Komisioni i Venecias: Meta ka zbatuar Kushtetutën. Betimi i gjyqtarëve para Presidentit është kusht

316
Sigal

Komisioni i Venecias i ka vënë “pikat mbi i” debatit midis Kryetarit të Shtetit, Ilir Meta dhe mazhorancës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, duke arritur ndër të tjera në konkluzionet se “Presidenti Meta ka zbatuar Kushtetutën”, dhe se ai kishte të drejtë me emërimet në Kushtetuese, pasi “betimi i gjyqtarëve para Presidentit është parakusht për të marrë detyrën”.

Në vija të përgjithshme këto janë konkluzionet e raportit që “Venecia” ka shpërndarë dje për palët dhe që pritet të zyrtarizohet në muajin qershor.

Konkretisht lidhur me çështjen e shumëdebatuar të radhës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, që sipas përcaktimeve në Kushtetutë janë 1.President, 2.Kuvend, 3.President, 4.Kuvend, “Venecia” thekson ndër të tjera në pikën 97 të konkluzioneve se “duket e arsyeshme që Presidenti të konsiderojë se duhet të respektojë radhën e sekuencës edhe për zgjedhjen aktuale të kandidatit: nëse sekuenca ekziston, ajo duhet të ketë një ndikim në rendin e emërimit nga një listë e vetme. Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, numri minimal i kërkuar nga Kushtetuta. Rezervat e bazuara mbi këtë arsyetim nuk duken të pajustifikuara. Prandaj, sjellja e Presidentit në lidhje me këtë, nuk justifikon shkarkimin e tij”.

Gjithashtu Komisioni i Venecias në pikën 98 i jep një shuplakë të fortë Kuvendit, duke theksuar ndër të tjera se “Presidenti ia bëri me dije Kuvendit dhe e deklaroi interpretimin e tij për radhën e akteve të emërimit. Kuvendi vazhdoi në bazë të interpretimit të bërë nga vetja, i cili ishte qartësisht i ndryshëm nga ai i Presidentit. Madje edhe arriti në përfundimin se Presidenti kishte hequr dorë nga e drejta e tij për të emëruar gjyqtarin e tij të dytë. Tani, pavarësisht se cili interpretim ishte i saktë, të dy organet e emërtesës duhet të ishin mbledhur dhe të kishin arritur një pozicion të përbashkët përpara se të vazhdonin procedurën”, – citojmë nga konkluzionet.

“Venecia” gjithashtu në pikën 99 të konkluzioneve i jep të drejtë Presidentit sa i përket zgjedhjes së Marsida Xhaferllarit si anëtare në Gjykatën Kushtetuese dhe refuzimit të kandidaturës së Arta Vorpsit të mbështetur nga qeveria, që në mënyrë anti-kushtetuese dhe të paprecedentë u “vetëshpall” gjyqtare pas “betimit tek Lana” para një notereje, dhe jo para Presidentit të Republikës, siç qartësisht e përcakton Kushtetuta.

“Pezullimi tregoi se Presidenti ende dëshironte të ushtronte kompetencën e tij të emërimit që gëzon sipas Kushtetutës dhe kjo u konfirmua nga emërimi i tij i një kandidati menjëherë pas zgjedhjes së kandidatit të Kuvendit. Në këto rrethana, ratio legis i klauzolës së zhbllokimit nuk zbatohej dhe duket se është e justifikuar të pranohet emërimi i vonuar i kandidatit të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi betimin e gjyqtares e cila supozohet se u zgjodh automatikisht”, – shprehet “Venecia” në pikën 99.

Konkluzion që përforcohet më tej edhe në pikën 100 të konkluzioneve të “Venecias”, ku shprehimisht theksohet se “Në këtë drejtim, Komisioni i Venecias thekson se neni 129 i Kushtetutës parashikon që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij / saj pasi të bëjë betimin para Presidentit të . Është e qartë se betimi para Presidentit është parakusht për të marrë detyrën”.

Shihet qartë se Komisioni i Venecias i ka dhënë të drejtë Presidentit edhe për kthimin që i bëri ligjit për procedurën e re të betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke rikonfirmuar se ndryshimet e miratuar nga qeveria bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.