Prof. Dr. Emil Lafe: Gjuha shqipe, Konstandin Kristoforidhi dhe Martin Camaj

1595
Sigal

Në 125-vjetorin e vdekjes së Babait të Gjuhës Shqipe 7 mars 1895 – 7 mars 2020

Më 1957 M. Camaj u detyrua të largohej me ngut nga Jugosllavia dhe ia la kopjen e vetme të dorëshkrimit të fjalorit mikut të vet Sitki Imami

Prof. Dr. Emil Lafe

Përkujtimi i Konstandin Kristoforidhit në 125 vjetorin e vdekjes (Elbasan, 7 mars 1895) dhe i punës së tij monumentale për gjuhën shqipe vjen me një ribotim të veprës së tij madhore, “Fjalorit të gjuhës shqipe”, që ai e hartoi me aq zell e dashuri, po që nuk arriti ta shihte të botuar, në duart e shqiptarëve. Fjalori u botua më 1904 në Athinë me titullin që i kishte vënë autori: Fjalor i gjuhës shqipe (Leksion tēs albanikēs glōssēs). Prof. Xhevat Lloshi, hulumtuesi më i përkushtuar i dokumentacionit për K. Kristoforidhin dhe studiuesi më i thelluar i jetës dhe veprës së këtij rilindësi të madh, shkruan për fjalorin se ai është libri që ndër veprat shqipe ka ndoshta historinë më të gjatë e më të ndërlikuar si të hartimit, ashtu dhe të botimit. Dhe historia e këtij fjalori vijon të pasurohet me të papritura e panjohura.

Në fund të vitit të shkuar Shtëpia botuese “Dielli” (Beograd) nxori një botim të ri të tij: Konstandin Kristoforidhi, Fjalor i gjuhës shqipe (me shpjegime në frëngjisht nga Martin Camaj), 246 f. Libri është përgatitur për shtyp nga Prof. Naile Mala Imami, përgjegjëse e katedrës së gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit. Duke na shpjeguar historinë librit, ajo shkruan se fjalori është punuar nga Martin Camaj (1925–1992) gjatë viteve 1949–1953, kur ai ndiqte studimet për romanistikë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit dhe ku dha ndihmesën e tij edhe në Katedrën e Albanologjisë, një nga pesë katedrat më të vjetra të këtij universiteti. Në ato vite një nga miqtë më të ngushtë të Martin Camajt ishte Sitki Imami (vjehrri i ardhshëm i Naile Malës), shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Gjakova, i cili asokohe punonte në seksionin shqip të Radios Shtetërore të Jugosllavisë. Më 1957 M. Camaj u detyrua të largohej me ngut nga Jugosllavia dhe ia la kopjen e vetme të dorëshkrimit të fjalorit mikut të vet Sitki Imami, i cili e ruajti me shumë kujdes deri në fund të jetës. Më pas, i biri, Petrit Imami (1945–2019), profesor dhe skenarist i njohur në Fakultetin e Arteve të Dramës (ndër të tjera autor i një monografie në tri vëllime “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj” vëll. I, 588 f; vëll. II, 555 f.; vëll. III 445 f., Beograd, 2016, 2017; vëll. III trajton lidhjet kulturore midis serbëve dhe shqiptarëve), vijoi ta ruante këtë fjalor si një amanet të të atit e të Martinit dhe gjithmonë, në biseda me miq, studiues e dashamirë, kërkonte që të gjendej mundësia e botimit të kësaj vepre.

