“Me tifozët jemi shumë të fortë në shtëpi”, Bare karikon Espanjolin: Sezoni do të mbyllet në mënyrën e duhur

115
Sigal

Espanjoli ka lënë pas humbjen me Real Sociedadin dhe po përgatitet për sfidën e nesërme ndaj Selta Vigos. Në prag të kësaj përballjeje për mediat ka folur edhe mesfushori i Kombëtares, Keidi Bare. Ai shprehet qartë se humbja e fundit e ekipit të tij duhet të lihet pas dhe fokusi të jetë të ndeshja e radhës, duke qenë se ajo luhet në “RCDE Stadium”, aty ku Espanjoli ka një forcë tjetër.

“Është e qartë se në çdo ndeshje ne mësojmë nga gabimet tona dhe përmirësohemi. Sociedad tashmë ka kaluar dhe duhet ta lëmë pas për t’u fokusuar te Selta, për t’i bërë gjërat më mirë dhe për të fituar ndeshjen”, shprehet fieraku. I pyetur për forcën që ka Espanjoli në stadiumin e tij, ndryshe nga ndeshjet në transfertë, Bare thotë: “Ne e dimë që jemi shumë rehat në shtëpi dhe jemi shumë të fortë me tifozët tanë, që janë lojtari numër 12. Nesër do të shkojmë me gjithçka, për të bërë një lojë të mirë dhe për të marrë tre pikët”.

Mesfushori komenton edhe ecurinë e skuadrës dhe tregon se janë të etur për fitore. “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e ardhshme dhe shikojmë lart. Në mendjen tonë nuk ka asgjë tjetër. Ndihem shumë mirë. Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi. Vitin e kaluar arritëm shumë mirë në fund dhe ky sezon do të jetë e njëjta gjë. Ekipi është i uritur dhe shumë i etur”, përfundoi Bare.