Moisi Dalipi: Abdurraman Roza Haxhiu, “trëndafili” i fushës së blertë

438
Sigal

Kështu është titulluar filmi  dekumentar  kushtuar ish futbollistit dhe trajnerit  të njohur lushnjar Abdurram Roza Haxhiu i shfaqur në  maj 2007  në Televizionin Shqiptar (TVSH) me skenar  dhe regji të Ëngjëll Ndocaj. Më parë, në 21 maj 1994  në kinoteatrin  e qyetit të Lushnjës, në kuadrin e 30- vjetorit të ndarjes nga jeta të kësaj legjende të futbollit shqiptar, i jepet titulli  lartë “Qytetar Nderi”. Në atë veprimtari  plot mbresa dhe kujtime, pas një ndeshje simbolike futbolli në stadiumin  e qytetit që  mban emrin e tij që nga 16 gushti vitit 1991, miqtë, shokët, familjarët dhe dashamirësit  e kësaj figure plotë dritë, kanë  folur dhe “kuvenduar”  gjatë  me  idhullin e tyre Abdurraman Roza Haxhiun. Dhe midis  shumë pjesmarrsëve kanë qenë  shumë figura popullore dhe të dashura si: Vaçe Zela (këngëtare), Margarita Xhepa (aktore), Ilia Shyti (aktor), Hysni Zela (këngëtar), Kolec Kraja (futbollist), Robert Jashari (futbollist), Ismet Bellova (komentator sportiv), Ali Kastrati (boksier,fizioterapist). Atë ditë dhe jo vetëm  i gjithë qyteti myzeqar i Lushnjës, dhe jo vetëm do të jetonte  me jetën , kujtimet dhe nostalgjin në vite të kësaj figure që jetën e tij të  shkurtër ,por tepër të përkushtuar  do ta lidhte vetëm me futbollin. Ai u lind më 16 tetor 1930 në qytetin e Lushnjës, në lagjen “Kongresi Lushnjës”. Djali i patriotit Bajram Haxhiut, i cili ishte një  një nga nisëmtarët  e thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës në 1920,  dhe nipi  atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare Shqiptare në  Diasporën e shqiptarëve të  Egjiptit, Qerim Haxhiut. Futbolli për Rozën  ishte  ëndërr që në fëmijëri dhe mbeti një dashuri e përjetuar bukur në fushat e blerta. Emri tij i vërtetë është Abdurraman Haxhiu, por ndryshimi në Roza,  lidhet me një kuriozitet të vitit 1940,  kur po krynte një vizitë mjeksore  nga një sëmundje e fëmijërisë tek disa mjekë italianë. Një murgeshë italiane, kur e pa këtë djalë kaq simpatik  do të thoshte: “che bela rosa!”, “çfarë trëndafili bukur!”. Emri Roza do të përforcohej dhe më tej  pak vite më vonë  nga doktori njohur Ihsan Çabej, për t’u përhapur  jashtë ambienteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mendjen e qindra e mijëra sportdashësëve dhe më gjerë. Në vitet 1945 -1947, djaloshi energjik  do jetë pjesë e ekipit të rinjve të “Traktorit” të Lushnjës, ku do të dallohej si një mesfushor tepër i dashuruar me topin. Në fund të atij viti, ish trajneri Dilaver Toptani, do ta bënte pjesë të ekipit parë të “Traktorit” të Lushnjës, përkrah  emrave më të spikatur të atyre viteve tek kjo skuadër  si, Vangjel Lipes, Halim Haxhiut, Sokrat Bozos, Sotir Bozos, e të tjerë. Në vitin 1949, Roza Haxhiu do të jetë pjesë  e kursit për trajner që zhvillohej nga specialistët rusë në Tiranë. Cilësitë dhe vlerat e këtij mesfushori  do t’i kalonin  shpejt kufijtë  e qytetit Lushnjës, sepse në vitin 1950  bëhet pjesë e skuadrës të “Besës “ Kavajës. Por në vitin 1951,  Roza tërhiqej si me magnet nga “Partizani”. Roza Haxhiu i përket brezit më të shquar të futbollit partizanas. Fjalë pakë e punë shumë, -të tillë e kanë kujtuar Rozën, shokët me të cilët luajti në ekipin e “Partizanit”, si Besim Fagu, Refik Resmja, Miço Papadhopulli, Miço Ndini, Robert Jashari, Fatbardh Deliallisi, Sulejman Maliqati etj. Kolegët e tij, futbollistë të ekipeve të “Partizanit” dhe të përfaqësueses kujtojnë shumë takime kombëtare e ndërkombëtare, ku Roza Haxhiu spikati si një futbollist i klasit të lartë, si një mesfushor vallëzues, por edhe qendërmbrojtës i pakalueshëm. “Mjeshtër i merituar i sportit” Besim Fagu, një nga futbollistët e parë të “Partizanit” dhe të përfaqësueses kombëtare Shqiptare, ka thënë: “Roza ishte një nga lojtarët e rinj të “Partizanit”, që së bashku me Resmen e Maliqatin, premtonin shumë për të ardhmen e futbollit tonë. Ishte një djalë i qeshur, i qetë, i dashur me shokët dhe me një humor të veçantë. Përdorte mirë topin me të dyja këmbët, kishte trup të rregullt me një teknikë të përsosur.

