Gentian Trenova: Me precedentin që krijoi SPAK për dosjen 184, zgjedhjet e 25 Prillit janë të kërcënuara nga krimi

222
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

E vërteta e dosjes 184  djeg jo vetëm qeverinë, por edhe diplomatët të cilët kanë falsifikuar të vërtetat mbi Shqipërinë

Juristi Gentian Trenova në intervistën për gazetën “Telegraf” argumenton se SPAK, e mbylli çështjen e hetimit të dosjes 184, duke mos dënuar protagonistët e vërtetë të manipulimit të votave, sepse SPAK është tërësisht politik. SPAK duhej të vazhdonte hetimin e dosjes 184  edhe për veprën e grupit të strukturuar kriminal dhe kësisoj nuk do të kishin përfunduar as afatet e hetimit. Zoti Trenova, thekson se grupet e rrezikshme kriminale në bashkëpunim me manipuluesit e përhershëm të zgjedhjeve do të vazhdojnë ritualin e tyre të manipulimit edhe në 25 prill 2021, pasi kanë garanci se nuk do të arrestohen për krimin elektoral. Zoti Trenova pohon se Gjykata Kushtetuese e sotme ka probleme themelore të integritetit dhe pavarësisë, sepse disa anëtarë të saj u zgjodhën në kundërshtim me procesin që parashikon Kushtetuta, niveli professional i disa gjyqtarëve lë shumë për të dëshiruar dhe, igurisht që vendimmarrja e kësaj gjykate pritet të jetë plotësisht sipas interest politik të qeverisë. Një tregues i qartë i kësaj është se Gjykata Kushtetuese ende nuk shqyrton ankimimin për kushtetueshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, pasi kjo nuk I intereson kryeministrit në detyrë.

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

“Gjykata Kushtetuese e sotmja ka disa probleme themelore të integritetit dhe pavarësisë. Së pari, disa gjyqtarë aty janë zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën. Ata në përzgjedhjen e tyre janë favorizuar në procesin e vetingut”

-Zoti Trenova, tashmë Gjykata Kushtetuese ka 2 muaj që funksionon me 7 anëtarë. Por, deri tani në axhendën e saj për shqyrtim, nuk është fare ankimimi i Opozitës dhe Presidentit të Republikës për kushteturshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Mendoni se edhe në Gjykatën Kushtetuese (të riformatuar) ka ndikime politike?

-Gjykata Kushtetuese e sotmja ka disa probleme themelore të integritetit dhe pavarësisë. Së pari, disa gjyqtarë aty janë zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën. Ata në përzgjedhjen e tyre janë favorizuar në procesin e vetttingut, dhe janë zgjedhur në kundërshtim me procedurën e rregullt kushtetuese. Në përzgjedhjen e tyre ka prevaluar interesi politik. Kjo mënyrë përzgjedhje i bën ata psikologjikisht të varur nga qeveria. Ata ndjehen të lidhur ngushtë me interesat e qeverisë.

Së dyti niveli profesional i disa prej gjyqtarëve lë shumë për të dëshiruar. Ata kanë një prejardhje të varfër profesionale dhe nuk kanë eksperiencën e duhur për t’u përballuar me situata të vështira politike dhe për të mbrojtur interesat kombëtare. Ata nuk kanë eksperiencë në vendimmarrje që mund të cënojë interesat e lojtareve në politikë. Më shumë ata ngjajnë si disa juristë ndërmarrjeje, që presin urdhërin e radhës se çfarë vendimi duhet të marrin. Sigurisht që vendimmarrja e kësaj gjykate pritet të jetë plotësisht sipas interest politik të qeverisë. Fundja edhe reforma në drejtësi për këtë qëllim u bë që sistemi gjyqësor të mos dilte asnjëherë kundër vullnetit te qeverisë, dhe aq më shumë Gjykata Kushtetuese. Kjo duket qartë edhe në axhendën e punës që ka kjo gjykatë e cila nuk merret fare me çështjet të cilat mund të prekin interesat e qeverisë.  Përveç mungesës së integritetit të gjyqtarëve, përveç presionit politik të qeverisë atë që e bën të pamundur teknikisht një vendimmarrje të ksësaj gjykate është edhe mungesa e tre anëtarëve të tjerë. Në kushtet kur do të kishim 9 anëtarë, dhe kur ligji i detyron të gjithë anëtarët të shprehin votën pro ose kundër, gjykata në çfarëdo rasti do të kishte vendim përfundimtar, pasi edhe në ndarjen 5 me 4, vendimi do të ishte fuqiplotë.  Mungesa e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese cënon jo vetëm të drejtat themelore të individit, por edhe edhe opozitën në tërësi. Kjo e fundit është bërë viktimë e vendimmarjes së saj, duke u bërë pjesë e procesit të reformës në drejtësi.

