Leksion turk për Kukësin

534
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Kuksianët humbasin 2-0 me Trabzonsporin. Kualifikimi mbetet një ëndërr

Dy gola të realizuar nga Trabzonspori, i pari nga polaku Adrian Mierzejvski (me penallti në të 31’), dhe i dyti nga braziliani Paulo Henrike (68’), i shkaktuan humbjen 2-0 Kukësit në ndehsjen e parë të fazës “play-off” të Ligës së Europës në një “Qemal Stafa” të mbushur si në ndeshjet e Kombëtares (rreth 400 turq të pranishëm). Kjo ishte humbja e parë në shtëpi e nënkampionëve të Shqipërisë dhe e dyta në shtatë ndeshje, përfshirë edhe atë 1-0 me ukrainasit e Metalurg Donteskut. Me këtë rezultat negativ, ëndrra e skuadrës shqiptare më të mirë në Europë, për të kaluar edhe turit e katërt mori një goditje të fortë. Gjithsesi, përballë Trabzonsporit, një prej katër skuadrave më të mëdha të Turqisë dhe me një buxhet disafish më të madh se modestët nga verilindja, Kukësi bëri një paraqitje për t’u përgëzuar. “Mallkimi” me skuadrat turke vazhdon, duke regjistruar humbjen e 11-të në po aq ndeshje, teksa vetë Trabzosnpori i ka fituat të tre takimet me skuadrat shqiptare, përshirë dhe ato me Vllaniznë (6-0, 4-0) në Kupën Intertoto (2007). Skuadra turke ka shënuar 12 gola pa pësuar asnjë. Ndeshja ka nisur e vrullshme për nënkampionët tanë, që kanë tentuar t’i rrëmbejnë iniciativën kundërshtarit, por vetëm grinta dhe dëshira nuk mjafton përballë kualitetit të spikatur të kanë turqit. Trabzonsporit studioi mënyrën e funksionimit të Kukësit dhe më pas angazhua në aksione të njëpasnjëshme në të majtë të sulmit të tyre. Trajneri i Trabzonsporit, Mustafa Reshit Akçaj, pikasi pikën më të dobët në të djathtë të mbrojtjes kuksiane, ku luan Peqini, ndaj i udhëzon të tijtë të ngulmojnë pikërisht në atë krah. Numri 7-të i miqve, Volkan Shen  bën çfarë të dojë me Peqinin, e driblon dhe e ridriblon atë, duke paralajmëruar golin së andejmi. Kështu ndodh në minutën e 31-të, kur Peqini gabon në të djathtë të prapavijës sonë dhe topi pasohet tokas në zonën e Halilit. Aty shtrihet Brahja, që e spastron zonën, por duke prekur topin me dorë. Nuk heziton kryesori bullgar, që akordon penallti, e kthyer në gol nga polaku i Trabzonsporit, Mierzejevski. Këtu merr goditje psikologjike skuadra verilindore e Cungut, që ndryshe nga ndeshjet e kaluara të Ligës së Europës, nuk arrijnë të rikuperojnë vetveten në këtë aspekt deri në fund. Paqartësia dhe mungesa e kreativitetit në mesfushë, e diktuar kjo edhe nga presingu në çdo centimetër të fushës nga turqit, bën që Kukësi të “kapitullojë” në njëfarë mënyre në skemën e vet. Lojtarët angazhohen më së shumti në veprime individuale, ndërkohë që miqtë vijojnë me qetësi të administrojnë gjithçka. E mbyllin pjesën e parë me fitoren 1-0, ndërkohë që në të dytën kanë mundësi t’i imponohen formacionit të Cungut, sidomos në planin taktik. Lojtarët e Trabzonsporit merren vesh symbyllurazi me njëri-tjetrin, dalin rrjedhshëm nga krahët dhe dyfishojnë shifrat në minutën e 68-të me Paulo Henrikue.. Mbyllet me fitoren 2-0 të turqve kjo ndeshje, duke ia lënë vendin sfidës së kthimit në Trabzon pas një jave, ku kualifikimi për ta duket se do të jetë thjesht një formalitet. Pavarësisht kësaj, Kukësi do të mbahet mend si skuadra surprizë e futbollit shqiptar, që i ka thyer të gjitha parashikimet, duke kaluar radhazi tri ture të Ligës së Europës, duke mposhtur kundërshtarë si Flora Tallin (Estoni), Sarajevo (Bosnjë) dhe Metalurg Donetsk (Ukrainë). Takimi i kthimit do të luhet, më 29 gusht në Trabzon, por tashmë fati duket i paravendosur.

  Pakënaqësi për premiot

 Shpërndarja e premiove para ndeshjes me Trabzonsporin, për kualifikimin e arritur në turin e tretë kundër Metalurg Donteskut, pavarësisht se ishte e ndarë në zarfa të veçantë, ka krijuar disa pakënaqësi për shkak të çmimit të diferencuar që ishte aplikuar për një pjesë titullarësh.