Më kujtohen mirë viteve ’50 për arsyen e vetme, se ato ishin vitet e rivalitetit të madh midis “Partizanit” dhe “Dinamos” në kampionate. Veçanërisht finalja dramatike “Dinamo”-“Partizani” në vitin 1957 do të mbetet e paharruar për mua. Fituam 3:1. Këtu spikati talenti i madh i Rozës. Roza Haxhiu shënoi golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes “Partizani”-“Dinamo” në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, e cila përfundon me fitoren e merituar të “Partizanit” 3:1, një gol me të vërtetë të shkëlqyer…”. Ish-futbollisti i “Partizanit”, Miço Ndini, ka kujtuar:”Roza ishte një futbollist universal. Zakonisht luante si mesfushor i djathtë, por edhe si qendërmbrojtës dhe sulmues i mirëfilltë. Luante mjaft mirë në ajër dhe shikimin periferik e kishte shumë të zhvilluar”. Ndërsa “Mjeshtri i merituar i sportit” Refik Resmja, ish-futbollist i shquar i “Partizanit” dhe i përfaqësueses kombëtare Shqiptare, bashkëkohës i Rozës,thotë:”Rozën e kam njohur që më 1951, kur erdhi në ekipin tonë. Isha kureshtar të njihja nga afër, pasi për të flitej shumë. Dhe që në takimin e parë unë e adhurova atë. Ishte me të vërtetë i përsosur edhe si njeri”. Dhe për të plotësuar figurën e tij komplekse, si futbollist, nuk mund ta lësh pa përmëndur takimet e paharruara të “Partizanit” në Leipzig të Gjermanisë, në shtator të vitit 1958 ku krahas gjithë ekipit, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjendta dha edhe Roza Haxhiu. Dhe në  shtatë sezonet që aktivizohet tek  “Partizani”, fubollisti talentuar lushnjar Roza Haxhiu, fiton  tre tituj kampion në vitet 1954, 1957 dhe 1958 dhe dy Kupa të Republikës në vitet 1957 dhe 1958. Në vitin 1955 skuadra jonë e “Dinamos” e bën pjesë të saj si përforcim për ndeshjen ndërkombëtare ndaj ekipit  hungrez “Dozha” e Budapestit. Një lojë e shkëlqyer  kjo e  Roza Haxhiut  që e ka detyruar lojtarin e tij kundërshtar  në fushën e lojës ta vlerësojë  atë  si “lojtar të kalibrit europian”.

