Maratona “Idriz Muço”në Sarandë/ Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Një garë plot emocion

145
Sigal

Bregdeti i Jonit në Sarandë priti notarë dhe veteranë të sportit të ujit. Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Një garë plot emocion. Sadik Mema: Në Sarandë, tradita vazhdon.

 

Agron KAJA

Nuk ka munguar asnjëherë në këtë Maratonë, dhe nuk ndodhi ndryshe me Presidentin e FSHN-së, Agim Çirakun. Ai ishte i pranishëm në Maratonën “Idriz Muço”, që u zhvillua ditën e dielë në qytetin e Sarandës, dhe për gazetën “Telegraf”, zoti Çiraku shprehu konsiderata e vlerësimin për këtë garë. “Është shumë bukur kur gërshetohen brezat në një garë, e kjo ndodhi në Maratonën “Idriz Muço”. Një mikpritje shumë mbresëlënëse në Sarandë dhe prania e Drejtorit të Sporteve në bashkinë e këtij qyteti, Flamur Shehu, tregoi respektin për këtë veprimtari. Të gjithë ata që garuan (Femra e Meshkuj) ishin nga të gjitha moshat, por më shumë se sa emrat e tyre, vlen të veçohet se nga të gjithë ata dhe ato që hynë në ujë, e përfunduan garën. Unë do falenderoja Bashkinë e Sarandës për mbështetjen, Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit për bukurinë që i dha kësaj veprimtarie, e cila u kthye në një garë plot emocion”, kështu e vlerëson Presidenti FSHN-së Agim Çiraku, Maratonën “Idriz Muço” që u zhvillua në bregun e detit në Sarandë. Por ai ka edhe një “merak”, jo vetëm si president i federatës së sporteve të ujit në Shqipëri. “Kjo traditë si në Sarandë, në Pogradec, apo edhe në Shëngjin, duhet që të zgjerohet edhe në qytete të tjera, kryesisht në ato bregdetare. Noti është sport i bukur dhe maratonat i japin hijeshi e kënaqësi”.

GARA E MARATONËS

FITUESIT

Deri 12 vjeç-1 km

FEMRA

1.Kristiana Papagjika Butrinti

2.Uejsa Kalaja Te Stela

3.Amelja Kalaja          Te Stela

MESHKUJ

1.Drini Karanxha        Te Stela

2.Erfan Qurku             Butrinti

3.Nik Shelna   Te Stela

 

Mbi 13 vjeç-2 km

FEMRA

1.Vivian XhemollariTe Stela

2.Viki Tafruku            Vllaznia

3.Arla Dermishi          Te Stela

MESHKUJ

1.Devi Shtaro Teuta

2.Bjon Qëndro            Butrinti

3.Jason Babi    Butrinti

Veteranët

FEMRA-1 km

1.Eni Karriqi   Tirana

2.Albana Çelanji         Elbasani

MESHKUJ-2 km

1.Andi Kongoli           Elbasani

2.Alush Çukari            Saranda

3.Edmond Mema        Tirana

4.Lefter Nika   Saranda

 

Të gjithë Veteranët

Garuan në 800 m

 

Mikpritje, garë maratone, fitues dhe spektakël

Ditën e dielë, qyteti i Sarandës u zgjua ndryshe nga ditët e tjera të nxehta të këtij shtatori. Dhe ky zgjim erdhi nga bregu i detit, aty ku ishte përgatitur gjithçka për zhvillimin e Maratonës “Idriz Muço”. Qytetarë të shumtë sarandiotë, pushues vendas dhe të huaj, e shpërngulën ritmikën e tyre të përditshme atje ku FSHN-ja, Bashkia e Sarandës dhe Shoqata e Veteranëve Shqiptarë të Notit i kishin bërë gati kronometrat, vijëzimet në rërë dhe shoqëruesit, që prisnin në mjetet e tyre në det, sikur të ishte një veprimtari e përmasave të mëdha. Dhe vërtet ashtu rezultoi, sepse të gjithë ata që garuan u ndjenë të rivalizuar si me valët e detit, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Gjithçka e bukur dhe me emocion, e cila vazhdoi edhe pas garës, në të cilën morrën pjesë nga moshat e vogla 12-13 vjeç, por edhe veteranë të këtij sporti të bukur, ku brënda tyre kishte Mjeshtra Sporti, Mjeshtra të Merituar dhe Mjeshtra të Mëdhenj. Dhe ajo që u vlerësua në këtë fund, ishte se Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, kishte sjellë Kupat dhe Çertefikatat për fituesit, njëherësh edhe Certefikata Mirënjohje për çdo garues. Kështu u mbyll kjo maratonë me garë maratone, fitues dhe spektakël.

Mjeshtri i Madh Sadik Mema: Në Sarandë, tradita vazhdon

Maratona në Sarandë është zhvilluar periodikisht, ndërsa me emrin “Idriz Muço” ishte sezoni i tretë. Kjo traditë duhet që të zgjerohet edhe në qytete të tjera liqenore e bregdetare. Maratonat i japin hijeshi këtij sporti.

Edhe këtë vit Saranda gumëzhiu në bregun dhe valet e Detit Jon. Ishin maratonistët e kësaj gare të përvitshme me emrin e të Madhit “Idriz Muço”, e cila kishte afruar notarë dhe notare sarandiotë dhe nga qytete te tjera të Shqipërisë, midis tyre ishin edhe shumë veteranë të këtij sporti, Mjeshtra e Mjeshtra të Mëdhenj. Të gjithë i dhanë bukurinë dhe hijeshinë kësaj maratone, dhe Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit, Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, tregoi për gazetën “Telegraf” gjithçka nga kjo veprimtari. “Saranda është shumë mikpritëse, jo vetëm kur bëhet fjalë për notin, që në këtë qytet ka patur kampionë e mjeshtra të mëdhenj. Ishte shumë e veçantë pjesëmarrja e qytetarëve e pushuesve të shumtë para, gjatë e pas maratonës, të cilët i dhanë një bukuri festive kësaj veprimtarie. Garuesit ishin nga Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi e nga Saranda mikpritëse”. Kështu e nisi bisedën Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, i cili më pas tregoi edhe për fituesit e kësaj maratone. “Gara shkoi shumë mirë, deti ishte i qetë si një pishinë në natyrë, por edhe moti sikur i dha ndriçimin gjithçkaje. Edhe pse skafet u bënë të bezdisur gjatë garës, nuk e ndalën “marrshimin” e gjithë garuesve, që iu afruan numrit 100 në garë (më shumë se 50 fëmijë dhe 44 veteranë)”. Si në çdo veprimtari, që organizohet nga FSHN-ja, apo edhe në ato me nisiativën e SHKVN në Shqipëri, Sadik Mema tregon se në mbyllje të kësaj gare u dhanë edhe Kupa për fituesit, çertefikata Mirënjohje për çdo garues. “Në sport, çdo fitues shpërblehet edhe me mirënjohje. Kështu bëmë edhe këtë herë, ku për çdo fitues u dhanë Kupa dhe Medalje. Por e veçanta ishte se për çdo garues, pavarsisht se ku u rendit në garë, u dhanë Çertefikata Mirënjohje. E meritonin, sepse të gjithë e zbukuruan këtë veprimtari, duke na lënë me “kokën pas” për shtatorin e vitit të ardhshëm”, kështu e përshkroi Sadik Mema (Mjeshtër i Madh) Maratonën e Notit “Idriz Muço” që u zhvillua në fundjavën e shkuar në qytetin e Sarandës. Maratona në Sarandë është zhvilluar periodikisht, ndërsa me emrin “Idriz Muço” ishte sezoni i tretë.