“Tashmë grupet e rrezikshme kriminale në bashkëpunim me manipuluesit e përhershëm të zgjedhjeve do të vazhdojnë ritualin e tyre të manipulimit edhe në 25 prill 2021, pasi kanë garanci se nuk do të arrestohen për krimin elektoral”

– SPAK në  vendimin e gjykimit të  Dosjes 184 pranoi se është kryer krim penal nga protagonistët e krimit elektoral (ministra, deputetë), por vendosi pushimin e çështjes ndaj tyre, me arsyetimin se kanë kaluar afatet kohore. A parashkruhet krimi zgjedhor?

– Nëse SPAK do të respektonte ligjin, hetimi duhet të vazhdonte edhe për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal. Nëpërmjet hetimit të kësaj vepre penale, nuk do të kishin përfunduar edhe afatet e hetimit, pasi ligji për hetimin e kësaj vepre penale parashikon një afat më shumë se dhjetë vjet. Shpallja e moskomptencës lëndore nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, tani SPAK është bërë në kundërshtim me ligjin. Nëse prokuroria mendonte se nuk kishte vepër penale të grupit të strukturuar kriminal, fillimisht duhej të kërkohej pushimi i hetimit për grupin e strukturuar në Gjykatë dhe, nëse kjo e pranonte, atëherë kjo dosje do të shkonte për hetime në Prokurorinë Dibër.

– Në krim elektoral, çdo person nuk e kryen krim elektoral për interesa personale, por për interesa të subjektit zgjedhor. Sipas jush  pse nga SPAK po dënohen vetëm disa persona pa funksione shtetërore dhe partiake dhe jo subjekti politik dhe zyrtarët?.

-Sigurisht, që e gjithë vendimmarrja për rastin e dosjes 184 është plotësisht politike. Kjo dosje ishte guri i provës që rrëzon të gjithë reformën në drejtësi dhe propagandën që është bërë në emër të reformës në drejtësi. E vërteta e dosjes 184  djeg jo vetëm qeverinë, por edhe diplomatët të cilët kanë falsifikuar të vërtetat mbi Shqipërinë. Kjo dosje tregon se raportet e ndërkombëtareve për mënyrën sesi bëhen zgjedhjet janë të pavërteta, false, se reformat në Policinë e Shtetit janë fictive, pasi policia është e angazhuar tërësisht në fushatë dhe në krimin elektoral, se reformat në administratë janë fallso, pasi admnistrata nuk është e pavarur, por e shantazhuar për t’u larguar nga puna nëse nuk voton pro qeverisë. Kjo dosje tregon sesi Krimi i Organizuar merr pjesë në manipulimin e zgjedhjeve nëpërmjet parave dhe shantazhit. Për më tepër kjo dosje tregoi sesa fiktive është edhe reforma në drejtësi. Kjo tregoi se SPAK dhe të gjithë gjyqtarët e prokurorët kalojnë procesin e vettingut sipas preferencave të qeverisë. Ata nuk kanë guxim të hetojnë qeverinë apo akoma më shumë, të ngrejnë akuzë dhe të dënojnë për abuzim me detyrën njerzit e qeverisë.

“SPAK u krijua me premtimin se do të hetonte ministra dhe njerëz të fuqishëm të pushtetit. Në të vërtetë, SPAK është tërësisht politik dhe hetimet dhe ndëshkimet i bën sipas axhendës politike të qeverisë”

– Me këtë precedent nga SPAK,  a mund të ketë garanci nga Drejtësia se në zgjedhjet e 25 prillit, do dënohet kushdo, person, zyrtar dhe subjekt zgjedhor, që do cenojë procesin, votën dhe do kërcënojë elektoratin?

