VOA/ Dosja e inceneratorëve në SPAK, Qeveria paguan 3 cceqe në muaj, i fundit 2 mln euro në shtator

316
Sigal

 

Në Shqipëri PD depozitoi sot (dje) një kallëzim penal për inceneratorin e kryeqytetit, të cilin e konsideron një projekt mafioz me lidhje që çojnë sipas saj deri të kryeministri Edi Rama. Denoncimi pranë Prokurorisë së posaçme antikorrupsion vjen pasi tema e inceneratorëve, edhe në Elbasan e Fier, është rikthyer në qendër të debatit politik. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë emisionit televiziv “Opinion” në TV Klan, mbrojti projektet për trajtimin e mbetjeve urbane, por ai nuk dha përgjigje për dyshimet e ngritura rreth procedurave që i hapën rrugën realizimit  të tyre. Akuzat, siç shpjegoi përfaqësuesi demokrat Çlirim Gjata, shkojnë “që nga shpërdorimi i detyrës, korrupsioni, shkelje të procedurave të tenderit, abuzime me fondet publike. Ajo që ne kemi trajtuar në kallëzimin tonë që duhet ta bënte normalisht SPAK, e kemi trajtuar si grup i strukturuar kriminal, ku të gjithë kanë futur duart të ketë aferë korruptive”. Emrat e denoncuar nisin me kryeministrin Edi Rama, duke vijuar me ministrin aktual të Rindërtimit Arben Ahmetaj, ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, kryebashkiakun e kryeqytetit Erion Veliaj, dhe dy biznesmenë, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, që sipas PD-së qëndrojnë pas të tre inceneratorëve. Tema e inceneratorëve zuri një vend të gjatë në debatin mes disa gazetarëve dhe kryeministrit Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV KLAN të enjten e shkuar. Kryeministri mbrojti projektet duke i mëshuar transformimit që ato kanë sjellë në trajtimin e mbetjeve urbane në Shqipëri, një plagë e vjetër e vendit. Por në të vërtetë, debatet rreth tyre, të paktën në shumë shkrime të botuara në mediat shqiptare, vërtiten rreth procedurave të dyshimta që i hapën rrugë realizimit të këtyre projekteve dhe lidhjeve politike të personave që qëndrojnë pas tyre. Një ditë më parë dhe ministri i Mjedisit Blendi Klosi, inspektoi punimet në inceneratorin e Fierit, ndërtimi i të cilit mbeti bllokuar për një kohë të gjatë, ndërkohë që kompania mori rregullisht pagesa. “Këtu është një vepër e madhe publike, e realizuar brenda kontratës, e realizuar me një teknologji të avancuar, të dy viteve të fundit”, deklaroi zoti Klosi. Por ish deputetja Jorida Tabaku, edhe dje këmbënguli se projektetet e inceneratorëve janë sipas saj, një çështje korruptive “duke nisur që nga procedurat, duke vazhduar me kontratën e duke përfunduar me zbatimin e kontratës. Kostot për buxhetin e shtetit ashtu siç janë të llogaritura në denoncimin që ne çuam sot në SPAK,  janë mbi 430 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës, sepse ne sot këtu denoncuam inceneratorin e Tiranës.”

45 pagesa deri tani për inceneratorët

Kjo është pagesa e 45-të në llogarinë e bosit të plehrave, Klodian Zoto, bërë më 7 tetor 2020, në vlerën 2.6 miliardë lekë, urdhëruar nga ministrja Belinda Balluku; ndërsa grave greviste naftëtare në Ballsh, që janë ngujuar në grevë urie 20 kilometër larg biznes-landfillit të “tigrit”, nuk preferon as t’u përgjigjet. Edhe pse është çuar në SPAK, akuza e faktuar për krimin financiar 400 milionë Euro me 3 landfillet Tiranë, Fier, Elbasan,  kryeministri Rama nuk po i ndal pagesat miliardëshe, në favor të bandës qeveritare e mafioze të plehrave, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri etj. Në kulmin e jehonës së skandalit e të krizës financiare që ka kapur buxhetin e shtetit, me urdhër të kryeministrit, ministrja Belinda Balluku dhe ministrja Anila Denaj, në datën 7 tetor 2020,  kanë bërë 1 pagesë tjetër në llogarinë e bosit të Landfillit-Fier. Referuar Thesarit të Shtetit, qeveria ka paguar çekun 2.6 miliardë lekë, pas kërkesës së datës 21.09.2020 bërë nga Klodian Zoto, me objekt: “Shërbime përpunimi mbetjesh të kryera”, kur Landfilli i Fierit nuk e ka filluar akoma aktivitetin. Kjo është pagesa e 45-të, që i bëhet bosit të Landfillit-Fier,  ndërsa 3 pagesat e tjera të fundit, janë bërë kështu: Dy pagesa nga 610 mijë Euro, në datën 10 qershor 2020,  dhe 1 pagesë po në vlerën 610 mijë Euro është bërë në datën 22 qershor 2020.

Një kujtesë:  Vetëm 20 km larg Landfillit-Fier, që kryeministri Rama  i jep nga 2-3 miliardë lekë në muaj për punë të pakryer, janë ngujuar në grevë urie naftëtarë, burra e gra të ARMO-Ballsh, sepse qeveria i mashtroi, duke i çuar koncesionarin mafioz azero-serb, që vodhi 300 milionë Euro prodhim, dhe nuk u dha pagat për punën e kryer.

PD denoncon në SPAK si “grup të strukturuar kriminal”, Ramën, Ahmetajn, Kokën, Veliajn, Mërtirin dhe Zoton

PD-ja, nëpërmjet Jorida Tabakut dhe Çlirim Gjatës, ka denoncuar në SPAK, aferën e inceneratorëve, duke identifikuar gjashtë persona, të cilët përfaqësuesi i PD-së, Çlirim Gjata, i quajti “grup i strukturuar kriminal”. “Problemi këtu është përse duhet të presë SPAK, një denoncim formal? Ka tre vjet që një gjë e tillë, po ulërin në media dhe gjithandej. Përse duhet të presë SPAK?! Denoncimet janë dytësore, sa i përket procedurës. Prokuroria duhet të veprojë vetë. Kur ndodh një vepër e rëndë penale, pritet denoncime? Përse ka tre vite heshtje? Ka një vit që është ngritur SPAK-u. A mund të shkojë SPAK deri në QKR dhe të shohë kush dhe kur u krijua kompania që fitoi tenderin? Si ka mundësi regjistrohet një ditë përpara me 100 mijë lekë të reja kapital dhe diskutohet për qindra milionë euro?! Po presim që SPAK të zgjohet. E kemi trajtuar si grup i strukturuar kriminal. Edi Rama, Arben Ahmetaj, Lefter Koka, Erion Veliaj, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto. Kjo është një çështje korruptive duke nisur që nga procedurat, duke vazhduar me kontratën e duke përfunduar me zbatimin e kontratës. Kostot për buxhetin e shtetit ashtu siç janë të llogaritura në denoncimin që ne çuam sot në SPAK janë mbi 430 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës, sepse ne sot (dje) denoncuam inceneratorin e Tiranës. Ndërkohë që ne kemi dokumente zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të Ministrisë së Financave që provojnë këto shkelje që ne kemi thënë.