-kujton Torez Çiraku. ‘Vllaznia’ e mbushur me  talente  do ishte deri në fund  rivale e denjë. Gjithsesi ia kemi dalë mbanë. Por në vitet 1967, dhe 1969, Tores Çiraku do ishte pjesë e ‘Partizanit’  në pjesmarrjet në Kupat Ballkanike, ku sëbashku me skudra nga Jugosllavia, Rumania, Greqia, dhe Turqia do  formonin një event ndërkombëtar më vete. Në 1970 me fitimin e Kupës Ballkanike,  në finale kundër bullgarëve  të ‘Beroje’ të Stara-Zagorës, skuadra ‘Partizanit’ do shtonte numrin e  trofeve të fituara. Në këto “stoli” të skuadrës kuqe të  kryeqtetit do të ketë pjesën e tij dhe mesfushori i palodhur Tores Çiraku.

                                    Dy ndeshjet e mëdha kundër “Torinos”

Të pashlyera në kujtesën e tij edhe sot  do mbeten dy ndeshjet e zhvilluara për eventin  evropian të Kupës  Kupave  ndaj “Torinos” të Italisë  më  18 dhe shtator 1968 dhe  2 tetor 1968. Ndeshja  e parë e zhvilluar në Tiranë  ka përfunduar me rezultatin 1-0 për ‘Partizanin’, me gol të shënuar në minutën e 48` nga Pëllumb Shaqiri. Formacioni i ‘Partizanit’ në atë ndeshje ka qenë  ky: Mikel Janku, Sokol Gjika, Mihal Gjika, Neptun Bajko, Teodor Vaso, Saba Bizi, Lin Shllaku, Pëllumb Shaqiri, Ramazan Ragami, Panajot Pano, Robert Jashari, (46` Tores Çiraku). Trajneri Loro Boriçi  në  filim të pjesës dytë, hedh në fushën e lojës të shpejtin Tores Çiraku, i cili  që në kontaktin e parë me topin, niset vrullshëm nga krahu majtë duke kaluar  bukur mbrojtësin Poletti dhe kroson saktë për Shaqirin që nuk fal, duke mposhtur portierin Italian Lido Vieri. Fitore minimale me rezultin 1-0, por  i gjithë stadiumi  “Qemal Stafa” me  19 mijë spektatorët e tij do festonte gjatë. Të gjithë përgëzonin skuadrën  për lojën, autorsinë golit Shaqirin, por dhe  djaloshin e kudo ndodhur për  shërbimin e kryer Tores Çirakun. Vetë djaloshi 20- vjeçar  i mbuluar nga djersët do  binte për shumë minuta i përqafuar  në gjoksin e shokut tij Luke Shaqirit. Pas ndeshjes, trajneri Torinos, i njohuri Edmondo Fabbri do të  thoshte: “Befasia  e  vendasëve ishte aktivizimi në pjesën e dytë e atij  bjondit  të shpejtë Tores Çirakut”. Edhe gjyqtari ndeshjes, jugosllavi Milivoje Gugoloviç do të shprehej:“Kam qenë shumë pranë aksionit  të golit dhe më ka befasuar me shpejtësinë e veprimeve  Çiraku”. Por në përfundim të ndeshjes mesfushori  torinez Giorgio Ferrini, përveç komplimentave do tregonte Tores  Çirakut për “frikën” që kishin përjetuar një natë më parë në hotel “Dajti” skuadra e tyre, kur sirenat e alarmit, (provat që kryheshin në ato vite, gjoja për situatë lufte, duke i detyruar njerëzit të futeshin në vendstrehimet e improvizuara). –“Për shumë minuta nuk e kuptonim se çfarë po  ndodhte” –do shprehej futbollisti italian. Ndeshja e dytë  është zhvilluar në  2 tetor 1968,  në stadiumin komunal të Torinos  në prani të 22.408  sportdashësëve. Fitorja e ‘Partizanit’ në ndeshjen e parë  1-0   kishte bërë jehonë të madhe  në shtypin sportiv italian. Trajneri Loro Boriçi  e zbriti skudrën në fushë me këtë formacion të parë:   Mikel Janku, Sokol Gjika, Mihal Gjika, Neptun Bajko, Teodor Vaso, Saba Bizi, Lin Shllaku, Pëllumb Shaqiri, Ramazan Ragami, Panajot Pano, (76` Tores Çiraku) dhe Simon Shule. Skuadra e “Tornios” e mbyll pjesën e parë    me fitore   2-0, me gola të shënuar nga Alberto Carelli Bolehi 22`  dhe Karlo Faccini në minutën e 28`. Në pjesën e dytë  vendasit shënojnë dhe golin e tretë në minutën e 58` me anë të  Emiliano Modonikos. Rezultati 3-0  do thoshte  skualfikim  për ‘Partizanin’ . Trajnerët Refik Resmja, Miço Ndini dhe Loro Boriçi, në  minutën e 76`, largojnë  nga loja Panajot Panon që kishte humbur një rast të pastër në pjesën e parë dhe i japin  minuta loje dhe mesfushorit të  avancuar Tores Çiraku. Trajneri italian  Edmondo Fabbri,  sapo shikon këtë lëvizje në formacionin shqiptar, udhëzon mbrotësin Mario Trebbi, të bëjë mbulim një për një në fushën e lojës Çirakut. Në minutën e 85` djaloshi energjik i shpëton  bukur mbulimit të mbrojtësit Trebbi dhe  në hyrje të zonës lëshon një gjuatje të fortë drejt portës. Portieri torinez Lido Vieri reagon dhe topi përplaset  në tranversë dhe kthehet në lojë, ku  Neptun Bajko i shpejtë ka shënuar, duke bërë që shifrat të fiksojnë rezultatin 3-1! Minutat e fundit nuk ndryshojnë asgjë në rezultat.