– Me precedentin që krijoi SPAK, rrezikon realisht zgjedhjet e 25 Qeshorit. Tashmë grupet e rrezikshme kriminale në bashkëpunim me manipuluesit e përhershëm të zgjedhjeve do të vazjdojnë ritualin e tyre të manipulimit. Ndoshta do të jenë më të kujdesshëm ndaj ekspozimit, por manipulimin do ta bëjnë, pasi kanë garanci se nuk do të hetohen apo arrestohen për krimin elektoral.  Nëse opozita nuk alarmohet dhe nuk ngre zërin te institucionet ndërkombëtare për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, pasi të zhvillohen zgjedhjet do të jetë vonë. Ndërkobëtarët nuk janë komod të zhbëjnë situatat e faktit të kryer.  Rreziku i manipulimit të zgjedhjeve do të vijë edhe për shkak të pasigurisë dhe mungesës së pavarësisë politike të institucioneve të reja të drejtësisë. Këto institucione e kanë treguar në disa raste afeksionin ndaj interesave të qeverisë. Veprimtaria e tyre   do të jetë e mbrojtur nga propaganda që bëhet për të mbajtur në këmbë reformën në drejtësi.

 KAS ka dhënë vendime që kanë shfuqizuar gjobat e KQZ-së për zyrtarë që kanë shkelur ligjin Zgjedhor (çuditërisht KAS ka hequr gjobat ndaj zyrtarëve  dhe kryebashkiakut, por jo ndaj personave të opozitës). Mendoni se këto vendime të KAS po dëmtojnë procesin zgjedhor? Janë vendimmarrje politike?.

– Ky është një detaj i vogël, por jo pak i rëndësishëm nga e gjithë moria e shkeljeve ligjore që do të shoqërojnë fushatën dhe zgjedhjet. Mendoj se e jo vetëm administratat shtetërore, por edhe vet institucionet e tjera që formalisht janë të pavarura do të intimidohen nga qeveria për të vepruar në favor të saj.

“Nëse SPAK do të respektonte ligjin për dosjen 184, hetimi duhet të vazhdonte edhe për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal. Nëpërmjet hetimit të kësaj vepre penale, nuk do të kishin përfunduar edhe afatet e hetimit”

– Zoti Trenova, një mjek, u burgos nga SPAK se nuk justifikoi 300 mijë euro, ndërkohë ish drejtori i AKBN doli nga burgu edhe pse dëmtoi buxhetin e shtetit me 1.5 milionë euro. Duke patur parasysh edhe raste të tjera analoge, a mendoni se deri tani SPAK- u po zhgënjen pritshmëritë e shqiptarëve se do të luftonte korrupsionin?.

– SPAK u krijua me premtimin se do të hetonte peshqit e mëdhenj duke kuptuar ministra dhe njerëz të fuqishëm të pushtetit. Në të vërtetë duket se SPAK është tërësisht politik dhe hetimet dhe ndëshkimet i bën sipas axhendës politike të qeverisë. Mosndëshkimi nga ana e SPAK-u i personave të krimit të organizuar dhe i  njerezve të fuqishëm dhe të lidhur me pushtetin dhe që kanë abuzuar me nivele të larta do të jetë rreziku më i madh i zgjedhjeve. Mendoj se arrestimi i doktor Edvin Prifti është i ekzagjeruar. Ai mund të pezullohej nga detyra shtetërore, të hetohej, t’i sekuestroheshin paratë e gjetura deri në verifikimin e gjëndjes dhe të ndiqej penalisht në gjëndje të lirë.  Heshtja e opozitës ndaj  dështimit të reformës në drejtësi dhe mosgarantimit të zgjedhjeve të lira nga shantazhi dhe korrupsioni i krimit te organizuar, për hir të disa marrëveshjeve të fshehta dhe jo bindëëse me diplomatët për të mos përmendur dështimin e reformës në drejtësi do të jetë akti vetshkatërrues i opozitës.

– Faleminderit!

“Niveli profesional i disa prej gjyqtarëve të Kushtetueses lë shumë për të dëshiruar. Ata kanë një prejardhje të varfër profesionale dhe nuk kanë eksperiencën e duhur për t’u përballuar me situata të vështira politike”