Moisi DALIPI: Harun  Dojaka “Mjeshtër i Sportit”,  nga Filati i Çamërisë   

544
Sigal

Në rradhët e kominitetit çam  gjen personalitete të fushave të ndryshme, të cilët kanë kontribuar fortë me tërë  vlerat e tyre për rritjen  e shkencës , kulturës  dhe sportit të vendit tonë. Dhe njëri prej tyre është  pa  as më të voglin  dyshim  dhe  Haruan Dojaka. Një sportist shumëplanësh  ky  që  ka ushtruar  në vitet e rinisë  tij  atletikën , futbollin ,notin dhe vaterpolin  por që u  dashurua më fortë me sportin e volejbollit  duke I  shërbyer  atij për   shumë vite dhe dekada si  lojtar, trajner dhe gjyqtar. Dhe  sportit  të volejbollit  Harun Dojaka ju përkushtua për më shumë se gjysën shekulli, duke nisur  si lojtar  në vitin 1952, tek ish –“17 Nëntori”  dhe  duke e mbyllur  si trajner  dhe seleksionues  në vitin 2013,  tek  ekipet e moshave të  qytetit  të   Ashsodit  në Izrael. Por jo vetëm kaq, sepse jashtë  kornizës  të  këtyre viteve  nuk mund të qëndroin  dhe vitet e rinisë  tij  në qytetin e Sarandës , ku nga  1946  deri 1952 ai ka ushtruar fortë  e bukur sportet e  atletikës , futbollit , notit dhe vaterpolit. Dhe të gjitha këto  vite  të ngarkuara me sport dhe për sportin i japin Harun Dojakës  një vend nderi në  podin e  më të mirëve të sportit tonë. Familja e Iljaz dhe Nurie Dojakës  ardhur nga Filati Çamërisë në qytetin e Sarandës  rreth  viteve  1925. E vendosur me banim diku tek një kodër pranë  detit , ku sot është lagjia Nr 1 e qytetit bregdetar,  më i madhi fëmijëve që mbante dhe emrin e gjyshit vet Haruni,  do të dashurohet shpejt me sportet e ujit siç janë noti dhe vaterpoli. Por të dhënat fizike të trupit tij do t’i japin  të drejtën të ushtrohet dhe në llojet e tjera të sportit, siç janë atletika, futbolli dhe volejbolli. Madje si një sportist shumëplanësh  në  vitet  1946-1952 , Harun Dojaka do të ndihmojë fort me talentin e tij ekipin  vendas të “Butrintit” të Sarandës , në të gjithë  llojet e sportit, ku më shumë ai do të spikatë  me sportin e  volejbollin. Në vitin 1952  kur ekipi volejbollit të meshkujve të“Butrintit” do të konturohej si skuadër, familja e djaloshit çam do të transferohej me banim në Tiranë. Një mundësi më shumë kjo për Harun Dojakën që të bëhet pjesë  e ekipeve të  volejbollit më parë “Spartakut”  të Tiranës , që më pas është  “17 Nëntori” .

