Ernest Gjoka: “Kemi pak gjyqtarë të aftë”

415
Sigal

Trajneri dhe specialisti i njohur: “Ky sezon është shumë i pa parashikueshëm dhe me shumë luhatje”

Ernest Gjoka, trajneri dhe specialisti i njohur, tha për “Telegraf” se, ky sezon i Kategorisë Superiore, me atë që ka treguar në këto nëntë javë të luajtura, është shumë i pa parashikueshëm dhe me shumë luhatje. “Është e vërtetë që, gjyqtarët janë bërë seriozisht në shumë ndeshje faktor kryesor të rezultatit dhe kjo gjë sjell reagime nga të gjithë”, – tha ish-trajneri i Apolonisë për gazetën. “Mendoj që këto duhet të jenë më të përgjegjshëm për çdo ndeshje dhe, duhet të largojnë me çdo kusht idenë që rezultatet janë pjesë e rëndësishme të gjykimeve duhet të tregojnë akoma dhe me shumë profesionalizëm, pasi kemi shumë pak gjyqtarë të aftë”.

– Zoti Gjoka, janë luajtur nëntë javët e para të këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Cili është vlerësimi juaj?

– Mendoj që, është një sezon i vështirë dhe me shumë luhatje nga të gjitha ekipet, pasi nga ky edicion do të zbresin katër ekipe.  Kjo gjë e ka bërë të vështirë dhe shumë të paparashikueshëm si sezon.

 – Java e dhjetë ofron disa çifte dhe ndeshje të rëndësishme. Si e parashikoni sfidën Skënderbeu-Flamurtari, me korçarët që kryesojnë kampionatin dhe vlonjatët që renditen në vendin e nëntë?

 – Është një sfidë që, për mendimin tim do të ndikojë në vazhdimësinë e Skënderbeut për të qenë i shkëputur nga të tjerët,  por njëkohësisht për Flamurtarin do të jetë një goditje shume e rëndë, në qoftë se nuk arrin të marri të paktën një pikë. Kjo i jep një rëndësi shumë të madhe kësaj sfide dhe do ta bej deri diku të rëndësishme.

 – Dy ndjekëset më të afërta të korçarëve, Kukësi dhe Besa, të dyja më pikë të barabarta, nga 15, do të ndeshen midis tyre në Kukës. Si e parashikon atë?

 –  Për mendimin tim, Kukësi është një ekip i mirë dhe po bën një paraqitje pozitive në kampionatin e parë të tij në Superligë, Është një ekip që nuk është rastësi që është në këtë nivel  pikësh. Ka lojtarë cilësorë dhe më shumë eksperiencë në Superligën tonë ka një presidencë të kujdesshme ndaj ekipit të tyre dhe mendoj që, po arriti të fitojë këtë javë ndaj Besës që, dhe kavajasit po bëjnë një figurë të mirë sivjet, atëherë mendoj që Kukësi do të jetë një nga ekipet që do të jetë në kërkim të tre vendeve te para.

 – Në “Loro Boriçi” të Shkodrës do të luajnë Vllaznia dhe Tirana, dy ekipet tërësisht të zhgënjyera nga eliminimi i shpejtë qysh në turin e dytë eliminator të Kupës së Shqipërisë dhe që, tani u duhet të mendojnë plotësisht për kampionatin. Si e shikoni?

 – Të dyja skuadrat po bëjnë deri tani një kampionat me shumë luhatje. Ndoshta më mirë ka qenë Vllaznia por, mendoj qe kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Mendoj që, Vllaznia me mundësinë që ka, duke e pasur ndeshjen në fushën e vet duhet ta fitojë patjetër që të arrijë tek fitorja që do të bëjë të mundur mos të shkëputet shumë nga vendet e para në tabelë, kurse Tirana mendoj që ka shumë probleme si nga ana taktike, por sidomos nga ana fizike dhe kjo gjë e bën të jetë në këtë gjendje dhe kjo gjë i sjell pasoja edhe nga ana mentale. Prandaj mendoj që Tirana është totalisht në krizë.

