Lorik Cana: “Kujdes nga Qipro, çdo gabim na kushton rëndë”

509
Sigal

 Kapiteni i Kombëtares: “Shqipëria dhe Qipro kanë nivel të përafërt. Fitorja 6-1 ishte një miqësore”

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, vuan prej dhjetë ditësh nga një dëmtim në shpinë, por kosovari tha se stafi mjekësor i Kombëtares po bën të pamundurën që ai të jetë në fushë kundër Qipros, ndeshja e parë e eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. “Duhet ta fitojmë me patjetër ndeshjen me qipriotët, pasi kështu do t’i bënim një nisje të mirë edicionit. Gjithsesi, nëse do të mendojmë akoma për atë fitore 6-1, ajo është arritur në miqësore. Ndeshjet zyrtare kanë dinamikë dhe impenjim tjetër. Të dyja skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha, kështu që, detajet do të vendosin edhe fatin e ndeshjes. Ne duhet të përgatitemi që të shfrytëzojmë çdo gabim të kundërshtarëve:, – tha Cana për gazetën “Telegraf”. Loriku i vlerësoi me nota pozitive dy prurjet e reja, mesfushorin e Padeborbnit në Bundesligën e Dytë gjerman, Alban Mehën dhe Burim Kukelin e Zyrihut në kampionatin maksimal zviceran. “Janë që të dy lojtarë cilësorë dhe besoj se, kanë çfarë t’i japin ekipit Kombëtar. Kukelin e njoh, pasi jemi përballur njëri me tjetrin, kur luajti Lacio me Lucernin, ndërsa Albani është një lojtar i spikatur në Bundesligën 2”. Loriku është aktivizuar në 59 ndeshje me Kombëtaren dhe është autori i një gol, ai në miqësoren kundër Azerbajxahnit, të fituar 2-1.

 Lorik, cila është atmosfera e skuadrës përpara ndeshjes me Qipron?

Jemi shumë të kënaqur, që ritakohemi dhe në ekip ndihet qartë optimizmi. Kemi pak kohë në dispozicion për ndeshjen me Qipron, kështu që jemi duke e kryer atë me shumë seriozitet.

Keni kaluar së fundi një dëmtim, cila është gjendja fizike e kapitenit të Kombëtares?

Kam një javë që jam i dëmtuar. Kam munguar në dy ndeshjet e fundit me Lacion, në Ligën e Europës dhe të dielën, ndaj Palermos, për Serinë A. Nuk jam në gjendje optimale, por po mundohem që të jem sa më mirë. Kam akoma shqetësime në shpinë dhe, besoj se do t’i kem ndoshta dhe për një periudhe dyjavore. Gjithsesi, jam duke punuar ngushtë me stafin mjekësor të Kombëtares dhe trajnerin, por dua ta theksoj se, do të jem patjetër në fushë kundër Qipros, për ta ndihmuar skuadrën. Prezenca ime do të jetë sigurisht, për të fituar ndeshjen.

Trajneri Xhani De Biazi deklaroi se, lojtarët duhet ta harrojnë fitoren 6-1 ndaj Qipros (gusht 2009), ju si futbollistë a keni harruar atë?

Asnjë ndeshje nuk harrohet. Trajneri e ka thënë se, nuk duhet të bazohemi në atë ndeshje, pasi kundërshtari ka grumbulluar lojtarë të tjerë, dhe për më tepër kjo është një ndeshje zyrtare. Rezultati 6-1 është arritur në një ndeshje miqësore; skuadra jonë ka qenë në ditë të mira, ndërkohë që tani jem pak më keq në aspektin e lojtarëve.

Në renditjen botërore të FIFA-s, Shqipëria është dukshëm më mirë se Qipro. Sipas jush, a kemi shumë diferencë me Qipron?

Për mendimin tim, niveli i Shqipërisë me Qipron është shumë i përafërt. Në aspektin e klubeve, Qipro qëndron shumë më lart, pasi ditën kur Shqipëria do të ketë një ekip në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve duhet të presim dhe shumë gjatë. Kështu që, qipriotët kanë jo pak futbollistë cilësorë. Të dyja skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha dhe ndeshja do të vendoset ndaj detaje shumë të vogla.

Pas katër ndeshjeve miqësore, sfida kundër Qipros do të jetë ndeshje e parë zyrtare për këtë vit, dhe për më tepër e trajnerit Xhani De Biazi. Sa mund të ndikojë fakti, që ne do të luajmë në shtëpi?

Ne duhet të përgatitemi që t’i shfrytëzojmë në maksimum gabimet e tyre, të shfrytëzojmë forcat tona. Mendoj se, përveç përgatitjeve tona, një faktor jo pak i rëndësishëm do të jetë dhe mbështetja e madhe nga ana e tifozerisë. Ajo mund ta bëjë diferencën midis dy skuadrave.

