Alban Meha: “E bëj unë Ervin Skelën, ja pse më thirri trajneri De Biazi”

492
Sigal

Mesfushori kosovar i Padebornit është regjisori i ri i Kombëtares dhe i pari futbollist nga Mitrovica

Alban Meha, mesfushori kosovar i Padebornit në Bundesligën e Dytë gjermane, besohet se do të jetë regjisori i ri i Kombëtares, duke zëvendësuar Ervin Skelën, tashmë të tërhequr nga futbolli. Meha është i pari futbollist nga Mitrovica, që do të jetë pjesë e Kombëtares. Për “Telegraf”, Meha tregoi edhe si ai u vesh kuqezi” “Pata kontakte me stafin teknik të Kombëtares, dhe trajneri Xhani De Biazi më ndoqi gjatë një ndeshje, kur ekipi im, Padeborni, luajti me Arminian e Bielefeldit në Kupën e Gjermanisë. Ishte i pranishëm edhe Ervin Skela”.

 Alban, më në fund kemi dhe një futbollist nga Mitrovica në Kombëtaren shqiptare. Cilat janë emocionet tuaja?

E prita me kënaqësi ftesën. Është një ngjarje e bukur në jetën time. Jam shumë i gëzuar, që do të kem mundësi të luaj.

Ju e kishit shprehur me kohë dëshirën tuaj për të veshur fanellën kuqezi, kur kanë filluar negociatat për t’u bërë pjesë e Përfaqësueses shqiptare?

Pata kontakte me stafin teknik të Kombëtares, dhe trajneri Xhani De Biazi më ndoqi gjatë një ndeshje, kur ekipi im, Padeborni, luajti me Arminian e Bielefeldit në Kupën e Gjermanisë. Ishte i pranishëm edhe Ervin Skela.

Duke qenë se dimë pak për rolin tuaj, në çfarë pozicioni luani?

Unë jam një mesfushor i djathtë, por mund të spostohem edhe në qendër.

A ndiheni i gatshëm për të bërë debutimin tuaj në ndeshjen kundër Qipros?

Këtë e vendos trajneri. Ende nuk kemi folur. Janë vetëm ditët e para të mia me Kombëtare.

Meha, duket se keni ardhur direkt në Kombëtare. A e prisnit kaq shpejt një ftesë?

Në fakt, gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Kombëtarja shqiptare është në kërkim të një mesfushori organizator, rol që dikur e ka bërë Ervin Skela. A jeni i gatshëm ta luani këtë rol?

Sigurisht, nëse do të ma kërkojnë. Para së të vija në Shqipëri, jam takuar me Ervin Skelën dhe kemi folur për këtë rol.

Me Zvicrën luajnë pesë lojtarë shqiptarë, do të jetë një ndeshje speciale për futbollistët kosovarë. A ke ndonjë mesazh special për ta, se ata kanë gabuar që zgjodhën Zvicrën?

Jo. Secili vendos për veten e tij. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre. Nuk dua të komentoj më shumë.

Alban, dalloheni si golashënues. Tre gola deri tani në Bundesligën 2.

Të shënosh gola është gjithmonë një gjë e bukur.

Kosovari i Zyrihut flet për bashkatdhetarët e tij që luajnë me zviceranët: “Ata zgjodhën Zvicrën, unë Shqipërinë”

 Burim Kukeli: “O sa mirë me qenë shqiptar!”

 Burim Kukeli, mesfushori kosovar i Kombëtares shqiptare, që luan me Zyrihun në Zvicër, synon të ketë minutat e tij me Qipron dhe Zvicrën, por ai më shumë i gëzohet faktit se do të marrë pasaportën shqiptare. “Nesër ose pasnesër do ta marr në dorë pasaportën dhe kjo është një kënaqësi më vete. Sa për të luajtur çdo lojtar shpreson shumë për të qenë titullar, por atë e vendos trajneri. Gjithsesi, unë duhet të përqendrohem që të paraqitem sa më mirë”, – tha Kukeli për gazetën “Telegraf”. Kukeli foli edhe për marrëdhëniet e tij me kosovarët që kanë zgjedhur Zvicrën.

 Burim, urime për nënshtetësinë shqiptare dhe mirë së erdhët në Kombëtare. Cilat janë emocionet tuaja?

Një emocion më vete. Jam shumë i lumtur për këtë grumbullim. Ekipi më ka pranuar shumë mirë. Edhe Federata ka bërë shumë punë. E falënderoj për punën e bërë për të më pasur në ekipin kombëtar.

Duke qenë se, jeni i panjohur për publikun shqiptar, në çfarë pozicioni luani?

Luaj para mbrojtjes. Një rol që e ka bërë Curri ose Cana.

Për të qenë i sinqertë, a e prisnit këtë ftesë?

Jam shumë i kënaqur për këtë hap të madh. Është e vërtetë që tashmë është zyrtare, dhe ndihem shumë mirë. Nesër ose pasnesër do ta marr në dorë pasaportën dhe kjo është një kënaqësi më vete. Sa për të luajtur çdo lojtar shpreson shumë për të qenë titullar, por atë e vendos trajneri. Gjithsesi, unë duhet të përqendrohem që të paraqitem sa më mirë.

Do të luani kundër pesë shqiptareve të Zvicrës, si i prisni atë sfidë?

