Moisi Dalipi: Kukësi dhe “bilbilat mëkatarë”

435

Topi, në fushat e kampionatit të Kategorisë Parë

Pas pushimeve dimërore është rikthyer në startin e tij dhe kampionati i Kategorisë Parë ose i quajturi ndryshe edhe “Kampionati i futbollit të qyteteve të vogla”. Edhe ky kampionat është prekur jo pak nga dëshira e madhe për zhvilluar merkaton e dimërore. Në 19 skuadrat që përbëjnë këtë kompeticion janë kryer plot 60 lëvizje hyrje-dalje në skuadrat respektive si dhe dy trajnerë. Por, edhe pse thuhet se janë përforcime të merkatos, pjesa më madhe e futbollistëve kanë lëvizur me shumë, sepse tek ekipet që nisën sezonin drejtuesit nuk janë treguar korrekt me kontratat dhe pagesat. Gjithsesi, kjo ka qenë java e 13-të e këtij kampionati dhe nuk ka pasur shumë të papritura në rezultate dhe parashikime se sa në problemet që janë ndeshur dhe janë konstatuar në nëntë fushat ku janë zhvilluar ndeshjet. Përveç terrenit dhe fushave të papërshtatshme për të luajtur futboll, janë shtuar tani së fundi dhe gjykimet e “bilbilave mëkatar” të cilët me “gabimet e tyre njerëzore” kanë sjellë tensione, kundërshtime dhe mos pranim të rezultatit që ka prodhuar fusha e lojës. Kështu në grupin B drejtuesi klubit të Orikut. Gëzim Capo dhe trajneri Eqerem Memushi, ia faturojnë humbjen 2-0 me Elbasanin gjyqtarit lezhjan Ervin Hoxha, i cili ka favorizuar hapur skuadrën vendase me synimin që ajo të fitonte. Në Cërrik në ndeshjen Turbina 1-2 Besa, janë dhënë tre penallti që, sipas vendasve, nuk kanë qenë të tilla, por një sajesë trullosëse e gjyqtarit Olsi Ferataj, që ka paragjykuar skuadrën vendase. Por jo vetëm kaq, sepse kanë ndodhur dhe çudira si ajo në Pukë në ndeshjen Tërbuni 0-1 Kastrioti, ku skuadra vendase për më shumë se 50 minuta lojë ka luajtur me mbrojtësin Zagani në portë, për mungesë të portierit të dytë, pas dëmtimit të portierit parë Baci. Pukjanët dhe drejtuesit e tyre e shkarkuan ish-trajnerin Oltion Kërnaja nga “Facebooku”, e madje nuk denjuan as t’i çonin një shkresë zyrtare apo, as në një mbledhje, ndonëse kishin punuar katër vite me të. Detaje dhe copëza fragmentesh këto nga futbolli shqiptar që me sa duket po zhvillon në këtë kategori një kampionat krejt formal në shumë drejtime. Kësisoj këtij kampionati nuk i mjaftojnë shumë parregullsi dhe mungesë e të drejtave të klubeve të financuara nga buxhetet e bashkive dhe sponsorizimet e ndryshme, por gjatë rrugëtimit të tij shtohen dhe problemet e gjykimit, ato të mungesës të tifozëve, si dhe mos korrektësia në pagesat mujore. I tillë është ky kampionat futbolli që dikush e ka emëruar “Kampionati Kategorisë së Parë”. Kjo problematikë e konstatuar tashmë shumë vjet me skuadrat e këtij niveli, të bën të mendosh ndoshta dhe më keq për kampionatin e Kategorisë së Dytë, të Tretë dhe, pse jo, për kampionatet e moshave. Duke lënë diçka mënjanë problematikat dhe hallet që bëjë të rezistojë ky event sportiv, le të gjykojmë dhe analizojmë ndeshjet e kësaj jave në të gjitha grupet.

Rezultatet, Kategoria e Parë

Grupi A

Tërbuni-Kastrioti 0-1
Shënues: 13′ Marku

Veleçiku-Besëlidhja 0-1
Shënues: 30′ Dibra

Burreli-Erzeni 2-1
Shënues: 12′ Hyska, 30′ Beci/ 60′ Lajthia

Dinamo 0-0 Egnatia

Korabi -pushim

KLASIFIKIMI

  1. Kastrioti 29 Pikë
  2. Besëlidhja 22 Pikë
  3. Korabi 19 Pikë
  4. Erzeni 18 Pikë
  5. Burreli 18 Pikë
  6. Egnatia 14 Pikë
  7. Tërbuni 10 Pikë
  8. Veleçiku 8 Pikë
  9. Dinamo 5 Pikë

Shënim Shkumbini është përjashtuar nga aktiviteti, ndërsa pikët ndaj këtij ekipi zerohen