Ai së bashku me Fatmir Mekën,Vangjel Kojën, Safa Vokopolën , Qemal Gjinalin, Ismail Malokun, Pellumb Pelivanin dhe Andon Konen, do  të bënin që ekipi i meshkujve të “17 Nëndorit” të ishte në rivaliet të fortë me “Dinamon”, “Partizanin” e “Studentin”. Ata fitojnë  titullin kampion në 1957 dhe  tre herë Kupën e Shqipërisë  në vitet 1957, 1958 dhe 1964.  Nga kjo skuadër  e këtyre  viteve,  Harun Dojaka së bashku me Pëllumb Pelivanin, Vangjel Kojën  dhe Andon Konën do  të ishin dhe  pjesë e ekipit  tonë kombëtar. Por  nga  vitet 1961 Harun Dojaka,  jo vetëm që  do ishte pjesë e skuadrës të meshkujve  si lojtar  deri në 1966, por do të drejtojë  për  9 vjet  rresht deri në vitin 1970 dhe ekipin e volejbollit  të femrave të “17 Nëntorit”. Por ky njeri  kaq shumë i përkushtuar për sportin e volejbollit,  paradite  do jetë në  punë si radioteknik  në  ish ndërmarrjet e  riparim -shërbimit në Tiranë, kurse  mbasdite  do stërvitej me ekipin e meshkujve, si dhe do të  drejtonte stërvitjen e ekipit të femrave. Jashtë  agjedës  tij  javore  nuk  do të mbeten   dhe  drejtimi  skuadrave  sportive të  volejbollit të  Pallatit të  Pionierëve  në Tiranë . I palodhur , i përkushtuar deri në sakrificë  dhe plotë pasion për punën dhe sportin, Harun Dojaka do të  formojë portretin e tij sportiv  në këto vite. Në harkun e  9 viteve në drejtimin e ekipit të femrave të “17 Nëntorit” ai merr plotë  7 tituj kampion në vitet 1961,1962,1963,1964,  1966/1967, 1967/1968, dhe 1968/1969  dhe  4 Kupa të Republikës në vitet 1965,1966,1967,dhe 1968 . Një superfuqi kjo skuadër në këto vite, jo vetëm  në kampionatin shqiptar të femrave, por dhe në Kupat e Evropës Lojtare të tilla si e madhja Farie Hoti dhe me rradhë të tjerat , Vera Verria,Valentina Dinella, Rajmonda Bytyçi, Rina Shehu dhe Sashenka Azemi përbënin atë skuadër me të cilën trajneri Harun Dojaka, shkruajti histori brenda dhe jashtë vendit. Në vitin1969  skuadra kampione e  “17 Nëntorit” do ndeshet për herë të parë në historinë  e volejbollit shqiptar për Kupat e Evropës. Në turin e pare është përballë  “Fenerebaçes” të Turqisë. Ndeshjen e pare e  fiton skuadra  jonë bardheblu  3-1 në Tiranë.