Kam pasur rastin ta shfletoj dorëshkrimin e Martin Camajt para tre vjetësh në shtëpinë mikpritëse të familjes Imami në Beograd dhe të dëgjoj nga prof. Petrit Imami historinë e librit, që e përshkruan më lart bashkëshortja e tij. Dorëshkrimi i fjalorit është i shtypur me makinë shkrimi, me fletë formati dhe në mjaft prej fletëve, në pjesën e pasme, gjenden poezi ose pjesë poezish, që Camaj i kishte shkruar gjatë kohës kur merrej me fjalorin. Koha kishte bërë të vetën dhe vende-vende teksti mezi lexohej. Dukej sikur ishte kopja e tretë ose e katërt e daktilografimit. Në të vërtetë nuk dihet në sa kopje do ta ketë daktilografuar tekstin Martini dhe ku mund të kenë përfunduar të tjerat. M. Camaj kishte filluar studimet për romanistikë në Universitetin e Beogradit më 1949, kur ishte 24 vjeç. Pra del se e ka kryer punën për fjalorin gjatë viteve të studimeve. Ka qenë sigurisht një ndërmarrje e vështirë dhe e mundimshme për moshën e tij të re, pa pasur pranë me kë të diskutonte e kë të pyeste për çështjet që duhej të zgjidhte e të sqaronte gjatë punës.

Dihet se Kristoforidhi e shkroi fjalorin e tij me alfabetin e greqishtes dhe shpjegimet e fjalëve të shqipes i dha greqisht. Atëherë ishin një numër i madh shqiptarësh (sidomos nga Shqipëria e Jugut dhe e Mesmja) të shkolluar në shkollat greke në Shqipëri e në Greqi. Ata njihnin në mënyrë më të plotë greqishten, si gjuhë e shkollimit, sesa shqipen (gjuha e familjes dhe e vendlindjes), dhe për këtë arsye Kristoforidhi fjalët e shqipes i shpjegoi greqisht. Në mënyrë të ngjashme do të vepronin më pas autorët e veprës “Fjaluer i Rii i Shqypes përbâam prejë Shoqniiet t’ Bashkimit”, botuar në Shkodër më 1908 dhe që njihet si fjalori i “Bashkimit”. Shpjegimet e fjalëve shqipe në këtë fjalor janë dhënë italisht, një gjuhë e njohur nga shumica e të shkolluarve në Shqipërinë e Veriut. Por as fjalori i K. Kristoforidhit e as ai i “Bashkimit” nuk janë synuar nga autorët si fjalorë shqip – gjuhë e huaj, përkatësisht shqip-greqisht e shqip-italisht, por si vepra që do të përfshtillnin (fjalë e A. Xhuvanit) pasurinë e fjalëve e të shprehjeve të gjuhës shqipe. Vetë Kristoforidhi ka shkruar për fjalorin e tij se “asht i gjithë gjuhës Shqipnisë” dhe se për këtë fjalor ka mbledhur fjalë “anë e mb’anë e kant më kant”.

Fjalori i K. Kristoforidhit u ribotua më 1961 i tejshkruar me alfabetin e sotshëm nga Aleksandër Xhuvani. Siç e shpjegon në parathënie, gjatë punës A. Xhuvani u përball edhe medetyra të tjera: “duheshin ndreqë, rregullue e vû në vend edhe disa gjana të tjera të lidhuna me gjith punën sistematike të fjalorit.” Krahas kësaj ai përktheu nga greqishtja në shqipe përkufizimet, shpjegimet dhe shembujt e sjellë për ilustrim; shënoi rregullisht me shkurtime te çdo fjalë pjesën e ligjëratës dhe karakteristikat gramatikore; ndreqi një numër gabimesh shtypi; shumë fjalëve që Kristoforidhi i kishte lënë me pikëpyetje, u vuri shpjegimin. Pas gjithë kësaj pune të imët, A. Xhuvani arrin në përfundimin se Kristofordhi nuk kishte punuar me skeda, siç punohet sot, dhe se dorëshkrimin e vet “nuk e kishte marrë nëpër duer të funtmen herë, që t’i bante qortimet e rregullimet e duhuna.” A. Xhuvani e kishte pasur ëndërr që ta ribotonte fjalorin e Kristoforidhit, që ishte, si të thuash Bibla e tij. Nuk e hoqi ndonjëherë nga tryeza e punës. Duke u marrë gjithë jetën me Kristoforidhin, kishte hyrë, siç thuhet në lëkurën e tij. Me ato që tregonte, mua më dukej sikur e kishte pasur shok e mik. Por ishte vetëm 15 vjeç kur vdiq Kristoforidhi dhe kishte pasur shok shkolle të birin e tij, Anastasin.

