Leksion i hidhur kazak, “ujqërit” e Korçës shndërrohen në “lepuj”

426
Sigal

Liga e Kampioneve, Shahkter Karaganda-Skënderbeun 3-0. Shuhen shpresat për kualifikimin historik

Shahkter Karagandy triumfoi 3-0 ndaj Skënderbeut në “Astana Arena”, me kazakastanasit që i dhanë një leksion të hidhur kampionëve të Shqipërisë në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Golat e Shahkterit mbajnë firmat e boshnjakut Aldin Xhixhiç (8’) në pjesën e parë, dhe të dy kazakistanezëve: Roman Murtazajev (79’) dhe Sergei Hizhniçenko (90’). Me këtë humbje të thellë, kualifikimi i formacionit të Mirel Josës për në fazën “play-off” të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube ka nevojë për një mrekulli në “Qemal Stafa”. Trajneri Mirel Josa i besoi të njëjtës skemë, që funksionoi edhe në Baku, kundër Neftçit, ajo 4-1- 4-1, me një mesfushë tepër kompakte dhe me kroatin Pero Pejic të vetëm në sulm (u zëvendësua nga Nimaga me fillimin e pjesës së dytë). Kështu, nga Shehi në portë dhe para tij katërshja e mbrojtjes e përbërë nga Ademir, Radas dhe Gvozdenoviç në qendër dhe Vrapi në të majtë, i cili zëvendësoi Arapin, që ka rezultuar i pezulluar për këtë ndeshje për shkak kartonësh dhe nuk figuronte as në stolin e rezervave. Në mesin e fushës luante si regjisor kapiteni Shkëmbi, me Orelesin dhe Lilajn që ishin dy krahët e tij, për t’ia lehtësuar punën numrit 10 të Skënderbeut, duke i krijuar sa më shumë hapësirë në qendër të mesfushës. Ishte pikërisht ai, lojtari që “ndërtoi” çdo aksion të skuadrës. Në krahun e djathtë aktivizohej Tomiç, që mbushi “gropën” e lënë bosh nga Gilman Lika, i larguar para dy ditësh drejt Arabisë.  Në të majtë pozicionohej i rikuperuari Jetmir Sefa, por me Abazin gati për t’u futur nga stoli. Të dy këta futbollistë kishin disi detyra më mbrojtëse se në ndeshjen e Korçës kundër Neftçit dhe, ishte sërish Tomiç, ai që pati detyrën të ndihmojë më shumë sulmuesin e vetëm. Një ballafaqim me dy tablo, ku në pjesën e parë kanë dominuar totalisht vendësit. Ndeshja nis në sulm për kazakistanasit, që tregojnë qartë ambicien për t’i zhbllokuar shifrat sa më shpejt. Ngulmojnë në gjysmëfushën korcare vendësit, përmes pasimesh vertikale dhe daljesh në krahë, derisa vjen minuta e 8-të, kur Xhixhiç shënon në portën e Shehit, pas një asisti që ka marrë nga Simçeviç. Edhe në minutën e 11-të, Shakhter ka mundësi shënimi, por kësaj radhe durrsaku i portës së Skënderbeut grushton dhe eviton dyfishimin e rezultatit. Vuan presingun asfiksues të kazakëve skuadra e Josës, që e ka tepër të vështirë të organizohet dhe ta kalojë mesin e fushës. Shkëmbi mundohet të qetësojë disi situatën përmes mbajtjes së topit dhe qarkullimit të tij, por vendësit janë tepër të vendosur për topin e parë dhe nuk lejojnë aspak hapësirë manovrimi për juglindorët.

