Moisi Dalipi: Familja Meçani, të gjithë në pistën e vrapimit

437
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Familja sportive Meçani është e njohur jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë vendin tonë, si një familje që për më shumë se 30 vjet ka  kontribuar në atletikën shqiptare. Rekorde, tituj kampion, trofe dhe medalje të fituara në aktivitetet brenda dhe jashtë vendit janë “muzeu” më i bukur dhe plotë vlera i kësaj familje sportive. Dhe nuk janë pak por pesë sportistë të kësaj familje që ju përkushtuan sportit të atletikës në vitet 1962-1993. Dhe në “apelin” sportiv që bëhet në këtë rast në pistën e vrapimit vendosen në start Xhevahiri, Gëzimi, Krenari, Kreshniku Meçani dhe Valbona (Gruda) Meçani. Kështu pra, tek familja Meçani të gjithë vrapojnë dhe të gjithë e kanë prekur suksesin. Edhe pse karriera e tyre i përket viteve të kaluara, zakonisht në muajin gusht të çdo viti, kur emigrantët rikthehen në vendlindje, skuadra e atletikës Meçani është e pranishme në vrapimet përgjatë bregdetit të Plazhit të Vjetër, shumë pranë lagjes Kume të Vlorës, ku ata kanë lindur dhe janë rritur. Dhe e veçanta tjetër për familjen e vrapuesve vlonjatë është dhe fakti tjetër, që të gjithë kanë qënë të  dashuruar në vrapimet e gjata dhe ato të thellësisë. Dhe sot, kur duam të hedhim sado pak në rradhët e këtij shkrimi kontributin, vlerat  dhe sukseset e gjithësecilit prej tyre, jemi të detyruar  ti vendosim ata sipas rradhës që kanë për vitet e moshës dhe kohën që kanë qënë pjesë e këti sporti të bukur .

Atleti dhe trajneri Xhevahir Meçani 

Kështu e njohin dhe po kështu e vlersojnë djalin e madh të familjes Meçani që është marrë me sportin e atletikës për afërsisht gjysëm shekulli. Dhe fillimet i ka diku në vitet 1963, kur ish-trajneri njohur i atletikës vlonjate në ato vite, Koço Dhrami do ta pikaste djaloshin bjond në vijën e bregdetit duke vrapuar në rërë. Dhe Xhevahiri edhe pse ishte 13 vjeç do garonte  për ekipin e të rinjve të Flamurtarit. Atij i pëlqenin shumë garat e gjata, sepse dhe trupi dhe këmbët e tij të tilla ishin për këto gara. Dhe kur ishte vetëm 16 vjeç në kampionatin për të rinj të vitit  1965, Xhevahir Meçani shpallet kampion kombëtar për të rinj në garat 800m dhe 1500m. Një fakt i tillë bëri që trajnerët e tij ta bëjnë shpejt këtë djalosh, që kishte një hap të veçantë në gara, pjesë të ekipit të rriturve. Dashuria, puna në stërvitje dhe vlerësimi që Xhevahiri kishte për vrapimet e gjata dhe ato të thellësisë sollën shumë shpejt sukset e duhura. Në vitet 1967 dhe 1968 ai shpallet kampion kombëtar në garat e 3000 metrave me pengesa me skuadrën e tij të Flamurtarit. Në  dhjetor të 1968, klubi i Partizanit e bëri vlonjatin pjesë të tij për dy vjet, me arsyen e kryerjes të shërbimit ushtarak. Që në vitin e parë si pjesë e Partizanit, atleti vlonjat Xhevahir Meçani do të përsëriste suksesin e mëparshëm  të tij, duke u shpallur kampion kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa. Pas shërbimit ushtark do rikthehet në Vlorë. Ai  do bëhet pjesë e ekipit të Flamurtarit që së bashku me Enver Danin, Skënder Kokalarin, Petrit Ramon ,Shokit Alushin, Niko Gjergjin e të tjerë, do të perbënin  një ekip me të vërtet konkurrues. Dhe kur përjetonte vitet e mira  të karrierës si vrapues i garave të gjata, ai dëmtohet  në menisk duke bërë që të tërhiqet nga garat si atlet, por jo nga sporti i atletikës ku për shumë vite punoi si trajner i ekipive të garave për distancat e mesme. Por janë rreth 20 vite këto të kontributit të tij, në ndihmë të atletikës vlonjate. Por i veçantë në këtë drejtim është kontributi  tij në tërheqjen dhe përgatitjen si kampion dhe të pjesëmarrësve të tjerë të familjes Meçani. Kështu Xhevahiri ka ndarë me vëllain Gëzimin dhe dy nipërit, Krenarin dhe Kreshnikun  gëzimin e ligjshëm të sukseseve për rekodret e thyera dhe trofet e fituara.