Loja ka përfunduar  3-1,  ndeshja nuk është transmetuar në TV, lojtarët janë në mesfushë duke u përshëndetur, drejtues të klubit të ‘Partizanit’ kanë zbritur në fushë dhe urdhërojnë skuadrën të mos dalë nga terreni, madje të refuzojnë rezultatin përfundimtar, duke pretenduar nga arbitri se ‘Partizani’ ka shënuar një gol në udhëtim, që sipas tyre ka vlerë të dyfishtë e bashkë me golin e ‘Tiranës’, rezultati është i barabartë 3-3 dhe duhet të luhet koha shtesë. Të painformuar mirë, ata kanë bërë gabim në interpretimin e formulës të sapodalë, pasi shifrat ishin të qarta 3-2 për italianët, pasi nuk kishte barazim golash. Futbollistët, bashkë me arbitrat fillimisht kanë hezituar, por nën zë i kanë bërë të qartë atyre se loja ka përfunduar dhe ajo nuk mund të vazhdojë. Disa minuta diskutime në fushë, pastaj drejtues e futbollistë janë larguar nga terreni. Askush nuk bisedoi  më për këtë rast, ndonëse zyrtarët e ‘Partizanit’ ende nuk e kishin plotësisht të qartë kombinimin e shifrave. Gjithsesi “Partizani” e mbylli me dy ndeshje të mëdha  kundër “Torinos” këtë “aventurë” evropiane.

  “Dinamo” skuadra  ku shkëlqen  fortë  “brigadieri”

Në vitin 1969 Tores Çiraku   si shumë shokë të tjerë  fillon studimet në Institutin e Fiskulturës dhe Sportit “Vojo Kushi”. Ndërkohë, ai vazhdon të jetë  pjesë e “Partizanit”. Mos pjesmarrja në ekipin kombëtar  në ato vite me arsyen  që  thoshte  shpesh trajneri Loro Boriçi  se është “shkurtër”, u  shfrytëzua mirë nga  miku tij Iljaz Çeço  për të bërë pjesë të ekipit të “Dinamos”. Dhe në fakt kështu ndodhi. Në verën e vitit 1970  mesfushori  Tores Çiraku kalon tek skuadra tjetër e kryeqytetit, tek blut e “Dinamos”. Aty përveç  Çeços do gjejë dhe Gani Xhafën, Fred Gjinalin, Ibrahim Kodrën, Rift Ibershmin, Faruk Sejdinin,Taip Cutrën, Çlirim Hysin, Astrit Hafizi  dhe Ilir Përnaskën . Trajneri Skënder Jareci  do t’i rezervojë fanellën me numrin 11. Mesfusha e “Dinamos” në ato vite  me Çeçon-Xhafën –Çirakun –Hafizin, ishin një kuartet i jashtëzakoshëm në fushën e lojës. Tre tituj kampion të fituar nga kjo skuadër  në sezonet 1972-1973, 1974-1975 dhe 1975-1976 , si dhe  dy Kupa të Republikës në vitet 1971 dhe 1974. I palodhur  në mesfushë, tepër dinamik në shërbim të skuadrës Tores Çiraku  do  meritonte  plotësisht vlerësimin që  kishte bërë në një  mbledhje –analizë  pas ndeshjes kundër ‘Austria’ të Vienës  në vitin 1971, kapiteni skuadrës Iljaz Çeço, kur ishte shprehur: “Toresi është brigadier i mesfushës  të ekipit tonë”. Dhe me epitetin  “brigadieri”, Tores Çiraku  kështu do flisnim më vonë,  jo vetëm shokët e skuadrës, por dhe trajnerët Sabri Peqini dhe Durim Shehu, në fund të sezonit 1976-1977 ,  kur po i drejtohej  moshës 30- vjeç, Tores Çiraku mbyll karrierën e tij sportive si futbollist, duke arshivuar  si trofe të fituara  tre Kupa Republike në vitet 1966,1968, dhe 1970, si dhe Kupën Ballkanike në vitin 1970 me “Partizanin” , si dhe tre tituj  kampion në sezonet   1972-1973, 1974-1975 dhe 1975-1976, si dhe  dy Kupa të Republikës në vitet 1971 dhe 1974  me ‘Dinamon’ . Ai u largua  duke lënë pas tek  mesfusha e “Dinamos” lojtarë cilësorë si Bregu , Marko dhe fantazisti  Zëri. Nostalgjia  e ngacmon dhe sot  “bigadierin” e mesfushës   Tores Çirakun  që edhe  është prej shumë viteve  në emigracion, ndihet keq  për gjendjen që kanë  kaluar klubet e “Partizanit” dhe “Dinamos”  ku ai ka kalur vitet më të mira të rinisë tij sportive.