Lorik, katër ditë pas Qipros do të luajmë në Zvicër, ku dhe pritet një stadium i ndezur dhe i mbushur me shqiptarë…

Ajo është një ndeshje tjetër. E di që, pritshmëria për atë ndeshje është jashtëzakonisht e madhe, por një gjë ju garantoj që fokusi dhe vëmendja e ekipit Kombëtar ndaj Zvicrës nuk është më e madhe sesa ajo për Qipron, pasi është fillimi i edicionit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, që në shtëpinë e saj të grumbullojë sa më shumë pikë. Dhe ky është qëllimi ynë kryesor. Kjo fillon nga ndeshja me Qipron. Këtë mund ta konsideroj edhe si ndeshjen më të rëndësishme të edicionit, pasi duam ta fillojmë sa më mbarë.

Cana, më në fund kemi një lojtar nga Mitrovica në Kombëtaren shqiptare. Cili është mendimi juaj për dy prurjet e reja, Alban Mehën dhe Burim Kukelin?

Po, i kam parë. Kukelin e njoh pak. E kam parë kur luajtëm në ndeshjen miqësore, Lacio-Lucern. Kemi biseduar dhe në atë kohë për Kombëtaren. Më vjen mirë që, është grumbulluar dhe mendoj se është një lojtar që ka një përvojë dhe vjen nga një kampionat cilësor, si ai i Zvicrës. Luan rregullisht dhe luan në një pozicion ku dhe kemi nevojë. Më vjen mirë që, nga dëshira e tij dhe e Federatës Shqiptare të Futbollit, tani ai do të luajë për vendin tonë. Alban Mehën nuk e kam parë të luajë, por e kam ndjekur në disa aksione kur ai ka luajtur dhe ka shënuar gola nga pozicione standarde dhe gjatë lojës. Është një lojtar me kualitet. Është 26 vjeç dhe luan në Bundesligën gjermane, që është dhe një nga kategoritë e dyta më të mira në Europë. Besoj se, dhe Meha do të sjellë diçka ndryshe në ekip. Sa më shumë lojtarë të kemi, do të rritet dhe cilësia. Për këtë jam shumë i kënaqur.

 Duka: “Duam sukses në eliminatore”

 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha se, pret nga Kombëtarja ta nisë dhe ta përfundojë me sukses, edicionin eliminator të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, që nis të premten me ndeshjen kundër Qipros (më 7 shtator 2012), dhe përfundon po me qipriotët në Nikosia (15 tetor 2013). Njëshi i futbollit shqiptar e bëri deklaratën në rezidencën e Kombëtares, në Resort “Tropikal” në Durrës, gjatë prezantimit të disa prej  sponosorëve  të përfaqësueses. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha: “Zyrtarisht hapim edicionin e eliminatoreve të Kupës së Botës ‘Brazil 2014’. Mbështetja e sponsorëve është e rëndësishme. Dua t’i garantoj se, ekipi Kombëtar me performacën e tij do të ndihmojë edhe biznesin e tyre. Dëshirojmë të arrijmë një sukses sa më të madh në këto eliminatore”  Në lidhje me një mundësi të kompanisë së shpërndarjes se energjisë elektrike, CEZ, për të qenë sponsor i Kombëtares, Duka tha: “Ne duam të kemi sa më shumë sponsorë. Përtej anës financiare, e rendësishme për ne është numri i bizneseve dhe i atyre që besojnë këto kombëtare. Pra, ne jemi të hapur për këdo, Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sponosorëve të Kombëtares, Kompania celulare “PLUS”, “Uji Tepelena”, “Union Bank” dhe “EUROKOHA” nga Kosova. Drejtori Ekzekutiv i “PLUS Communication”, Zhylien Koustauryi tha: “E njoh mirë Lorik Canën, qysh kur ai luante me Paris Sën Zhermenin, dhe u mërzita shumë kur ai transferua te Olimpiku i Marsejës. Por, duke e sponsorizuar skuadrën e Shqipërisë, me këtë rast po fal dhe Lorikun. Ne jemi të kënaqur që po e përsërisim sponsorizimin për Kombëtaren. Është e rëndësishme për shqiptarët, por dhe për ne”. Italiani Çirilio, përfaqësuesi i kompanisë “Uji Tepelena” tha: “Jemi sponsorë të Kombëtares shqiptarë që nga viti 2004. Kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Jemi krenarë që jemi mbështetës të Kombëtares së futbollit dhe do ta bëjmë atë dhe për “Botërorin 2014” dhe “Euro 2016”. Jam një tifoz i çmendur i Kombëtares shqiptare, dhe nëse luan në të njëjtën kohë në televizion Italia ime dhe Shqipëria, unë ndjek Shqipërinë”. Presidenti i “EUROKOHA”, Remzi Ejupi, tha: “Dikur kemi sponsorizuar boksieri e madh Luan Krasniqi, si dhe FK Prishtinën, por kompania ‘EUROKOHA’ është krenare që mbështet Kombëtaren, edhe në këtë vit të 100-vjetorit të Shqipërisë”. Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i dhuroi një bluzë të Kombëtares përfaqësuesit të kompanisë “Plus”, ndërkohë që sulmuesi Erion Bogdani ia dhuroi drejtuesit të “Ujit Tepelena”. Hamdi Salihi ia dorëzoi zyrtarit të bankës “Union Bank”, ndërsa kapiteni Lorik Cana ia dha kosovarit të “EUROKOHA”, Remzi Ejupi.