Përsëri fitore dhe në ndeshjen e kthimit  në Stamboll, por me rezultatin   3-2 . Edhe pse skuadra jonë kishte  kryer dy ditë udhëtim me mikrobus,  ajo zhvilloi një ndeshje të  shkëlqyer në Stamboll. Ish mjeku sportiv i skuadrës Lluka Heqimi,  kujton:- “Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur shumë. Vajzat dhe trajneri Harun Dojaka kanë qenë  fantastikë. Përpara ndeshjes,  trajneri Dojaka  nuk lejoi skuadrën të futej në fushë pa u vendosur flamuri ynë kombëtar në podin e nderit. Ky fakt si dhe fitorja, duke kaluar në turin tjetër,  bëri që një shqiptar  me banim në Stamboll, me emrin Myslyl Beu, të shtrojë një darkë për ekipin dhe ti dhurojë të gjithë  skuadrës nga një orë dore. Kjo “dhuratë” nuk  i pëlqeu  shoqëruesit të sigurimit, duke bërë që skuadra të refuzonte peshqeshet e Myslym Beut”. Në turin tjetër , Tirana   është eleminuar nga “Rapidi”  i Bukureshtit, pas një ndeshjeje  të jashtëzakonshme. Por vetëm kaq tek Tirana , sepse aventura si trajner për Harun Dojakën do të vazhdojë për tre sezone tek ekipi femrave të “Dinamos” . Ishte viti 1970, kur Harun Dojaka mori drejtimin e “Dinamos”  në  kategorinë  e dytë. Pas një rifreskimi që i dha  skuadrës me lojtraret e reja  në sezonin pasardhës 1971-1972, “Dinamo”  e Haruan Dojakës me lojtaret Donika Muka, Donika Shakaj, Eva Kavaja, Fatmira Dreni , Fatime Ibrahimi,Semiha Suljemani, Liza Gjinaj, Florida Shurbi, Zana Bekteshi, Pranvera Hoxha, Valentina Dashi, Margarita Çela dhe Brikena Çabej,  shpallet kampione kategorisë  dytë,  duke u kthyer në grupin e më të mirëve. Për arsye që nuk ka marrë  një shpjegim që duhet këtë skuadër  të ndërtuar  aq bukur  nga Harun Dojaka,  nuk ja lejojnë  ta drejtojë më “trajneri çam”,  duke ia dhënë atë  të madhit, Kreshnik Tartari. Ai  thotë:-“ E mora skuadrën  dhe vazhdova një kampionat të kategorisë parë  duke mos lëvizur asgjë nga formacioni që kishte  ndërtuar me aq profesionalizëm miku im, Dojaka. Në atë sezon u renditën në vendin e tretë. Për ngritjen e “Dinamos” madhe që bëri emër në  ato vite në Evropë,  ndër të tjera  unë kam pasur dhe ndihmën e Harun Dojakës . Ai ka punuar me një nivel të admirushëm, me përkushtim  dhe pasion shembullor ”. Në vitet 1973-1977 Harun Dojaka do marrë  drejtimin e  ekipit të femrave të “Partizanit” që kishin plot  20 vjet në kategorinë e dytë. Me punë, përkushtim dhe pasion, duke u mbështetur fortë tek tre lojtaret cilësore si motrat  Lejla dhe Lulëzime Duka dhe Majlinda Rama,  në fund të sezonit 1973-1974,  “Partizani” fiton të drejtën për në kategorinë e parë. Por, kur gjithçka shkonte mirë dhe  bukur, dikush  në vitin 1977 u kujtua se “trajneri çam” Harun Dojaka,  ishte djali i motrës së “armikut” Teme Sejkos dhe  duhej larguar  si  trajner  nga “Partizani”. Dëshpërim dhe zhgënjim total për këtë njeri pasionant dhe të përkushtuar. Pak kohë ushtron detyrën e gjyqtarit të volejbollit dhe pastaj gjithçka  me sportin kishte të bënte vetëm me lëvizjet nostalgjike  që bënte me atë biçikletën e tij të tipit “Mifa” në vendet ku luhej volejboll. Në  rrugën e tij të sportit në vitet 1985, përkushtohet fortë  i biri, Amosi, që si voljbollist i “Studentit”  dhe “Tiranës” por dhe aktivizimet e tij në Gjermani dhe Izrael deri ne vitin 1998, si dhe me trofetë e fituara,  ai  ishte një kopje e të atit tij, Harun Dojakës. Pas vitit 1991 “legjenda” Harun Dojaka  së bashku me bashkëshorten Marlena,  me origjinë hebreje do të emigrojë  në qytetin e Ashdodit në Izrael, ku  për shumë se 20 vjet do të punojë me ekipet e moshave të volejbollit  të këtij  qyteti duke përgatur  breza të tërë në volejboll. Gjithsesi,  Harun Dojaka  me kaq shumë kontribute dhe vlera është  harruar  nga ata që e kanë për detyrë,  duke u majftuar  vetëm me  vlerësimin  me  titullin e thjeshtë “Mjeshtër Sporti”.

Skeda  e Harun Dojakës

Lindur ,   më 25 nëntor në Sarandë dhe ndarë nga jeta më 5 maj 2013

Karriera sportive: 1946-1952 sportist shumëplanësh tek“Butriti”  dhe 1952 -1966 volejbollist tek “Spartak” dhe  “17 Nëndori”,  ku fiton një titull kampion,   tre  Kupa Republike.

-Karriera  si trajner: në vitet 1961-1970  trajner tek “17 Nëntori”  ku fiton  7 tituj kampion dhe  4 Kupa Republike. Në vitet 1970-1972  ka drejtuar ekipin femra të velojebollit të  “Dinamos” duke shpallur kampion kategorisë dytë në sezonin 1971/1972. Në vitet 1973 /1977 drejton ekipin e femrave të volejbollit “Partizanit” që pas  20 vjetëve ngjitet në kategorinë  e  parë. Në vitet 1992- 2012  trajner dhe seleksionues i ekipeve të volejbollit të qytetit  Ashdod  –Izrael.

Vlerësime: “ Mjeshtër Sporti”