‘Flamurtari’, tifozët e këshillat e Faik Bajramit

Tores Çiraku dhe familja e tij është me origjinë nga fshati Vërmik i Vlorës. Edhe pse Toresi  ka lindur në Durrës dhe të  të gjithë karrierën e tij sportive  e ka  në Tiranë, me skuadrat  e ‘Partizanit’ dhe ‘Dinamos’, ai  nuk ka shkëputur lidhjet me vendlindjen. Aq e vërtetë është kjo sa që vetë Toresi e thotë: “Sa herë që  jam ballafaquar me ‘Flamurtarin’ në Vlorë ose në Tiranë, dikush  më dukej  sikur  më “lidhte këmbët” të luaja fort si kundër skuadrave të tjera. Është lidhja e gjakut … Unë i njoh dhe i kam miqtë të  mirë të gjithë futbollistët vlonjat të atyre viteve që nga Nelaj, Çela, Sulo, Ahmeti, Saraçi, Zilja, Curri, Haxhiu, Zeka, Xhaferi, Troqe e të tjerë. Por nuk harroj lehtë  djemtë e Vërmikut që banojnë në Vlorë dhe në fshatin Babicë, që sa herë që luaja kundër  ‘Flamurtarit’ në Vlorë. Bënin tifozllëk për mua. Pas ndeshjes  do takohesha me ta si vëllezër.” Por ish gjyqtari njohur vlonjat  në ato vite, ndërkombëtari njohur Faik Bajrami kujton: “Kam pasur rastin disa herë të kem qenë gjyqtar ndeshjeje, kur Tores Çiraku ka luajtur  me  ‘Partizanin’ dhe ‘Dinamon’. Ishte lojtar i shpejtë që vraponte më shumë nga të tjerët në fushën e lojës. Shumë herë e këshilloja të mos  kundërshtonte  vendimet e gjyqtarëve  edhe kur kundështari  ndërhynte në mënyrë të gabuar ndaj  tij. Në një ndeshje, ‘Besa’- ‘Dinamo’, mbrojtësi Neim Allaj, ndërhyri shumë rëndë ndaj tij. Toresi sa u ngrit m’u drejtua mua  duke më thënë: -“E shikon  se si ndërhyri. Jepi kartonin e kuq. Ju afrova  dhe thashë: -Edhe herë tjetër të kam këshilluar. Mos u jep mendje gjyqtarëve për vendimet që  japin. Edhe po të kisha mendim ta ndëshkoja, tani  nuk veproj si do ti”. Dhe që nga ajo  ndeshje e  vitit 1971  dhe deri sa  mbylli karrirën, sa herë isha unë gjyqtar në fushë, Toresi ishte  nga më të displinuarit. Ai e luante bukur futbollin, por e dinte ku e kishte vendin e tij dhe gjyqtarët. Për më tepër që ne të dy  ishim  vlonjatë në fushën e futbollit” – mbyll rrëfimin e tij  Faik Bajrami.

Skeda  e Tores Çirakut

Lindur, në Durrës,  më 31 gusht  1948

Karriera si futbollist: 1964-1966, ekipi të rinjve të “Partizanit” dhe 1966-1970  ekipi  të rriturve të “Partizanit”, në vitet 1970-1977  me ekipin e “Dinamos” .

Roli në skuadër: Mesfushor –sulmues

Numri në fanellë:  11

Ndeshje të zhvilluara:  246 ndeshje në kampionate dhe Kupa dhe 12 ndeshje për Kupat e Evropës dhe Kupën e Ballkanit.

Gola të shënuar:   68 gola.

Trofe të fituara: Titullin kampion me të rinjtë e “Partizanit”  në 1966.

3 Kupa Republike në vitet 1966, 1968 dhe 1970.

Kupën Ballkanike në vitin 1970 me “Partizanin” .

3 tituj  kampion në sezonet   1972-1973, 1974-1975 dhe 1975-1976.

2 Kupa të Republikës në vitet 1971 dhe 1974 me “Dinamon” .

Vlerësimet: “Mjeshtër Sporti”