Ky Kuvend i zhvilloi punimet në Tepelenën heroike nga data 16-17 dhjetor 2023. Tepelena ishte stolisur si për festë. Flamujt kombëtar dhe flamujt e shoqatës ishin vendosur në pikat më të larta të qytetit. Në hyrjet jugore dhe veriore të qytetit ishin vendosur parullat “Mirsevini në Kuvendin e 7- të të Shoqatës Labëria”. Në sallën e pallatit të Kulturës ishin 200 delegatë nga të gjitha trevat e kombit dhe nga Kosova, Maqedonia Veriut, Mali Zi, Çamëria. Na nderuan me pjesëmarrjen ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, deputetët Elisa Spiropali, Vullnet Sina, Etjen Xhafa, Petro Koçi dhe Bujar Leskaj. Profesorët, Shezai Rrokaj, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sherif Lushaj. Prefekti Vlorës Flamur Manaj, Kryetari Qarkut Vlorë Ervis Moçka, Kryetari Bashkisë Vlorë Ermal Dredha dhe 6 grupe polifonike. Ishte një Kuvend i organizuar në mënyrë perfekte. Kryetar i ri u zgjodh Agim Çiraku…..Prof Ago Nezha organizoi një Kuvend perfekt.
Prof. Bamir Topi-ish President i Republikës së Shqipërisë

-Jam shumë i emocionuar për vlerësimin që më bëri Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” po aq i nderuar që jam pjesë e këtij Kuvendi. Kam qenë gjithmonë pjesë e aktiviteteve të Shoqatës, por ky Kuvend është shumë i veçantë. Shumë i bukur. Kam ndjekur me vëmendje debatin për polifoninë tonë të bukur. Askush nuk duhet të guxojë të denigrojë historinë e lashtë dhe origjinën e kësaj kënge kaq hyjnore. Urime dhe suksese Kuvendit!
Vullnet Sina-deputet i PS

Sot pashë një Kuvend që të mrekullon. Një organizim të përsosur. Një organizim që të befason. Një Kuvend që zgjat 2 ditë aq sa nuk mund ta organizojë asnjë parti politike. Kur shikon Tepelenën si sot ndihesh krenar për këtë trevë. Kjo tregon se çfarë fuqie ka kjo shoqatë. Ka në gjirin e saj personalitete të spikatur.
Elisa Spiropali-deputete e PS

Erdha me shumë dëshirë në këtë Kuvend. Unë jam nga Çorraj nga Kurveleshi dhe ndihem krenare që jam nga kjo trevë me histori të rrallë. Ky kuvend tregon se çfarë di të bëjë Shoqata Labëria dhe çfarë personalitetesh ka në gjirin e saj kjo Shoqatë. Ndihem shumë e vlerësuar që jam pjesë e këtij Kuvendi kaq sinjifikativ.






