“Stolitë” e kampionit Gëzim  Meçani

Në vitin 1969 bëhet pjesë e ekipeve të  Flamurtarit  një tjetër pinjoll i familjes sportive  Meçani. Vëllai më i vogël i Xhevahirit, djaloshi simpatik Gëzimi, pasi kishte  ndjekur për shumë kohë në vrapim të vëllain në bregdet, kishte vendosur të bëhej pjesë në ekipet e moshave të atletikës të  Flamurtarit. Ishte vetëm 13 vjeç, kur ka qenë në rradhët e ekipit të pionerëve dhe ka marrë pjesë në një spartakiadë sportive verore. Trajneri i tij, dhe vëllai i tij më i madh besonte shumë se Gëzimi do kapte shpejt rezultate pozitive. Dhe në fakt kështu ndodhi. Kaq është dashur dhe rruga sportive drejt rekordeve në atletikë do ishte e hapur për Gëzim Meçanin. Në vitin 1970 bëhet pjesë e ekipit të të rinjve të Flamurtarit, ku dy vite më vonë si pjesë e ekipit kombëtar thyen dy rekorde kombëtare në 1500 dhe 2000 metra me pengesa. Por një vit më vonë më 1973 është në rradhët e ekipit kombëtar të të rriturve ku do të thyej dhe rekordin kombëtar të 3000 metra me pengesa. Në ato vite në atletikën shqiptare në disiplinat që garonte Gëzim Meçani ishin dhe atletët me përvojë si Gani Aliaj, Njazi Dajçi dhe Rauf Dimraj.

Djaloshi vlonjatë plotë dëshirë dhe përkushtim do të ecte drejt sukseve dhe rezultatet do ta ndiqnin nga pas në çdo garë dhe aktivitetet brenda dhe jashtë vendit. Në gara kampionati, kupa apo dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare si në Kinë, Turqi, Greqi, Rumani rezultatet e tij do të jenë të jashtëzakonshme. Për tu veçuar janë garat e Kampionatit  Ballkanik në Greqi kur thyen rekordin kombëtar në  3000 metra me pengesa, i jashtëzakonëshëm në mitingun e Shangait-Kinë. Po kështu dhe në vitin 1980 kur në garat e zhvilluara në Mitrovicë të Kosovës ka lënë pas kampionit ballkanik të ish-Jugosllavisë të atyre viteve, serbin Voloviç. Por duhet pranuar se atleti Gëzim Meçani është dhe nga më të veçantët deri tani në historinë e sportit vlonjatë dhe atij kombëtar, përsa i për ketë rezultateve të arritura, rekordeve të thyera dhe medaljeve të fituara. Kështu në karrierën e tij në vitet 1970-1986 si pjesë e ekipeve të Flamurtarit, Partizanit dhe ekipeve kombëtare  Gëzim Meçani ai ka marrë pjesë në garat për 1500 metra, 3000 metra, 3000 metra me pengesa, 5000 metra, 10,000 metra dhe 12.000 metra, duke arritur të jetë 118 herë fitues i vendeve të para. Ai, ka thyer 16 rekorde  kombëtare dhe ka marrë 35 medalje kampioni.

Në tre Spartakiada Kombëtare të viteve 1974,1978 dhe 1982, Gëzim Meçani do ishte flamurmbajtësi i klubit  sportiv Flamurtari. Në të tre, Spartakiadat Kombëtare gjoksi i tij kuqezi do të stolisej bukur me  Medaljet e Arta të fituara në garat e tij të preferuara. Në vitet 1972 -1984 si pjesë e ekipeve kombëtare është ngjitur në podiumin e nderit, duke bërë që shumë herë të ekzekutohet himni ynë  kombëtar. Fitues i Anketave Sportive dhe i vlerësuar si një nga “10 sportistët më të mirë të  shekullit të kaluar në Vlorë”. Mjeshtri i sportit, Gëzim Meçani e ka mbyllur karrierën sportive  në 1986  në  mënyrën më të  bukur, më orgjinale dhe ashtu siç e nisi në 1970 kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar. Dhe ka qënë 24 shkurti 1986, në garat  dimërore të kampionatit kombëtar ku tre pjesëtar të familjes Meçani me në krye, Gëzimin në garat e 12.000 metrave dhe dy nipërit e tij, Krenari në 8000 metra dhe Kreshniku në 6000 metra do të shpalleshin të tre kampion kombëtar, duke bërë një dhuratë të vecantë për ditëlindje, trajnerit të tyre Xhevahir Meçanit. Familja e kampionëve Meçani kështu ka ditur të vrapojë dhe të festojë, por që ende dhe sot është larg vlerësimitë që meriton.