Tifozët, shishe në fushë

 Stadiumi “Qemal Stafa” pati dy pamje ndeshjen e djeshme. Një festë e vërtetë në fillim të saj, por dhe protestën e tifozëve.

Pasi kanë eliminuar tri skuadra më të mëdha se vetja dhe mbasi u paraqitën thuajse të barabartë me Trabzonsporin (pavarësisht humbjes), tifozët tanë hodhën shishe dhe celularë në fushë.

ECURIA E KUKËSIT NË EUROPË

LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Kualifikohet Kukësi falë golit në fushë kundërshtare

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      0-0

Kualifikohet Kukësi me rezultatin e përgjithshëm 3-2

Turi i tretë

1 gusht 2013

Kukësi-Metalurg D.   2-0

8 gusht 2013

Metalurg D.-Kukësi   1-0

Kualifikohet Kukësi me rezultatin e përgjithshëm 2-1

Faza “play-off”

22 gusht 2013

Kukësi-Trabzonspor   0-2

29 gusht 2013

Trabzonspor-Kukësi   19:30

 Trajneri i kuqezinjve vlonjatë: “Me këtë grup synojmë të jemi në elitën e futbollit shqiptar”

 Gjoka: “Tre lojtarët që i duhen Flamurtarit”

  Kur ka mbetur edhe tetë ditë nga fillimi i sezonit të ri të Kategorisë Superiore, Flamurtari është në garë me kohën për t’u paraqitur sa më denjësisht në Kampionatin e 75-të Kombëtar. Vlonjatët do të paraqiten me një ekip thuajse vendas, ndërkohë që trajneri i mirënjohur Ernest Gjoka po vijon përgatitjet për tu paraqitur sa më dinjitoz në startin e kampionatit. “Ne gradualisht po bëhemi gati për sezonin e ri. Vërtet pretendimet nuk janë më ato që kishim në fillim, po do të mundohemi profesionalisht që me këtë grup që kemi Flamurtari të jetë në elitën e futbollit shqiptar”, tha për mediat sportive Gjoka. Stafi teknik është shfaqur tepër i angazhuar për t’i karikuar futbollistët, por edhe për tu gjetur një pjese prej tyre një rol të ri në fushën e lojës, si dhe për të tentuar ndonjë blerje të fundit në pjesën e mbetur të merkatos. “Normalisht që skuadra ka nevojë për përforcime. Dhjetë lojtarët që do jenë në fushë kanë shumë diferenca me lojtarët e stolit dhe kjo i prish ekuilibrat, pasi kampionati ynë kërkon stabilitet, eksperiencë, është i ashpër dhe nuk mund të përballohet kollaj. Megjithatë ne shpresojmë të afrojmë të paktën një mbrojtës krahu, një mesfushor dhe një sulmues. Nëse nuk do të arrijmë të marrim asnjë lojtar, do të bëjmë të pamundurën me këtë organikë që kemi të përballojmë kampionatin”, shtoi Gjoka. Përsa i takon futbollistëve që po stërviten aktualisht me Flamurtarin, pavarësisht se kontratat e reja nuk janë firmosur, trajneri Gjoka garanton se ata do të luajnë me bluzën kuqezi në sezonin e ri. “Besoj se të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion, edhe ata që kanë ardhur, do të luajnë për Flamurtarin. Vërtet nuk janë elitarë për sa i përket pagesave, por do të jenë elitarë nga ana profesionale, pasi do të luajnë për Flamurtarin dhe unë kam besim se do t’ia dalim mbanë të gjithë së bashku”, përfundoi trajneri i kuqezinjve, Ernest Gjoka. Për testimin e përgatitjeve të bëra skuadra ka zhvilluar disa ndeshje miqësore. E fundit ishte ajo e fituar me Tiranën 1-0. Në program është një tjetër test me Besën në fundjavë, për t’i lënë më pas vend përgatitjeve finale për ndeshjen debutuese në kampionat kundër Vllaznisë në “Loro Boriçi”.

 Llullaku pranë kalimit tek Levski Sofia

 Azdren Llullaku duket pranë kalimit nga kampionati rumun drejt atij bullgari. Futbollisti nga Istogu që vetëm para pak muajsh u bë pjesë e kombëtares kuqezi mund të largohet nga Gaz Metan, skuadër ku Llullaku shkëlqeu pas eksperiencave në kampionatet inferiore të Italisë. Llullaku ka nisur bisedimet me Levskin e Sofies, madje e pëlqen idenë e kalimit në Bullgari. Tashmë pritet edhe një takim final mes drejtuesve të Levskit dhe Llullakut dhe më pas sigurisht edhe konfirmimi i Gaz Metan për ta parë në vazhdim të sezonit Llullakun të veshur me fanellën e bluve të Sofies. Interesant është fakti se nëse shkon në Bullgari, Llullaku do të gjej aty si kundërshtarë dyshen e Liteks Loveçit, Armando Vajushi-Jurgen Gjasula.