Zenkoviç për Shakhter shënon golin e dytë me kokë, pas goditjes së këndit në minutën e 36-të, por është kapur më herët në pozicion jashtë loje. Kësisoji, mbetet në fuqi rezultati 1-0 për kazakët, që vijojnë të thellojnë epërsinë e sulmeve dhe kontrollit të lojës. Ka një gol tjetër të anuluar për Shakhter në minutën e 42-të. Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim në sulm për Skënderbeun. Nimaga në vend të Pejicit, teksa trajneri Josa kërkon të shfrytëzojë më shumë zhdërvjelltësinë e të sapo futurit. Kroati vijoi të zhgënjejë si  ndeshjen e kthimit me Neftci. Rast i dyshimtë në minutën e 48-të, kur Lilaj pengohet në mënyrë të parregullt në zonën vendëse, por kryesori rus bën me shenjë që loja të vazhdojë. Kontestojnë korcarët, por më kot. Minuta e 64-t është më e mira për Skënderbeun. Shkëmbi fut një top pas krahëve të mbrojtjes kazake, së cilës i vidhet me shpejtësi Nimaga, që del i vetëm me portierin vendës, por godet jo saktë. Topi kalon tej shtyllës pingule. Ka sjellë më tepër kreativitet e rrezikshmëri në sulm aktivizimi i Nimagës, ndërkohë që dy krahët janë më aktivë në detyrat ofensive. Josa bën ndërrimin e dytë në minutën e 72-të, duke hedhur në lojë kosovarin Abazi dhe nxjerrë kroatin Tomiç. Ky i fundit nuk pati performancën e pak ditëve më parë, kur shkëlqeu ndaj Neftcit dhe ishte një nga hartuesit e golit të Orelesit. Sidoqoftë, nuk i rezulton për mirë kjo lëvizje, sepse nga ky krah do të vinte në minutën e 79-të edhe aksioni i golit të dytë të kazakëve. Kësaj radhe është Murtazayev, ai që e ndëshkon për herë të dytë portierin Shehi. Rezultati do të vuloset në minutën e fundit të kohës së rregullt kur një gabim i Dimos i hedhur në vend të Gvozdenovic, sjell golin e Khizhniçenko. 3-0 për Shakhter Karagandy dhe tashmë në “Qemal Stafa” një javë më vonë duhet një skenar i ideuar më së miri të serialit të radhës së filmit “Mision i pamundur”, për të çuar Skënderbeun në play-of të Champions League, teksa pritet ta vazhdojnë aventurën në Ligën e Europës.

LIGA E KAMPIONËVE

SHAKHTER KARANGADY-SKENDERBEU   3-0

Shënues: Xhixhiç 8’, Murtazayev 79’, Khizhnichenko 90’

Turi i tretë eliminator

“Astana Arena”, e martë 30 korri 2013

SHAKHTER: Mokin, Vasiljeviç, Poryvaev, Xhixhiç, Simçeviç, Viçius, Ghazaryan, Canjas (Bayzhanov 90+1′), Finonchenko (Darabayev 86′), Zenkovich (Murtazayev 73′), Khizhnichenk. Trajner: Viktor Kumykov

SKENDERBEU: Shehi, Radas, Gvozdenoviç (Dimo 90+1’), Vrapi, Ademir, Shkembi, Orelesi, Sefa, S.Lilaj, Tomic (Abazi 72′), Pejic (Nimaga 46′). Trajner: Mirel Josa

Gjyqtarë: A.Nikolaev, T.Kalugin, V.Drozdov (Rusi)

Kartonë të verdhë: Finonchenko 23′

LIGA E KAMPIONEVE

Turi i dytë eliminator

17 korrik 2013

Neftçi-Skënderbeu    0-0

23 korrik 2012

Skënderbeu-Neftçi    1-0

Turi i tretë eliminator

30 korrik 2013

Shahkter-Skënderbeu 3-0

 

6 gusht 2013

Skënderbeu- Shahkter 19:00

Pero Pejiç, më i dobëti

 Sulmuesi kroat Pero Pejiç ishte më i dobëti, ashtu sikundër edhe në në dy kualifikueset e kaluara ndaj Neftcit, te kampionët e Shqipërisë ra në sy vuajtja në finalizimin e aksioneve. Pejic pak bëri në pjesën e parë, aq sa luajti, sepse mbeti i vetëm dhe i izoluar në “darën” e tre mbrojtësve vendës, ndërsa në të dytën në vend të tij u aktivizua Nimaga, që shfaqi më tepër rrezikshmëri.

  Surprizat e Ligës së Kampioneve

 Të dyja skuadrat, Shakhter Karagandy dhe Skënderbeu, mund të konsiderohen si surprizat e turit të dytë të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Kazakët dhe korçarët kishin përballë skuadra shumë herë më të forta dhe me buxhete që shkojnë deri në 14 milionë euro. Shakhter bëri surprizën duke eliminuar kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisov. Kazakët i fituan të dyja ndeshjet nga 1-0, duke surprizuar me kualifikimin e tyre. Nga ana tjetër, Skënderbeu barazoi 0-0 në ndeshjen e parë ndaj Neftçit në Baku dhe më pas fitoi 1-0 në Korçë. Eliminimi i azerëve krijoi një “furtunë” në ekip duke detyruar edhe trajnerin që të dorëhiqet.

