Luan Laze: Bukuria e një skulpture 40 – vjeçare

1128
Sigal

 

Nuk ka shqiptar të mos ketë kaluar qoftë dhe një herë pranë kësaj vepre, e cila ndodhet në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, pranë Kishës Ortodokse. Kemi bërë foto me familjen, me fëmijët, dhe jemi sjellur rrotull saj duke admiruar…

Kjo vepër publike në mes të gjelbërimit, ka befasuar edhe të huajt, të cilët, jo vetëm e kanë admiruar realizimin e saj artistik, por një pjesë habiteshin për pozicionin e figurave të fëmijëve në këtë skulpturë. Disave u dukej lojë e çuditshme, qëndrimi mbi kurrizin e shokut për një kohë të gjatë, aq më tepër, duke ditur edhe natyrën e karakterin tonë të nënshtruar ndaj shtetarëve dhe politikes. Disa të tjerë, kanë përafruar edhe paralelizma politike apo shoqërore!! Por jo, ajo është një moment lirik i kalimit te kaluçit mbi kurrizin e shoku shokut. Nuk ka njeri me moshë relativisht të mesme të mos ketë luajtur ashtu si në këtë vepër artistike. Edhe sot kur i kaloj praneë ndjej një lloj kënaqësie estetike, jo vetëm për realizimin e bukur artistik por, edhe për lirizmin e kujtimeve të fëmijërisë e nostalgjinë që janë të fiksuara aty.

Po cili është autori i kësaj vepre dhe kur është vendosur aty?

Nuk kisha asnjë të dhënë, apo ndoshta më kishte shpëtuar emri i autorit në fund të piedestalit të veprës. Në një bisedë me mikun tim të veçantë, piktorin,kritikun dhe historianin Abaz Hado, ai me sqaroi gjithçka. Ajo është vepër e artistit Sofokli Koci, i cili për fat të keq ka ndërruar jetë tashmë. Skulptura është realizuar dhe vendosur aty rreth viteve 80-të.Pra diçka më shumë se 40 vite më parë. Në atë park ka edhe dy tre vepra të tjera në skulpturë. Por sot kisha dëshirë të ndaja me të gjithë ju, pikërisht kujtimet që na sjell kjo vepër, jo vetëm nga fëmijëria, por edhe nga orët e bukura të dashurisë që kemi kaluar andej. E më vonë, si prindër dhe si gjysh. Se ajo na i kujton të gjitha këto momente të paharruara. Skulptura e Sofokli Kocit, është jo vetëm bashkëudhëtare e kujtimeve tona, por edhe një vepër e denjë qe e ka zbukuruar shumë atë pjesë të kodrave të Liqenit. Se është e tillë, vepër artistike pa asnjë ideologji, por vetëm lirizëm i pastër, shplodhje, relaks dhe nostalgji për çdo vizitor, ajo i ka rezistuar kohëve. Tentuan dikur hajdutët e bronzit ta vidhnin, por për fat e shpëtuan. E tani është aty, si për të na kujtuar se veprat e artit publik kanë vlera të pazëvëndësueshme në jetën tonë shpirtërore. Ato janë bukuri, estetikë, art frymëzim dhe nostalgji. Mirënjohje për artistin që na la një kujtim aq të bukur, jetëgjatë e frymëzues. Faleminderit nga të gjithë, skulptorit Sofokli Koci.