Ylli Shehu: “Partizani po përgatitet për trofe”

535
Sigal

Flet për “Telegraf” ish-sulmuesi i Kombëtares: “Botërori i Shqipërisë varet në Slloveni dhe Islandë”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare tha për “Telegraf” se, skuadra e “kuqe” po punon seriozisht për të afruar elementë cilësorë, që jo vetëm të përballojë sezonin e ri, por ajo do të luftojë për trofe. “Partizani u rikthye pas disa vitesh mungesë dhe drejtuesit po punojnë për të ndërtuar një ekip të madh. Tifozeria pret trofe këtë vit, – tha Shehu. Partizani nuk fiton një kampionat nga viti 1993 dhe një Kupë të Shqipërisë nga viti 2004. Skuadra e kuqe numëron 15 kampionate dhe 15 kupa të fituara, duke qenë ekipi i tretë me më shumë trofe pas Tiranës (39) dhe Dinamos (31). Trajneri i disa ekipeve, përfshirë Partizanit, Teutën, Luftëtarin, Tomorin, Kukësin, etj., foli edhe për ecurinë e mirë të ekipit Kombëtar.

– Zoti Shehu, duke i bërë një përmbledhje gjashtë ndeshjeve të para të Kombëtares, me vendin e dytë në grup dhe një numër të konsiderueshëm prej 10 pikësh, çfarë është dalluar te kjo Kombëtare?

– Prezantimi i deritanishëm i Kombëtares është pozitiv, pasi kemi arritur një numër pikësh, ndoshta dhe të pamenduar. Gjithsesi, nëse nuk do të kishim humbur me Islandën në Tiranën dhe barazonim me Norvegjinë, po këtu, do të ishim shumë më mirë. Megjithatë, në një farë mënyre u kompensua me fitoren e papritur në Norvegji. Për mendimin tim, kemi lenë pesë pikë, që do të na bënin pretendentë seriozë.

– Duket se ka një moment euforie në ambientin e Kombëtares, madje “Brazil 2014”, po përsëritet gjithmonë e më me forcë. Cili është mendimi juaj, si një ish-lojtar i Kombëtares?

– Ekipi Kombëtar gjithmonë ka kaluar momente euforie deri në mes të eliminatoreve, dhe më pas kemi pësuar rënie të menjëhershme dhe jemi shkrirë. Në këtë kompeticion, mendoj se ka arritur deri te pika maksimale. Dy ndeshjet e radhës, të cilat do të luhen në Slloveni dhe Islandë, do të vendosin në një farë mënyre edhe fatin e Kombëtares sonë në kualifikueset e Botërorit.

– Me Islandën ne humbëm në Tiranë, ndërkohë që fituam me Slloveninë. Nga ana tjetër, Sllovenia vjen pas fitores 4-2 në Islandë. Skenar shumë intrigues, apo jo?

 – Sllovenia dhe Islanda janë dy rivalë të drejtpërdrejtë për të kapur vendin e dytë, pasi në lojë janë dhe 12 pikë dhe me diferencat që kanë ekipet në renditje gjithçka është e mundur. Në këto ndeshje duhet të tregojmë forcën dhe pjekurinë tonë. Janë shumë vendimtare.

– Shehu, prej 11 vjetësh, nga viti 2002, Kombëtarja drejtohet nga trajnerë të huaj, pra nga Dosena te De Biazi. Në vlerësimin tuaj, a ka pasur ndonjë revolucion në ekipin tonë?

– Për hir të së vërtetës, të gjithë trajnerët, si shqiptarë ashtu dhe ata të huaj, kanë pasur të njëjtën filozofi: kanë afruar elementin e ri më të mirë të kohës, kanë zhvilluar ndeshje të mira, dhe ka pasur lojtarë që kanë rezistuar gjatë, derisa kanë lënë futbollin me ekipin Kombëtar. Atë që, unë do ta veçoja ka të bëjë më faktin e mënjanimit të thashethemeve, për lojtarë të zgjedhur me mik, e të tjera si këto. Të shqiptarët përfolej shpesh. Të huajt marrin shumë dhe ndoshta kjo i ka bërë më të pavarur, përfshirë dhe faktin se, pjesa më e madhe e lojtarëve luajnë jashtë.