 

Kampioni i Ballkanit Krenar Meçani

Në vitin 1980 në pistat e vrapimit shfaqet një tjetër pjesëtar i familjes Meçani. Është nipi i Xhevahirit dhe Gëzimit, vrapuesi energjik Krenar Meçani. Kishte një hap të bukur dhe plotë  ritëm, ku në çdo garë ka kërkuar vetëm suksesin dhe rezultatet e larta. Në karrierën e tij në vitet 1980-1993 garon në po ato gara si dhe dy xhaxhallarët e tij më përpara. Është një fotokopjo e tyre në rezultate, suksese, për rekorde të thyera dhe medalje të fituara. Në kampionatet e viteve 1987 -1993, ai do të jetë fituesi i vendit të parë dhe kampion kombëtar në garat e gjysëm thellësisë dhe thellësisë. Në këtë mënyrë tradita e kësaj familje vazhdon me këtë rekordmen që është pjesë e ekipeve kombëtare për të rinjtë dhe më vonë për të rritur në shumë aktivitete balkanike dhe europiane si dhe në Lojrat Mesdhetare. Medalje ari në Kampionatin e 47-të  Ballkanik të zhvilluar në 12 gusht 1989 në Seres të Greqisë në garën e 3000 metrave me pengesa, ku thyen dhe rekrodin e xhaxhait të vet Gëzim Meçanit dhe shpallet Kampioni i Balkanit për herë të parë në historinë e atletikës shqiptare në garën e 3000 metrave me pengesa. Në shtator 1989 përsëri medalje ari në Mitingun Ndërkombëtar të Atletikës në Turqi. Po ka fituar dhe medalje bronzi në Kampionatin e 46-të Ballkanik të zhvilluar në 18 korrik 1988 në Ankara, të Turqisë. Në 67 raste është fitues i vendeve të para, ku në 10 herë është fitues në garat e vrapimeve me 12 kilometra, 5 herë kampion kombëtar absolut në disiplinat ku ka marrë pjesë, si dhe fitues i anketave sportive. Një tufë e bukur me suksese këto nga ky atlet i “prodhuar” nga familja sportive Meçani.

Tradita vazhdon me Kreshnik Meçanin   

Kur dikush kishte menduar përpara vitit 1990 se do të vinte një ditë që pistat e vrapimit në  sportin e bukur të atletikës të mos kishin të pranishëm atletët e familjes Meçani, në skenë del  një tjetër rekordmen i përmasave kombëtare Kreshnik Meçani. Edhe ai vrapon bukur dhe mirë  në po ato gara si dhe paraarsdhësit e tij të kësaj familje sportive. E nis diku tek viti 1985 këtë sport të trashëgimisë familjare tek ekipet e moshave të Flamurtarit me trajner xhaxhain e vet  Xhevahir Meçanin. Kampion dhe rekordmen për moshat dhe të rinjtë. Kalon tek shkolla e mesme e mjeshtërisë sportive në Durrës dhe më vonë tek I.K.F “Vojo Kushi”- Tiranë. Fitues i disa garave në 5000 dhe 6000 metra. Pas vitit 1993 emigron në Itali ku nuk shkëputet nga atletika dhe garat e shumta. Rezultate dhe suksese edhe në shumë pjesëmarrje në mitingjet sportive ndërkombëtare

Valbona Gruda pjesë e familjes të kampionëve   

Diku në vitin 1989 në një garë kontrolli  të ekipeve tona kombëtare për të rinj dhe të rritur në prag të pjesëmarrjes në kampionatin Ballkanik, duke u konsultuar për tekniken e garës 1500 metra, djaloshi vlonjat Krenar Meçani ka  njohur vajzën lezhjane, atleten Valbona Gruda. Ajo në ato vite ishte pjesë e I.K.F “Vojo Kushi” dhe performonte bukur në garat e atletikës. Shpejt  gjithçka i bashkoj në sport dhe në jetë të dy si sportistë dhe bashkshortë të mirë. Kështu Valbona Gruda u bë pjesë e familjes të kampionëve vlonjatë Meçani. Biografia e saj sportive është se ka përfaqësuar së bashku me Krenar Meçanin, në vitet 1989 -1993, Flamurtarin dhe Korabin dhe ka qënë rekordmene e njohur në garat e 1500 dhe 3000 metra, Ka përfaqësuar Shqipërinë për të reja në Ballkaniadën e Rumanisë 1989 duke zënë vendin e tretëë dhe në cermoninë e zhvilluarë medaljen e fituar ja ka dorëzuar kampionia e botërore, rumunia e njohur Jolanda Balash. Në vitin 1990 është pjesë e ekipit kombëtar dhe stërvitet nga trajneri gjerman Marco Rundiger. Pas vitit 1993 punon dhe jeton si një familjare e mirë në Itali së bashku me bashkëshortin e saj Krenar Meçanin dhe fëmijët. Gjithsesi edhe pse e shkurtër karriera e saj sportive ka lënë shenjat e suksesit jo vetëm tek familja Meçani, por dhe në atletikën shqiptare.