 – Tomori, Luftëtari, Shkumbini, Apolonia janë të shkëputura nga vendet e tjera. Sa e rrezikojnë ato rënien?

 – Mendoj që janë të shkëputura por mos harroni që në qoftë se ndonjë nga këto ekipe arrijnë dhe bëjnë dy fitore rresht atëherë situata ndryshon, pasi ekipet janë të ngjeshura, edhe pse është e vështirë për këto skuadra.

– Shumë ekipe janë ndëshkuar për të zhvilluar ndeshje pa shikues, ose siç është rasti i Besës dhe jashtë. Përse ndodh kjo?

– Edhe rastet jo sportive vijnë nga vetë formati i këtij kampionati qe, bën që të gjithë kane dëshirë për të arritur tek fitoret, për të mos bërë hapa fals dhe këto pastaj sjellin shfaqjet jo sportive. Personalisht, gjithmonë kam qenë kundër sjelljeve jo sportive, tifozët harrojnë që kjo nuk është në të mirë të skuadrës së tyre por, në dëm të ekipit.

 – Ka pasur shumë kontestime për gjykimet këtë sezon. Cili është opinioni juaj?

 – Është e vërtetë që, gjyqtarët janë bërë seriozisht në shumë ndeshje faktor kryesor të rezultatit dhe kjo gjë sjell reagime nga të gjithë, mendoj që këto duhet të jenë më të përgjegjshëm për çdo ndeshje dhe, duhet të largojnë me çdo kusht idenë që rezultatet janë pjesë e rëndësishme të gjykimeve duhet të tregojnë akoma dhe me shumë profesionalizëm, pasi kemi shumë pak gjyqtarë të aftë.

PËRDORËN GRUSHTET, BRAHJA DHE DUSHKU PEZULLOHEN NGA TRI JAVË

Erion Dushku i Tiranës dhe Julian Brahja i Kukësit u pezulluan me tri ndeshje secili nga Komisioni i Disiplinës, për shkak të sjelljes jo sportive ndaj njëri-tjetrit. Incidenti midis dy futbollistëve të njohur ndodhi gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Julian Brahja i Kukësit dhe Erjon Dushku i Tiranës u ndëshkuan me karton të kuq nga gjyqtari i ndeshjes, Ervis Peza, pasi u konfrontuan midis tyre në pushimin midis dy pjesëve të lojës, pikërisht në korridorin që të çon në dhomat e zhveshjes. Me dy ndeshje pezullim u ndëshkua lojtari i Shkumbinit, Orgest Gava, për sjellje sportive ndaj kundërshtarit në ndeshjen Vllaznia-Shkumbini (për Kupën e Shqipërisë).

TIRANA, EKIPI MË I NDËSHKUAR NGA DISIPLINA

Nuk ka qenë kurrë në traditën e saj, edhe pse Tirana konsiderohej ekipi më me shumë grintë në kampionatin shqiptar. Por në këto nëntë javë, bardheblutë janë skuadra më e ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës. Renaldo Kalari u ndëshkua me pesë ndeshje për goditje të kundërshtarit, plus një gjobe prej 100 mijë lekësh. Oltion Muçollari u pezullua dy ndeshje për goditje të kundërshtarit, dhe po kështu Julian Ahmataj (2 ndeshje) dhe Erjon Dushku (3 ndeshje). 13 lojtarë të shtatë ekipeve të Superligës janë ndëshkuar këtë sezon, përfshirë Bledar Mancakun e Teutës, Renato Arapin e Skënderbeut; Milan Nikoliçin dhe Erind Selimajn, të dy të Luftëtarit; Klodian Arbri dhe Besmir Arifajn të Bylisit; Roland Dervishin dhe Orgest Gavën të Shkumbinit, si dhe Julian Brahjan e Kukësit.