Moisi Dalipi: Rekord evropian i basketbollisteve të Flamurtarit, “Ferrari” i Vlorës drejt trofeut të 62-të

694
Sigal

Në Vlorë , kur bie fjala për sportin dhe behet bilanci trofeve të fituara të gjithë me shumë kënaqësi do të veçojnë ekipin e basketbollit të femra të Flamurtarit. Në fakt kanë te drejtë, sepse kjo skuadër që nga viti 1977 dhe deri sot, ka fituar plot 62 trofe, ku brenda tyre janë 22 tituj kampion kombëtar, 20 Kupa të Shqipërisë, 15 Superkupa dhe 5 Kupa të F.SH.B . Këtë fakt e konfirmon dhe trajneri skuadrës Viron Toska, që si me qeshur sqaron se: -“Kur të krijohet mundësia që sporti vlonjat të ketë muzeun e tij, skuadra e basketbollit të femrave të Flamurtarit do t’i duhet të ketë pjesën më të madhe të tij “Në fakt, kjo skuadër meriton shumë, jo vetëm sepse e ka ngarkuar historinë e saj me tituj dhe trofe të shumët, por është e vetmja skuadër sportive në Vlorë, që pothuajse çdo sezon ka fituar trofe. Dhe kur flasim për historinë e fitimit titujve kampion Flamurtari me 22 titujt e fituar është i dyti në radhë pas Tiranës me 41 titujt e fituar në 70-të kampionatet e zhvilluara deri tani. Por në llogaritë që bëhen ka pasur sezone ku vajzat e basketbollit i kanë rrëmbyer të gjitha trofetë dhe kupat e sezonit sportiv. Kjo është edhe arsyeja që në opinionin sportiv vlonjat këtë skuadër të suksesshme e kanë pagëzuar me emrin “Ferrari” i Vlorës. Dhe tingëllon bukur, ky epitet gjatë kësaj periudhe ku ekipi i futbollit, Flamurtarit po humbet shumë nga lavdia e tij, e fituar me aq shumë punë dhe sakrifica nga ata që me futbollin e tyre tronditën Evropën në fundvitet e shekullit të kaluar. Dhe janë brezat e lojtareve dhe trajnereve të kësaj skuadre simpatike që në vite dhe dekada, kanë shkuar mirë dhe bukur historinë e tyre në podiumin e nderit të basketbollit shqiptar të femrave. Gjithsesi, sot kemi zgjedhur të flasim për “Ferrarin” e Vlorës që në këtë kampionat, si pa u ndier dhe pa zhurmë, fiton çdo ndeshje kampionati me rezultat treshifror. Dhe nuk është një dhe dy ndeshje që po ndodh kështu, por në këtë kampionat që është i 71 –të për basketin e femrave, Flamurtari i ka fituar të 9 ndeshjet e zhvilluara brenda dhe jashtë me rezultate të thella me tre shifra. Për të qenë më të saktë le të japim rezultatet e arritura gjatë këtyre javëve të kampionatit.

