Avokati i Popullit ngre alarmin: Mjekë të huaj ushtrojnë profesionin pa licencë në Shqipëri

79
Sigal

Sipas Avokatit të Popullit, ushtrimi i profesionit nga mjekë të huaj pa licencë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pacientëve, nxit mungesën e përgjegjësisë ligjore dhe sjell rënie të besimit të qytetarëve ndaj sistemit shëndetësor. Problematikat kryesore të identifikuara nga ankesat përfshijnë: trajtim mjekësor jo konform standardeve, burokracitë në Poliklinikat e Specialiteteve, ku pritjet e gjata ndikojnë negativisht

Avokati i Popullit ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024, ku evidentohen një sërë problematikash serioze në sektorin e shëndetësisë, të cilat prekin drejtpërdrejt sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Gjatë këtij viti janë regjistruar gjithsej 53 raste, prej të cilave 13 janë nisur me iniciativë nga institucioni.

Avokati i Popullit i ka drejtuar një rekomandim zyrtar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, lidhur me një tjetër problematikë të rëndë: mjekët e huaj që ushtrojnë profesionin në klinika dhe spitale private në Shqipëri pa u regjistruar apo licencuar.

Hetimi administrativ ka zbuluar se mungon kuadri i konsoliduar nënligjor apo metodologjik për identifikimin dhe kontrollin e mjekëve të huaj të paautorizuar. Për më tepër në institucionet private shëndetësore verifikimi i dokumentacionit mbetet formal dhe sipërfaqësor.

Sipas Avokatit të Popullit, ushtrimi i profesionit nga mjekë të huaj pa licencë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pacientëve, nxit mungesën e përgjegjësisë ligjore dhe sjell rënie të besimit të qytetarëve ndaj sistemit shëndetësor.

Problematikat kryesore të identifikuara nga ankesat përfshijnë: trajtim mjekësor jo konform standardeve, për shkak të mungesës së protokolleve të qarta dhe praktikave të papërshtatshme, që çojnë në trajtime joefektive për pacientët; burokracitë në Poliklinikat e Specialiteteve, ku pritjet e gjata dhe menaxhimi joefikas i fluksit të pacientëve ndikojnë negativisht në cilësinë e shërbimit.

Po kështu shqetësuese është mungesa e medikamenteve në Spitalin Onkologjik, që pengon trajtimin efektiv të pacientëve me sëmundje të rënda.

Nga hetimi ka rezultuar gjithashtu mungesë shërbimesh shëndetësore në zonat rurale, për shkak të mungesës së mjekëve dhe infermierëve, duke lënë komunitetet pa akses bazik në kujdesin shëndetësor, ose gjendja e amortizuar e qendrave.

Shqetësim mbetet po ashtu deficiti i infermierëve të kualifikuar, që ul ndjeshëm cilësinë e kujdesit dhe mbingarkon personelin ekzistues dhe po ashtu edhe emigrimi masiv i mjekëve dhe infermierëve, që krijon mungesa kritike në stafet mjekësore në spitalet rajonale dhe bashkiake.