– A mund të flasim për talente në ekip?

– Unë do ta konsideroja si një grup të mirë lojtarësh. Talenti del gjithmonë nga grupi. Fakti që, shumë futbollistë kërkohen në merkato kjo është një gjë shumë e mirë.

– Ju keni qenë sulmues i mirëfilltë. Si do t’i çmonit ata që kemi në Kombëtare?

– Kemi sulmues të mirë. Kuptohet që, ka shumë ndryshim me mënyrën sesi luanim në kohën tonë, pra në vitet 1985-1995. Gjithsesi, loja që bën ekipi ynë kombëtar nuk është se i vendos sulmuesit shumë para portës. Më shumë po luhet me kundërsulm, me një mbrojtje të përforcuar. Më shumë shohim veprime dhe shpërthime individuale të sulmuesve.

– Zoti Shehu, Partizani tashmë është pjesë e Kategorisë Superiore, pas një mungese katërvjeçare. Sezoni i ri është shumë i vështirë, pasi do të bien direkt katër skuadra në një kampionat me 12 të tilla…

– Mesa jam i informuar, Partizani është duke punuar seriozisht për të bërë një merkato cilësore. Partizani është ndoshta ekipi më popullor në Shqipëri, kështu që skuadra do të jetë nën presion. Do lojtarë shumë të mirë, ndërkohë që tifozët kërkojnë trofe. Pra, do futbollistë të gatshëm për momentin, pasi për të ardhmen do të punojë Akademia e tij. Kampionati do të jetë shumë i fortë. Do të ishte mirë që, të punohej shumë për afrimin e kompanive, pasi dhe për këto të fundit do të ishte nder që të investonin për publicitet te një ekip si Partizani.

– Ju jeni një njohës i mirë i futbollit shqiptar, sa ndikojnë financat në skuadrat shqiptare?

– Shembujt më të mirë janë Skënderbeu dhe Kukësi, kampioni dhë nënkampioni i vendit. Korçarët në tre vitet e fundit realizuan investime shumë serioze, si në grupin e lojtarëve, ashtu dhe në infrastrukturë dhe fituan tre kampionatet e fundit. Edhe Kukësi ndoqi thuajse të njëjtën traditë. Brenda dy vjetësh u ngjit nga Kategoria e Dytë në të Parën dhe më pas, në Kategorinë Superiore. Kukësi zuri vendin e dytë dhe fitoi të drejtën për të luajtur në Ligën e Europës

– Kur ballafaqohemi në ndeshjet ndërkombëtare, shumë rrallë kemi pasur sukses. Sipas jush, cilat mund të jenë arsyet?

– Përsa i përket dështimit të ekipeve tona në Europa, mendoj se janë disa arsye. Kjo ka të bëjë edhe me një strategji jo shumë logjike që, ndjekin klubet tona. Me përjashtim të Skënderbeut që, ka një grup kompakt, Teuta dhe Laçi nuk kanë emra të mëdhenj në grupet e tyre. Gjithsesi, duhet pritur edhe hedhja e shortit, më 24 qershor, si të Ligës së Kampioneve ashtu dhe të Ligës së Europës.