Instituti Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës, për të kryer një botim cilësor të kësaj vepre madhore për gjuhën shqipe, arriti ta përfshinte në marrëveshjen kulturore me Çekosllovakinë dhe fjalori u shtyp në Pragë. Meqenëse sipas marrëveshjes një pjesë e tirazhit do t’i mbetej palës çekosllovake, botuesit e Pragës, pa dijeninë e A. Xhuvanit dhe të Institutit, i vunë titullin “Fjalor greqisht-shqip”, në mënyrë që me këtë titull të tërhiqej në tregun e librit. Me korrigjimin e bocave të shtypit ishte ngarkuar filologu Dhimitri Pilika, që ndodhej atëherë në Pragë. Pa pyetur askënd, ai e shënoi veten si redaktor në faqen e prapme të ballinës. (Me ndërhyrjen e Institutit në tirazhin që erdhi në Shqipëri, te emri i tij u ngjit një copëzletër e bardhë). E mbaj mend kur erdhi prof. A. Xhuvani në zyrë dhe ua tregoi librin prof. E. Çabejt dhe prof. M. Domit, që e kishin ndjekur nga afër punën e tij me fjalorin e Kristofordhit. Ishte i gëzuar që e pa më në fund të botohej pas shumë vonesash e shtyrjes, po edhe pak i mërzitur me të dyja ato cene që përmenda. Më 14 mars të atij viti kishte shkelur në vitin e 82-të të jetës. Por shqetësimet nga prostata po i shtoheshin. Pas disa muajsh u shtrua në spital dhe u operua me mënyrat dhe mjetet e asaj kohe. Nuk e përballoi dot ndërhyrjen dhe ndërroi jetë më 22 nëntor 1961.

 

Xhuvani e kishte kryer punën me fjalorin dhe e kishte nënshkruar Parathënien e librit në nëntor 1953.

Pra në të njëjtën kohë, në Tiranë A. Xhuvani, lagjar i Kristoforidhit (të dy lindur në lagjen Kala të Elbasanit), dhe në Beograd malësori i Dukagjinit M. Camaj, i ishin përkushtuar rijetësimit të fjalorit të Kristoforidhit. Megjithëse i botuar në 1000 kopje (sipas librit të vyer të Ramazan Vozgës “Libri shqip 1555–1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Tiranë, 2010, f.220), ky fjalor në gjysmën e dytë të shek. XX qe bërë një rrallësi bibliografike. A. Xhuvani shkruan në parathënien e botimit të tij se fjalori mbas botimit të tij më 1904 në Athinë, “mbeti si nji gjâ e çmueshme arkeologjike, e lanë më nj’anë, që u hynte në punë për studime vetëm atyneve që veç shqipes dijshin edhe greqishten. Për pjesën tjetër të Shqiptarëvet, për t’u hymë në punë studentëvet, punëtorëvet, intelektualëvet, i shkruem si ishte me alfabetin greqisht, ishtei papërdorshëm.“Veç kësaj, me krijimin e shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij arsimore, greqishtja e kishte humbur pozitën e saj në arsimin e në kulturën e shqiptarëve, pra ishin rralluar shumë ata që mund ta përdornin lirisht këtë vepër, ku fjalët shqipe janë shkruar me alfabetin grek dhe shpjegimi i këtyre fjalëve është dhënë greqisht. A Xhuvani me tejshkrimin (transliterimin) e tekstitme alfabetin e shqipes dhe me përpunimet e plotësimet e nevojshme e afroi fjalorin te lexuesi shqiptar i mesit të shek. XX; M. Camaj, nga ana e tij,në “Parashtresën e punës” që i prin fjalorit, shprehet kështu: “Qëllimi i kësaj pune âsht të qitunit në dritë para mase veprën e K. Kristoforidhit me të tana cilsinat, që ka.”Por mund të mendohet edhe se duke e përkthyer frëngjisht, deshi ta bënte të njohur e të përdorshëm fjalorin edhe për rrethet e albanologëve të huaj, që nuk i zotëronin në mënyrë të mjaftueshme qoftë shqipen, qoftë greqishten. Sidoqoftë, puna e tij mbi këtë fjalor dëshmon për pasionin shkencor të këtij studiuesi të ri dhe për njohjen e mirë të greqishtes e të frëngjishtes që në atë moshë.