Sigurisht, me shumë emocion. Ata zgjodhën Zvicrën, por unë zgjodha Shqipërinë. Kisha menduar shumë herë dhe thosha se do të kënaqesha shumë nëse më grumbullonte ndonjë ndeshje trajneri i kombëtares. Tani shpresoj që të ndihmoj ekipin dhe të kem sukses me fanellën kuqezi.

Lë të kthehemi te ndeshja, Zvicër-Shqipëri. Do të ketë një mbështetje shumë të madhe apo jo?

Po, është e vërtetë. Jam i bindur që do të ketë shumë njerëz në atë ndeshje. Një ndeshje e ndjerë por tifozët do të na ndihmojnë. Për më tepër ka shumë lojtarë shqiptarë që luajnë me Zvicrën dhe kjo do të jetë shumë interesante. Ishallah luajmë mirë dhe fitojmë.

Te Lucerni keni luajtur me Jahmir Hykën, ndërsa tani aktivizoheni me Zyrihun. Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Hykën?

Me Jahmirin kemi bërë një sezon shumë të mirë vjet. Hyka është një lojtar i mirë. Tani luaj me Zyrihun dhe, sigurisht që më duhet pak kohë të përshtatem plotësisht.

Si e vlerësoni ndeshjen e Qipros?

Është një takim i vështirë, dhe dëshiroj të jap kontributin tim për ta fituar.

Jeni mik me Gokhan Inlerin, një prej lojtarëve më të mirë të Zvivcrës. A keni komunikuar me të pas thirrjes në Kombëtaren e Shqipërisë?

Sigurisht, më uroi. Jemi rritur bashkë dhe gjithmonë interesoheni për njëri-tjetrin. I thashë se do të fitoj unë.

A keni marrëdhënie me Xherdan Shaqirin apo Granit Xhakën?

I njoh, si lojtarë, por nuk kam marrëdhënie private. Kanë luajtur me Bazelin dhe kam luajtur kundër tyre.

A keni pasur kontakte nga Federata Zvicerane për të mos luajtur me Shqipërinë?

Jo, jo. Por, tani kjo nuk ka më rëndësi. Unë jam pjesë e Shqipërisë.

Salihi: “Jemi 100% të fokusuar te Qiproja”

 Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, tha se për momentin, i gjithë përqendrimi kuqezi është te Qipro. “Ne duhet të mundohemi t’i marrim ndeshjet një pas një. E di se shqiptarët janë më tepër të karikuar tek ndeshja me Zvicrën. Dua ta theksoj se gjithë ekipi është përqendruar tek ndeshja me Qipron dhe shpresojmë të bëjmë diçka të mirë në këtë ndeshje”, -deklaroi sulmuesi Salihi. Sulmuesi shkodran ka luajtur 38 ndeshje me Kombëtaren dhe ka realizuar 9 gola.

 De Biazi: “Evin Bulku është si luan!”

 Xhani de Biazi është shfaqur në humor të mirë dhe i kënaqur nga paraqitja e kuqezinjve në seancat e para stërvitore. Për kapitenin Cana shpresohet që të jetë në fushë, ndërkohë që kjo vlen edhe për Ervin Bulkun. Ky i fundit ka marrë një goditje në kyçin e këmbës gjatë stërvitjes së paradites dhe është zëvendësuar nga Sabien Lilaj. I pyetur për gjendjen e mesfushorit, De Biazi është shprehur pa ngurruar me superlativa: “Bulku mori një goditje në këmbë, por ai është një luan! Nuk do t’i dijë”.

Shqipëria, “Made in Kosova”

 Në fakt, mund të duket e habitshme, por në listën prej 24 lojtarësh të thirrur nga trajneri Xhani De Biazi janë jo pak, por tetë lojtarë kosovarë, pjesa më e madhe titullarë. Madje ata përbëjnë vijën e mbrojtjes; duke filluar me dy portierët Samir Ujkani dhe Etrit Berisha; mbrojtësit Armend Dallku, Mërgim Mavraj dhe kapitenin Lorik Cana, mesfushorët Alban Meha dhe Burim Kukeli, si dhe në sulm është Ahmed Januzi.

LISTA

 1 Samir Ujkani

2 Etrit Berisha

3 Orges Shehi

4 Lorik Cana

5 Armend Dallku

6 Tefik Osmani

7 Andi Lila

8 Mergim Mavraj

9 Renato Arapi

10 Sabien Lilaj

11 Franc Veliu

12 Jahmir Hyka

13 Emiljano Vila

14 Burim Kukeli

15 Ansi Agolli

16 Alban Meha

17 Gilman Lika

18 Ervin Bulku

19 Armando Sadiku

20 Odise Roshi

21 Hamdi Salihi

22 Edgar Çani

23 Erjon Bodgani

24 Ahmed Januzi

KALENDARI I ELIMINATOREVE

“BRAZIL 2014”

07.09.2012      Shqipëri-Qipro

11.09.2012      Zvicër-Shqipëri

12.10.2012      Shqipëri-Islandë

16.10.2012      Shqipëri-Slloveni

22.03.2013      Norvegji-Shqipëri

07.06.2013      Shqipëri-Norvegji

06.09.2013      Slloveni-Shqipëri

10.06.2013      Islandë-Shqipëri

11.10.2013      Shqipëri-Zvicër

15.10.2013      Qipro-Shqipëri