KLUBI I KUQ: “PARTIZANI DHE DURO NUK JANË NË GJYQ”

Ka reaguar menjëherë klubi i futbollit Partizani, pas një lajmi të publikuar në një të përditshme sportive, sipas së cilës trajneri Shpëtim Duro ka hedhur në gjyq të kuqtë për mosshlyerjen e detyrimeve financiare. Nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp, Klubi i Futbollin Partizani sqaron se ky informacion është i rremë, pasi Shpëtim Duro dhe Partizani janë në mirëkuptim të plotë mes tyre dhe se kjo çështje nuk do të shkojë në Gjykatë. Në këtë deklaratë u kërkohet mediave që të veprojnë në mënyrë sa më profesionale, për të mos dëmtuar imazhin e Partizanit në këtë moment delikat, teksa synohet ndërtimi i një skuadre dinjitoze për sezonin e ardhshëm. “Përfitojmë nga rasti të sqarojmë edhe një herë se, respektimi i plotë i marrëveshjeve dhe kontratave të nënshkruara është dhe do të mbetet politikë rigoroze e Partizanit, jo vetëm për njerëz të familjes si është rasti ‘Duro’, por për çdo lojtar, trajner apo palë të 3-të që do të bashkëpunojë. Duke mos dashur të besojmë që, publikimi i një lajmi të tillë është bërë me qëllim dashakeq për të dëmtuar imazhin e Klubit të Futbollit Partizani, në këtë periudhë delikate të përgatitjes për sezonin e ri, i bëjmë thirrje mediave sportive serioze që të sillen në mënyrë profesionale në seleksionimin e burimeve, verifikimin e informacioneve dhe njohjen më të mirë të proceseve dhe procedurave të Disiplinës Sportive”, – përfundon deklarata e Klubit të Futbollit Partizani.

TRI GODITJET E RADHËS

Partizani realizoi dje tri blerjet e radhës. Ata janë: Mevlan Murati nga Maqedonia, Besnik Krasniqi nga Prishtina dhe Labinot Ibrahimi, po nga Prishtina. Të tre lojtarët firmosën kontrata 3- vjeçare me klubin e kuq.

DËSHTON SEANCA E PAJTIMIT MES TIRANËS DHE MARIO MORINËS

Duket se ka një luftë midis Tiranës dhe Mario Morina. Sulmuesi 20-vjeçar (6 gola sezonin e kaluar) nuk pranoi të rikthehet te klubi mëmë. 24 herë kampionët i detyrohen disa rroga mujore të prapambetura, e që përkasin sezonit 2012-2013. Takimi pajtues i pafrytshëm u zhvillua në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbolli, ku ishin të pranishëm përfaqësuesi juridik i Tiranës, lojtari dhe avokati tij nuk solli asnjë rezultat, pasi qëndrimet e palëve nuk afroheshin në asnjë pikë. Futbollisti Morina ka qenë i vendosur për të mos bërë prapakthehu te Tirana, pavarësisht premtimeve për shlyerjen e detyrimeve financiare. Nga ana tjetër, Tirana jo vetëm që nuk pranon ta lërë të lirë futbollistin, por ka vendosur që ta ndëshkojë për thyerje të disiplinës së klubit. Në mungesa të një akordi mes palëve kjo çështje i kalon Dhomës së Zgjidhjes së konflikteve, që pritet të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar edhe problematika të tjera të futbollit shqiptar. Në fakt, Mario Morina arriti pak ditë më parë një marrëveshje me Skënderbeun, skuadrën kampione të Shqipërisë, madje zhvilloi edhe një seancë stërvitore në Korçë, para se skuadra të udhëtonte drejt Austrisë për fazën përgatitore. Mirëpo reagimi i menjëhershëm i Tiranës, e detyroi që të ndërpriste stërvitjen me formacionin e Mirel Josës, duke mos udhëtuar në përgatitoren e Austrisë, për t’iu drejtuar institucionit të futbollit për zgjidhjen e kontratës. Pas Morinës, të tjerë ish-futbollistë të Tiranës pritet t’i drejtohen FSHF-së për rrogat e prapambetura, koha e pritjes ka kaluar çdo limit. Mungesa e financave të skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë pritet të japë impakt edhe në merkato, pasi objektivat e trajnerit Nevil Dede si Jetmir Sefa apo Gjelbrim Taipi kanë preferuar vijimin e karrierës me skuadra të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.