Java e parë Flamurtari 139 – 29 Kamza

Java e dytë Apolonia 29 -127 Flamurtari

Java e tretë Flamurtari 107 – 48 Vllaznia

Java e katërt Partizani 82 – 102 Flamurtari

Jave e pestë Flamurtari 105 – 61 Tirana

Java e gjashtë Elbasani 103 – 120 Flamurtari

Java e shtatë Flamurtari 131 – 56 Studenti

Java e tetë Kamza 60 – 110 Flamurtari

Java e nëntë Vllaznia 72 – 100 Flamurtari

Dhe bilanci i nëntë javëve të para të kampionatit tregon qartë se Flamurtari ka shënuar plot 1041 pikë dhe ka pësuar 540 pikë. E parë ndryshe ky bilanc, duket qartë se kërkon të thotë se në historinë e kampionateve të basketbollit të femrave, që në Shqipëri ka nisur rrugëtimin e tij në vitin 1947 , asnjë skuadër nuk paraqitet me një trend të tillë të rezultateve të paktën në nëntë javët e para të kampionatit. Por llogarit duan të thonë se ky kampionat ka ende dhe 12 javë për të zhvilluar, pa marr parasysh këtu ndeshjet e pley-ofit për fitimin e titullit, çka do thotë se shifra e pikëve të shënuar me ato të pësuara do kenë një tjetër staturë. E thënë më qartë, në qoftë se do të ruhet ky ritëm, ku fitoret do jenë me tre shifra “Ferrari” Vlorës është me të drejtë një rekordi evropian. I pyetur rreth kësaj ecurie të skuadrës të Flamurtarit trajneri Toska thotë: “Ne llogaritë do të bëjmë në fund të sezonit, kur të gëzojmë për të 23-tën herë fitimin e titullit kampion. Skuadrës nuk i intereson se cilin kundërshtar ka përballë. Ajo futet në fushën e lojës për të fituar me rezultat të thellë. Po behet 15 vjet që drejtojë këtë skuadër dhe kam fituar shumë trofe e tituj, por këtë sezon shikoj tek të gjitha lojtaret një dëshirë dhe përqendrim maksimal për fituar dhe shënuar sa më shumë pikë. Nuk them se këtu po ndikon cilësia e skuadrave të tjera, por është loja e Flamurtarit që po i jep këtij kampionati këtë impakt pozitiv për të qenë kryesues deri në ndeshjen e fundit, atë të fitimit të titullit kampion”.Por kur vjen radha për të mësuar diçka më shumë për shënuesen më të mirë në skuadër trajneri Toska i “shmanget” me shumë kujdes duke thënë: “Llogaritë do t’i bëjmë në fund. Për momentin shënuesja më e mirë është e gjithë skuadra”. Ky togfjalësh ka lënë të nënkuptohet shumë qartë, se ajo që deri tani mund të vlerësohet si sukses është meritë e të gjithë skuadrës, pa dashur të fragmentizojë meritën e shënimit të pikëve tek lojtare dhe ndeshje të veçanta. Kështu trupa kuqezi e “Ferrarit” të Vlorës që ka në përbërje 13 lojtare, ku secila ka pjesën e punës dhe suksesit të saj në këtë ecuri shumë pozitive duke filluar nga Migena Plasa, Artemida Myrto, Adelajda Aliaj, Aida Palko, Olta Rrapaj, Tema Memushi, Era Lloji, Sidi Bleta, Parasheqevi Kasa e për të vazhduar më tej me lojtaret e huaja Aleksandra Stojanovski, Natalia Spaic, Aleksandra Katiç dhe Briana Bey. Por skudra ka një mbështetje dhe garanci të mirë financiare që përbëhet nga sponspozuesi kryesor që është kompania teknologjike MCN e drejtuar nga Edri Meksi, Bashkia Vlorë dhe dashamirësi sportit vlonjat Bujar Leskaj. Dhe të gjitha këto bashkë përbëjnë atë motivimin e duhur për të ecur me hapin e një skuadre që kërkon me çdo kusht të fitojë trofe e tituj kampion. Gjithsesi, kjo ecuri pozitive këtë kampionat e ekipit të basketbollit të femrave të Flamurtarit duket se i ka “shpëtuar” shtypit sportiv shqiptar, që është mjaftuar vetëm me kronikat e shifrave të ndeshjeve të fituara edhe pse tre shifrore, duke harruar se “Ferrari” Vlorës kështu është drejt një rekordi evropian, që i ka munguar kampionatit shqiptar të basketbollit të femrave. Dhe po të ndodhi kështu me të drejtë opinion ynë sportiv i mësuar të krenohet deri tani për arritje të këtij niveli nga noti dhe boksi, atletika dhe peshëngritja, natyrshëm do të ndihet mirë edhe më këtë lloji “rekordi” të vajzave të basketbollit vlonjat.