Duke gjykuar për katër ndeshjet e këtij grupi bie në sy shkëputja e ekipit krutan të Kastriotit që nuk ka të ndaluar dhe në ndeshjet jashtë fushës tij. Plot 7 pikë i shkëputur nga ndjekja më e afërt Besëlidhja janë jo pak për ekipin e trajnerit Ramadan Ndreu, që tashmë e shikon shumë pranë rikthimin në Kategorinë Superiore. Në ndeshjen me Tërbunin skuadra vendase ia lehtësoi fitoren krutanëve, teksa nuk ka ditur të menaxhojë dhe konturojë as formacionin e parë me futbollistët e duhur. Lezhjanët fitojnë bukur, ndaj Veleçikut me atë rezultat tre pikësh, duke shpresuar jo pak tek faza plej-off. Burreli gjen fitoren 2-1 ndaj Erzenit, duke rritur moralin për një vend komod në mesin e klasifikimit. Shijakasit me trajnerin e rikthyer në drejtim Stavri Nica, kanë pranuar humbjen duke nxjerrë mësime për ndeshjet e ardhshme. Dinamo e lakuar aq shumë se është përforcuar me një skuadër të re nga merkato, nuk ka shkuar më shumë shumë se barazimi pa gola në përballjen me Egnatian. Ndoshta kjo skuadër e drejtuar nga nga stafi “picajolëve” italianë tashmë shikon më shumë për luajtur në kategorinë e futbollit shqiptar të fshatrave se sa atje ku ka plot nëntë sezone që vuan. Të vjen keq që një skuadër me 18 tituj kampion dhe 15 Kupa të fituara të jetë në këtë gjendje. Edhe kjo është tjetër gjë e shëmtuar e futbollit tipik shqiptar të këtyre viteve të fundit, ku emrat e mëdhenj si Dinamo janë braktisur, janë harruar dhe janë në një gjendje të tillë sa një Zot e di më mirë.

Pesë ndeshjet e Grupit B kanë prodhuar vetëm 7 gola. Pak, shumë pak nga nivelet më ulëta në këto javë kampionat. Lushnja rikthehet në krye të klasifikimit fort, duke korrigjuar vetveten që në ndeshjen e parë të vitit 2020. Elbasani gjen fitoren e tretë, por të dytën radhazi këtë sezon ndaj Orikut që humbjen ia faturon gjyqtarit. Kështu vepron dhe Turbina për humbjen e shkaktuar nga Besa. Apolonia fiton në ndeshjen e vështirë me Ilirinë, kurse Shënkolli merr barazimin 0-0 me Pogradecin, që i “shërben” më së miri Lushnjes për të dalë në krye.

Rezultatet, Kategoria e Parë

Grupi B

Lushnja-Devolli 1-0
Shënues: 35′ Mezini

Elbasani-Oriku 2-0
Shënues: 45+1′ Peposhi, 50′ Duka

Iliria-Apolonia 0-1
Shënues: 77′ Mihana

Turbina-Besa 1-2
Shënues: 71′ Jaupi/ 82′ Çelhaka, 86′ Çelhaka

Shënkolli-Pogradeci 0-0

KLASIFIKIMI

  1. Lushnja 28 Pikë
  2. Pogradeci 27 Pikë
  3. Apolonia 26 Pikë
  4. Besa 20 Pikë
  5. Devolli 16 Pikë
  6. Iliria 15 Pikë
  7. Oriku 15 Pike
  8. Shënkolli 14 Pikë
  9. Turbina 11 Pikë
  10. Elbasani 10 Pikë

Duke u nisur nga rezultatet dhe klasifikimi na bën përshtypje fitoja e myzeqarëve lushnjarë ndaj Devollit që ndryshe mund të vlerësohet si një “hakmarrje” për humbjen e fazës parë ndaj devollitëve. Sulmuesi i ri, Mezini jo vetëm që jep tre pikë për kryesim skuadrës së vet, por në këto javët e fundit po prezantohet si golashënues me të ardhme. Mes polemikave dhe ndëshkimeve ndaj skuadrës mike të Orikut, portokallinjtë elbasanas kanë marrë tre pikë shprese për të synuar ngjitjen në klasifikim. Peposhi dhe Duka mbajnë autorësinë e golave të kontestuar.

Ndërkohë mesfushori Mihana u ka dhënë fitoren fierakëve ndaj fushë-krujasve, në një ndeshje të vështirë, por që ngjall shpresë për të qenë në grupin e më të mirëve në klasifikim.

Besa fiton me Turbinën, duke treguar se nuk gabon nga pika e penalltisë për “dhuratat” që i bën gjyqtari ndeshjes. Dhe është Çelhaka që shënon dygolësh në minutat 82` dhe 86`, edhe pse vendasit udhëhiqnin në rezultat me golin e shënuar nga Jaupi.

Pa gola me rezultatin 0-0 ndeshja Shënkolli-Pogradeci, që ndryshe ndëshkon liqenorët si kampion “dimri”, duke bërë që të humbasin kryesimin në grupin e tyre. Kështu topi rikthehet në fushat e Kategorisë së Parë me ndeshjet e tij të para për vitin 2020. Java e ardhshme pritet të ketë përballje jo pak të rëndësishme, ku mund të përcaktohen pozicione të tjera në klasifikim , po jo kurrsesi për të rregulluar diçka më mirë ato që i duhen një loje të ndershme futbolli për t’u quajtur siç edhe e meriton, një garë sportive.

GRUPI A

JAVA E 14-të, 01.02.2020

Egnatia –Veleçiku,

Besëlidhja –Tërbuni,

Korabi –Burreli,

Erzeni –Dinamo,

Kastrioti –Pushim,

GRUPI B

JAVA e 14-të 01.02.2020

Pogradeci –Elbasani

Oriku –Lushnja

Devolli-Turbina

Besa –Iliria

Apolonia –Shënkolli