“Lu-La” dyshja e ëndrrave në Itali

221
Sigal

Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez tani janë një siguri në një Inter që ka stabilizuar një tjetër rekord: në epokën e tri pikëve për fitore, askush nuk i kishte fituar më parë dhjetë ndeshjet e para të fazës së dytë.

Meritat janë të të gjithëve, edhe të atyre që luajnë pak ose aspak. Megjithatë, në Europë një dyshe sulmuesish kaq të fortë dhe të kompletuar nuk e ka askush, sepse 35 golat e Levandovskit (Bajern Mynih) njollosin statistikën edhe duke i bashkuar me 10 të partnerit të sulmit Myler, ndërsa Mbape dhe Nejmar me raste janë për filma të animuar, megjithatë vazhdimësia, altruizmi dhe puna e pistë e dy zikaltërve mund ta harrojnë, duke shtuar që tani nga stoli po ngrihet një zotëri lojtar si Sançez i ri i dy muajve të fundit.

Një dyshe e mirë jo vetëm sepse shënojnë me vazhdimësi. Me golin kundër Sasuolos, Lukaku u ngjit në kuotën 21, ndërsa Lautaro me 15 shënoi rekordin personal. Totali thotë 36 realizime nga 68 në total (53%) falë të cilave Interi ka kapur Atalantën si sulmin më të mirë të kampionatit. Për herën e tetë gjatë kësaj Serie A, belgu i shërbeu një tjetër asist argjentinasit, për herë të pestë, më shumë se çdo dyshe tjetër lojtarësh në kompeticionin aktual. Manifestim i një kuptimi telepatik, i një aftësie për të menduar për shokun në çdo moment.

Pa harruar sakrificën në fazën pa top. Romelu dylufton me të gjithë dhe është një vlerë e shtuar edhe në zonën e tij, ku topat e lartë në goditjet standarde janë të tijtë. Ndërkohë, “Demi” vrapon si i çmendur, tani ka mësuar përmendësh edhe manovrat me të cilat mbron pjesën qendrore të majtë kur Eriksen ndryshon pozicion. Lukaku ka shënuar në 11 nga 14 ndeshjet brenda fushe në kampionat dhe, si kundër Milanit, Xhenoas dhe Bolonjës, ka gjetur gjithmonë golin në secilin nga takimet me Sasuolon. Megjithatë, sulmuesi, një vigan prej 191 centimetrash për 93 kilogramë, nuk shënonte me kokë në Serinë A nga 25 korriku i kaluar (ishte i pari për këtë sezon me Interin), pikërisht kundër Xhenoas.