Liga e Kampioneve/ Reali “tremb” Liverpulin në “Santiago Bernabeu”

431
Sigal

Rikthehet përsëri pas dy javësh Liga e Kampioneve, me të gjitha skuadrat më të mira të botës që luftojnë aktualisht për kalimin e grupit dhe duket se skuadrat si Reali i Madridit, Borusia Dortmund apo edhe Bajern Mynih e kanë siguruar kalimin në fazën tjetër, por lufta bëhet vetëm për kualifikimin si e parë e grupit. Sot do të luajnë vetëm skuadrat nga grupi A deri në grupin D, ku kemi një përsëritje të të gjitha ndeshjeve që ishin në datën 22 tetor. Në grupin A, Juventus do të presë në shtëpi Olimpiakosin, në përpjekje për të fituar pas asaj humbjeje që pësoi në fushën e skuadrës greke, ndërkohë që Atletiko Madrid shkon të vizitojë Malmon, me idenë e qartë për të rrëmbyer edhe 3 pikë të tjera po ndaj kësaj skuadre. Në grupin B Real Madridi pret në shtëpi Liverpulin pas asaj humbjeje që i shkaktoi në shtëpi, 3-0. Kjo ndeshje do të shihet më shumë si një mundësi e dytë për Liverpulin që të luftojë edhe një herë për pikë ndaj madrilenëve. Reali, si kryesuese e grupit kërkon fitoren për të vulosur sa më mirë dhe sa më shpejt kualifikimin në këtë fazë. Në grupin C, Zeniti do të presë në shtëpi Leverkusenin, që është një kundërshtar shumë i vështirë, dhe rusët e dinë më mirë se gjithkush këtë, pasi pësuan një humbje 2-0 ndaj tyre në ndeshjen e kaluar. Takimi tjetër i këtij grupi është mes Benfikës dhe Monakos, takim që dy javë më përpara u mbyll në një barazim 0-0 ndërsa sonte janë portugezët që do të mundohen të luftojnë për të marrë edhe fitoren e parë në këtë fazë kundër Monakos që akoma nuk e ka provuar humbjen, me dy barazime dhe një fitore. Grupi D dhe njëkohësisht grupi i fundit për sonte, do të ripërcjellë edhe një herë takimet e forta mes Arsenalit dhe Anderlehtit, me londinezët që fituan vetëm në fund, me një gol të Lukas Podolskit, ndaj belgëve të Hasit. Fitorja do të kishte shumë vlerë për të dyja skuadrat dhe duke marrë parasysh formën aspak të mirë të Arsenalit, çdo rezultat është i  mundshëm dhe i pritshëm në fund të takimit. Ndërsa ndeshja tjetër e grupit është ajo mes Borusia Dortmund dhe Gallatasarai, takim që herën e kaluar u mbyll me një shpërthim golash nga gjermanët, 4-0, e nuk pritet asnjë ndryshim as në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Signal Iduna Park”, stadium që çdo kundërshtar e ka shumë të vështirë të dalë me një rezultat pozitiv. Të gjitha takimet do të luhen në të njëjtin orar, 20:45, përveç Zenit-Bajer Leverkusen që do të luhet në ora 18:00.

Grupi A

Juventus – Olimpiakos

Malmo – Atl. Madrid

Grupi B

Basel – Ludogorets

Real – Liverpul

Grupi C

Zenit – Bajer Leverkusen

Benfica – Monaco

Grupi D

Arsenal – Anderleht

B. Dortmund – Gallatasarai

Renditja e grupeve

 Grupi A

A. Madrid      6 pikë

Olimpiakos    6 pikë

Juventus         3 pikë

Malmo        3 pikë

Grupi B

Real Madrid      9 pikë

Ludogorets       3  pikë

Liverpul            3 pikë

Bazel                 3 pikë

 Grupi C

 B. Leverkusen    6 pikë

Monaco              5 pikë

Zenit                  4 pikë

Benfica              1 pikë

 Grupi D

 Dortmund      9 pikë

Arsenal          6 pikë

Anderleht      1 pikë

Gallatasarai   1 pikë

Vazhdojnë protestat e shqiptarëve për vendimin e UEFA-s

Nuk reshtin protestat paqësore të shqiptarëve kudo që ndodhen, në kuadër të vendimit që dha UEFA për dhunën e shfaqur në stadiumin e Beogradit në ndeshjen tashmë shumë të përfolur Serbi – Shqipëri. Pavarësisht se pritej që hovi i fillimit të binte, në fakt dita-ditës po përshkallëzohet edhe më shumë protesta me moton “Thuaj PO racizmit”. Pas protestës që u bë në Nion të Zvicrës, para zyrave të UEFA-s, e pati radhën edhe Danimarka, ku shumë shqiptarë u mblodhën para zyrave të Federatës Daneze të Futbollit për të shfaqur edhe aty indinjatën e tyre edhe për votën pro të danezëve në dënimin e Shqipërisë. Organizimi ishte shumë paqësor, ku mbi të gjitha dalloheshin pankarta ironike që mbanin të shkruar “Sepse futbolli nuk ka rëndësi, paraja PO”. Gjithashtu ndërmorën edhe një veprim tjetër duke ngjitur në muret e Federatës fotografi ku duket qartë dhuna që pësuan futbollistët e Kombëtares Shqiptare në Beograd.

Komisioni i Apelit, vendimi vetëm në fund të nëntorit

Mungesa e argumentimit të vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri vonoi edhe depozitimin e kërkesës së palës shqiptare për rrëzimin e vendimit në Apel. Bëhet me dije se argumentimi i UEFA-s bëhet 10 ditë pas marrjes së vendimit, që do ti kishte takuar afërsisht me datë  nëntor, por që në fakt pritet që të jepet ditët në vazhdim, nga ku brenda pesë ditësh palët kanë të drejtën që të depozitojnë kërkesat e tyre për Apelin, ndërkohë që Apeli merr të gjithë kohën e nevojshme për të shqyrtuar edhe një herë kërkesat duke bërë që vendimi të shtyhet për në fundin e nëntorit, që edhe pse nuk ka një datë të saktë mendohet të jetë 25 nëntori.

Itali-Shqipëri, anulohen biletat falas

Miqësorja që Kombëtarja Shqiptare do të luajë ndaj asaj italiane me 18 nëntor, nuk do të ketë bileta që do të jepen falas edhe pse në fakt ishte pritur një gjë e tillë nga vetë deklaratat që kishte bërë Federata. Por siç dihet, kjo ndeshje do të luhet në Xhenova për shkak bamirësie, pasi ky qytet muajin e shkuar u përfshi nga përmbytjet dhe shkaktoi shumë dëme për të gjithë popullsinë. Nisur nga kjo Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që të gjitha biletat të jepen vetëm në këmbim të parave, duke bërë kështu që fitimi nga biletat të jetë më i madh. Përmbytjet që përfshinë këtë qytet muajin e kaluar, nxitën edhe Federatën që të marrë të paktën një veprim në ndihmesë të popullit vendas dhe duket se me një biletë të blerë jepet edhe një kontribut i vogël për të gjithë njerëzit në nevojë, por edhe një pjesë e të drejtave televizive do t’i shkojë bashkisë së qytetit duke rritur kështu edhe më të ardhurat për këtë nismë.