Valon Behrami: “Nuk e harroj kurrë që jam shqiptar”

490
Sigal

Zvicra ka në Kombëtaren e saj tre lojtarë kosovarë dhe dy shqiptarë të Maqedonisë

Të martën do të luhet Zvicër-Shqipëri, një ndeshje që ka fituar një vëmendje të veçantë në median helvetike, kjo dhe për faktin se, në ekipin zviceran janë jo pak, por pesë lojtarë shqiptarë, nga Kosova dhe Maqedonia: tre titullarë, Valon Behrami, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, si dhe dy zëvendësues, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmeti. Portali online zviceran 20minuten.ch e konsideron atë ndeshje, “jo si të tjerat”. Kjo dhe për shkak se, pesë lojtarët shqiptarë kanë një lidhje të fortë me vendin e origjinës së tyre. “Unë nuk do ta harroj kurrë se nga vij”, – citohet Behrami.- Tatuazhi me shqiponjën shqiptare në këmbën time ma kujton këtë pa pushim. Por, kjo nuk do të pengojë. Unë luaj për Zvicrën dhe do të bëj gjithçka që, të fitojmë të martën. Mesazhi im është i thjeshtë: duhet ta përgatitim këtë ndeshje, njëlloj siç i kemi përgatitur edhe të tjerat. Trajneri Otmar Hitcfeld dhe lojtarët e tij janë të bindur se, kundër Shqipërisë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Zvicra fitoi 2-0 me Slloveninë në Lubjanë, dhe po me fitore e nisi edhe Shqipëria me Qipron (3-1). Për këtë arsye, një fitore e dytë do të thoshte shumë për zviceranët, do të sillte një tjetër atmosferë rreth ekipit zviceran. Por, trajneri gjerman i Zvicrës e di fare mirë se, ndaj Shqipërisë nuk do të jetë kurrë e lehtë. Ndeshja kundër Shqipërisë nuk është një ndeshje si të tjerat. Zvicra, që renditet aktualisht në vendin e 20-të në FIFA, Shqipëri ndodhet në vendin e 84-t. Ajo që e komplikon më shumë ndeshjen Zvicër-Shqipëri është atmosfera që do të krijojnë tifozët shqiptarë. Në Zvicër jetojnë disa qindra mijëra shqiptarë dhe ekipi ynë do të ketë një mbështetje të fuqishme dhe, sigurisht ngarkesa emocionale do të jetë shumë e lartë për pesë lojtarët shqiptarë të skuadrës zvicerane, duke e shndërruar sfidën në një ndeshje shumë “delikate”, sipas mediave zvicerane. Në Zvicër bëjnë llogari se, nëse fitojnë të martën në Lucernë kundër Shqipërisë, atëherë ajo do të bëhet një hap të vërtetë drejt Brazilit. Humbja e Norvegjisë në Islandë i shërben kësaj logjike. Të mundur 2-0 më Reikjavik, norvegjezët do të përballen të martën kundër Sllovenisë, në një ndeshje shumë vendimtare. Ekipi që do të humbasë nuk do të ketë praktikisht më asnjë shans për të dalë i pari në grup. Por, Otmar Hitcfeld është i vetëdijshëm se, një nënvlerëim i Shqipërisë mund t’i kushtonte shume. Të premten, në Tiranë, përballë Qipros, shqiptarët e vendosën fatin e ndeshjes vetëm në minutën e 84-t, të ndihmuar edhe nga dalja aventureske e portierit kundërshtar. Shqipëria mbërrin në Zvicër me tre lojtarë që luajnë në kampionatin vendas. 20minuten.ch shkruan se, se “atu”-ja ofensive e trajnerit italian të Shqipërisë, Xhani De Biazit, është sulmuesi Armando Sadiku, autori i golit të parë të Shqipërisë luan me Luganon e Kategorisë së Dytë, debutuesi Burim Kukeli me Cyrihun dhe mesfushori Jahmir Hyka me Lucernin, pikërisht në qytetin ku dhe do të luhet ndeshja. Për më tepër, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, është një ish-lojtar i moshave të Lozanës, ndërkohë që tani ai luan për Lacion.

_______________________________________________

SHQIPTARËT E ZVICRËS

 ____________________________

VALON BEHRAMI

Mesfushori është lindur në Mitrovicë, më 19 prill 1985, ndërkohë që emigroi qysh fëmijë me familjen në Zvicërs Aktualisht luan me Napolin, por në karrierën e tij janë edhe Stabiop, Kiaso, Lugano, Xhenoa, Verona, Lacio, Uest Hem Junaitid dhe Fiorentina. Behrami kishte mundësi të luante me Shqipërinë, por ai e refuzoi duke zgjedhur Zvicrën (2005). Është aktivizuar në 33 ndeshje, duke shënuar dy gola.

GRANIT XHAKA

Mesfushori është lindur në Gjiljan të Kosovës, më 27 shtator 1992. Qysh fëmijë emigroi së bashku me familjen, duke u vendosur në Bazel të Zvicrës. Granit Xhaka vlerësohet si një talent i madh. Fillimet e tij ka me Bazelin, por tani luan në Bundesligën 1 gjermane me Borusian e Mënshegladbahut. Ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës. Me Kombëtaren është aktivizuar në 11 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

XHERDAN SHAQIRI

Mesfushori është lindur në Gjiljan të Kosovës, më 10 tetor 1991, dhe qysh fëmijë emigroi së bashku me familjen, duke u vendosur në Bazel të Zvicrës. Aktualisht luan me Bajernin e Munihut, ku u transferua në shumën e 13.6 milionë eurove. Me Bazelin në 90 ndeshje shënoi 29 gola. Ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës. Me Kombëtaren është aktivizuar në 20 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola.

BLERIM XHEMAILI

Mesfushori ka lindur në Bogovinjë të Maqedonisë, më 12 prill 1986. Në moshën 4 vjeç, Blerimi dhe familja e tij emigruan në Zyrih të Zvicrës. Aktualisht luan me Napolin, por Blerim ka veshur fanellat edhe të Cyrihut, nga dhe ku u shit në Angli te Bolton Uonderesi, dhe më pas ka luajtur në Itali me Torinon dhe Pamrën. Me Kombëtaren është aktivizuar në 20 ndeshje, por nuk ka shënuar asnjë gol.

ADMIR MEHMEDI

Sulmuesi është lindur në Gostivar të Maqedonisë, më 16 mars 1991. Aktualisht luan me Dinamon e Kievit në Ukrainë, ndërkohë që më parë ka luajtur me Cyrihun. Është aktivizuar me Kombëtaren U-21 zvicerane duke shënuar 6 gola në 9 ndeshje. Me Kombëtaren A zvicerane është aktivizuar në 11 ndeshje, duke shënuar 1 gol në fitoren 5-3 të Zvicrës ndaj Gjermanisë. Vlerësohet si sulmues i talentuar.