  Zenkoviç: “Skënderbeu ishte i lodhur nga rruga”

 Sulmuesi i Shahkter Karaganda, bjellorusi Igor Zenkoviç, të cilit iu anulua një gol në pozicion jashtë loje, ishte i kënaqur me fitoren me Skënderbeun, por ai beson se ekipi i tij ka mund të fitojë edhe ndeshje më të mëdha. “Nuk mendoj se isha në pozicion jashtë loje, por atë e di më mirë gjyqtari. 3-0 është një rezultat shumë i  mirë. Ne do të përpiqemi të mos humbasim as në ndeshjen e kthimit”, – tha ai faqen Vesti.kz. Gjithsesi, Zhenkoviç vazhdon të ketë respekt për Skënderbeun. “E kemi parë në video dhe është një ekip i mirë. Ndoshta ishte dhe i lodhur nga rruga e gjatë. Nuk kanë pasur mundësi të pushojnë dhe për të luajtur ndeshje të tilla duhet të përgatitesh seriozisht”. Në fakt, Skënderbeu ka luajtur tri ndeshje brenda 15 ditësh, përfshirë dhe dy udhëtime e gjatë në Azerbajxhan (kundër Neftçit) dhe Kazakistan (kundër Shahkterit).

  Kryeministri Ahmetov ndjek Skënderbeun

 Ndeshjen Shahkter-Skënderbeu e ndoqi dhe një tifoz “VIP”: Kryeministri i Kazakistanit, Serik Ahmetov. Në vitet 2009-2012, Ahmetov ka qenë kryebashkiaku i qytetit të Karagandës, dhe gjatë postit të tij ka bërë shumë për Shahkterin. Pikërisht, atëherë Shahkteri fitoi edhe titullin e parë kampion të Kazakistanit.

 Nishani sfidon Ukrainës, u jep pasaportë kosovarëve të Kukësit

  Kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Europës e përball skuadrën shqiptare të Kukësit me skuadrën Metalurg Donjetsk, të Ukrainës. Por duke qenë se ky shtet nuk e njeh Kosovën, është dashur që presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani të japë nënshtetësinë shqiptare për dy futbollistë kosovarë që luajnë me skuadrën e Kukësit. Mësohet se Presidenti i Shqipërisë ka firmosur një nënshtetësi me procedura të përshpejtuara, pikërisht për ndeshjen në fjalë. Futbollistët që kanë marrë nënshtetësinë janë Yll Hoxha e Besar Musolli. Kukësi do të luajë me Metalurg Donjetsk më 1 gusht në Tiranë, ku shpresojnë për fitoren, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Ukrainë më 8 gusht.

 Mazrekaj: “Dua të luaj për Partizanin”

 Ditëve të fundit po flitet shumë për sulmuesin e Prishtinës, Mentor Mazrekajn, dhe mundësinë e kalimit të tij në radhët e partizanit të Tiranës. Mirëpo, për vetë futbollistin çdo gjë është ende e paqartë, se më shumë ka fjalë, ndërkohë që realiteti është më ndryshe. “Nuk e di se çfarë është duke ndodhur. Unë kam kontratë me Prishtinën edhe për një vit dhe e respektoj këtë. Ofertat nuk kanë munguar, por në skuadrat kosovare nuk shkoj, kurse nga jashtë është e vërtetë se kam ofertë nga Partizani, por unë nuk vendosi se a mund të shkoj apo jo”, thotë Mazrekaj, sipas të cilit, nga bisedat që i zhvillojnë drejtuesit e Prishtinës me ata të Partizanit varet se pjesë e kujt do të jetë Mazrekaj në edicionin e ri. Ai e pranon se ka dëshirë të luajë për Partizanin, dhe se ende nuk është vonë të bëhet pjesë e kësaj skuadre, por edhe nëse nuk e arrin këtë nuk do të dëshpërohet, por do ta japë maksimumin në fanellën e Prishtinës.