 

Botimi i Pragës i fjalorit të Kristoforidhit u rishtyp në mënyrë anastatike në Prishtinë nga Shtëpia botuese “Rilindja” më 1977, fatkeqësisht pa korrigjuar titullin, d.m.th. si fjalor shqip-greqisht. Këto dy botime me alfabetin e sotshëm e afruan fjalorin e K. Kristoforidhit te një masë më e gjerë studiuesish shqiptarë, që hulumtuan fjalët e shprehjet shqipe nëpër faqet e tij dhe me atë lëndë leksikore shkruan një varg punimesh e kumtesash.

 

Por në transliterimin e tij A. Xhuvani kishte lënë jashtë një shtojcë të vogël të fjalorit (f. 484–502 të origjinalit), që Kristoforidhi e kishte quajtur “Fjalë sllave në përdorim te Shqiptarët, të cilat kanë hyrë gjatë sundimit sllav”. Prof. Mahir Domi e kishte peng mungesën e saj te botimi i A. Xhuvanit. Kjo shtojcë e transliteruar me kujdes nga dr. Thoma Qendro dhe e shoqëruar me një trajtesë analitike nga prof. Anila Omari, studiuesja me përvojë të pasur dhe arritje të shënuara në hulumtimin e sllavizmave të shqipes, u botua te revista “Perla” e Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” para dy vjetësh (2018, nr. 3–4).

Dhe tani të rikthehemi te fjalori i M. Camajt. Siç na kumton në “Parashtresën” e përmendur, ai nuk është mjaftuar vetëm të tejshkruajë (transliterojë) me alfabetin e sotshëm fjalët shqipe që K. Kristoforidhi i pati shkruar me alfabetin e greqishtes, por ka shtuar edhe vetë çka ka ditur për fjalë të veçanta të fjalorit: ka hulumtuar e ka gjetur fjalë sinonime në fjalorë e burime të tjera; ka shpjeguar frazeologjinë ose shembujt me shprehje e fjalë të barasvlershme; për shumë emërtime bimësh a gjallesash, të shpjeguara në fjalor si “një lloj bime” a “një lloj frymori”, janë dhënë shpjegime më të plota ose është gjetur kuptimi përkatës. Në këtë vështrim Fjalori i Kristoforidhit i përpunuar nga M. Camaj vlen edhe si një burim i ri për të njohur pasurinë leksikore të gjuhës shqipe. Tani fjalori është në duart e studiuesve dhe puna rinore e M. Camajt pret gjykimin e tyre. Shtëpia botuese ua ka dërguar fjalorin bibliotekave shkencore të vendit, ndërsa dashamirët e librave të tillë mund ta gjejnë te libraria “Adrion” në sheshin “Skënderbej” – Tiranë. Shtëpia botuese “Dielli” dhe prof. Naile Mala Imami meritojnë përgëzime të çiltra për botimin e dorëshkrimit të Martin Camajt, deri më sot i panjohur për shumicën e studiuesve të gjuhës shqipe.