Në atë takim Roza ka patur detyrën e një mbrojtësi të lirë. Ekipi hungarez ka hedhur në fushë lojtarët më të mirë të asaj kohe, që edhe pse në fushën e vet nuk ka mundur të marrin më shumë se një barazim. Lojtarët hungarezë ishin të nivelit botëror.  Megjithatë, “Dinamo” me lojën e saj ka mundur të tërheqë vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë. Roza Haxhiu luajti edhe për skuadrën kombëtare të Shqipërisë. Nuk mund të ishte rastësi aktivizimi i Roza Haxhiut me përfaqësuesen. Dhe  më i plotë portreti tij bëhet dhe me  katër ndeshjet  që ka zhvilluar në  vitet 1953-1957  me  fanellën e ekipit kombëtar, ku mund të veçohen për paraqitjen e tij të mirë  ato   fituara  ndaj  Polonisë dhe Çekosllovakisë  me rezultatin 3-0. Por vetëm kaq,  tek ekipi kombëtar,  sepse dikush  do  gërvishte në biografinë e tij për ta ndërprerë krej papritur  ëndrrën e tij  për  fanelën kuqezi. Gjatë viteve të karrierës tek ekipi ushtrak  i kryeqytetit, do të njohë   balerinën e Ansamblit Shtetëror, gruan tij Liljana Cikonin,  me të cilën  kanë tre fëmijë Rozetën, Adnandin dhe Arbenin. Djali tij Adnand Haxhiu ndoqi rrugën sportive të babit, më parë si futbollist me “Shkëndinë” e Tiranës, me “Lushnjën” futbollist dhe trajner dhe tani së fundi trajner i moshave tek klubi  gjerman  i “Shalke 04”. Por mbyllja e karrierës sportive tek “Partizani”  për Roza Haxhiun do ishte  jashtë  çdo parashikimi. Në vitin 1958, “Partizani” merr pjesë në një turne miqësor në Bullgari. Në një nga takimet e forta me “ekipin e “Plovidit “, të njëjtit qytet, i cili përfundoi 2:1, në favor të ekipit tonë, ai dëmtohet rëndë nga një goditje  e rëndë bërë nga një lojtar bullgar me taka  në kokë. Megjithëse i dëmtuar, me shpirt të lartë sakrifice, ai luajti për më shumë se një vit edhe me ekipin e “Dinamos” e më pas kthehet në qytetin e tij. Kur kthehet në Lushnje, duke mos u shkëputur nga futbolli, merr drejtimin e skuadrës, duke luajtur edhe vetë. Pas dy finalesh me “Erzenin”, të fituara 3-2 e 6-2, Roza Haxhiu bën që “Traktori” i atëhershëm të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit. Ekipazhi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfon në kampionatin e kategorisë së dytë duke u shpallur kampion i tij në 1960. Futja në kategorinë e parë i hapi rrugën futbollit lushnjar për t’u përfaqësuar më 1960 në kampionatin kombëtar, bashkë me “Partizanin”, “Dinamon”, “Vllazninë”, “Flamurtarin”, “Skënderbeun”, “Labinotin”, “Besën” dhe “Tomorrin” duke zënë edhe vend nderi. Në maj-korrik 1963, caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës. Në periudhën shkurt-mars 1964, punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”. Goditja e Poldovit e vitit 1958, kur “Partizani” mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku Roza u dëmtua rëndë nuk e kishte “harruar”. Ajo, madje është shndërruar në sëmundjen e përbindëshme që i kërcënonte jetën. Pas shumë përpjekjesh burokratike, arrin të sigurojë një lejekalimi për t’u operuar në Itali, por është tepër vonë. 19 Maji i vitit 1964, në moshën 34- vjeçare,  rrëmben Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmëve, bashkëlojtarëve. Vlerësimet për Roza Haxhiun  janë të shumta. Kështu pas vdekjes në vitin 1971, nderohet me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në vitin 1999 nga Ministria  e   Kulturës, Rinisë e Sporteve e nderon, me  titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”, në vitin 1992 stadiumi Lushnjës  merr emrin “Abdurraman Roza Haxhiu,” dhe në vitin 1994, Bashkia Lushnje i jep titullin “Qytetar Nderi” dhe në vitin 2016, F.SH.F  e nderon me “Pllakatën e Mirënjohjes  Lartë”. Në  ditët e ardhshme bëhet me dije  se Presidenti Republikës  Z.Ilir Meta  do të nderojë  me medalje të veçantë këtë figurë të shquar të futbollit shqiptar, këtë “trëndafil “ të fushave të blerta, legjendën Abdurraman Roza Haxhiun.

Skeda e Abdurraman Roza Haxhiut:

Lindur  në Lushnjë  më 30 shtator 1930, ndarë nga jeta më 19 maj 1964

Karriera si futbollist: “Traktori” 1947-1949, “Besa” 1950, “Partizani” 1951-1958 dhe “Dinamo” 1959-1960.

Roli  në skuadër:  mesfushor dhe mbrojtës

Ndeshje ndërkombëtare: 12 ndeshje,   4 me ekipin kombëtar

Karriera  si trajner: Në vitin 1960  tek “Traktori” Lushnjës

Vlerësimet: Në vitin 1971- “Mjeshtër  i Merituar Sporti”, në vitin 1999- Ministria Kulturës Rinisë dhe Sporteve “Nderi Sportit Shqiptar”, në vitin 1991 stadiumi Lushnjës merr emrin “Abdurrraman Roza Haxhiu” , në vitin 1994 – Bashkia Lushnjës i jep titullin “Qytetar Nderi” dhe në vitin 2018 –  F.SH.F  e nderon me “Pllakatën e Mirënjohjes të Lartë”