Nga Anglia në Shqipëri, talenti Roy Syla “play maker” sot në Lushnje

747
Nga Agron KAJA
PROFIL/ Ja si vjen karriera e bukur e një mesfushori të ri në futbollin tonë, aktualisht grumbulluar në Kombëtaren U-19 të Shqipërisë
Teksa “lundrojmë” në listën e futbollistëve të Kombëtares U-19 vjeç, të cilën trajneri Erion Bogdani e ka përgatitur në grumbullimin për dy ndeshjet miqësore me Kazakistanin, natyrisht që kureshtja mbetet në emra, të cilët vijnë nga Akademi futbolli të njohura në Evropë. Në këtë listë janë 25 futbollistë, të gjithë të datëlindjes 2000, pra ende pa i mbushur 19 vjeç, sikundër është edhe niveli i moshës për këtë kategori përfaqësuese kombëtare. Prej tyre, vetëm dhjetë futbollistë aktivizohen në futbollin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e kontingjentit të kësaj përfaqësuese vijnë nga liga dhe kampionate të tjerë në Evropë. Por, jo më kot i nisëm këto radhë nga lista, sepse nëpërmjet saj arrin të dallosh se, sa kanë ecur të rinjtë shqiptarë, kryesisht ata që jetojnë jashtë vendit, dhe jo vetëm. Aty në Resortin “Tropikal” ku zhvillon përgatitjet Kombëtarja U-19 vjeç, në numrin 15 të kësaj liste është edhe Roy Syla, futbollist mesfushor që vjen nga Anglia, nga vendi ku për herë të parë në Botë, nisi të rrotullohet topi i futbollit. Për të është grumbullimi i dytë me këtë moshë, ndërkohë që ka qenë pjesë e grumbullimeve dhe e ndeshjeve në U-17 të Shqipërisë, ku edhe e nisi përvojën e parë si futbollist kuqezi. “Unë ndjehem i lumtur që më grumbullojnë në ekipet Kombëtare të moshës, dhe këtë e mendoj si një vlerësim për vlerat e mia. Kam qenë edhe në grumbullime të tjera dhe kjo te U-19 më duket si një rrugë e hapur për një vazhdimësi të mirë në ekipet Kombëtare të Shqipërisë”, kështu theksoi dje Roy Syla në deklarimin e tij për gazetën “Telegraf”, duke u treguar më pas më shumë sportiv në këtë bashkëbisedim. Aktualisht, Kombëtarja U-19 e drejtuar nga trajneri Erjon Bogdani, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Kazakistanit. Ndeshjet do të zhvillohen në qytetin e Lushnjes, e para sot në datën 24 mars ora 12:00, dhe ndeshja e dytë po në Lushnje, por në datën 27 mars 2018. Nëse do të aktivizohet në këto dy ndeshje, Roy i referohet trajnerit Bogdani, i cili bën zgjedhjet e formacionit. “Unë besoj se do të kem minuta në këto dy sfida. Ndjehem shumë mirë fizikisht, dhe në këto ditë që po përgatitemi kam qenë pjesë e stërvitjes së grupit kryesor. Rëndësi ka që, të gjithë të zbatojmë detyrat e trajnerit në fushën e lojës, dhe prej saj të dalë rezultati në favorin tonë”, theksoi më pas mesfushori i Kombëtares sonë U-19 vjeç, Roy Syla, në prag të ndeshjes së sotme miqësore me Kazakistanin.
Unë ndjehem i lumtur që më grumbullojnë në ekipet Kombëtare të moshës, dhe këtë e mendoj si një vlerësim për vlerat e mia. Kam qenë edhe në grumbullime të tjera dhe kjo te U-19 më duket si një rrugë e hapur për një vazhdimësi të mirë në ekipet Kombëtare të Shqipërisë 
Roy Syla me futbollin, karrierë e shkëlqyer
Talenti 18 vjeçar Roy Syla ka lindur në Londër, më 20 qershor 2000. Prindërit e tij kanë emigruar nga Shqipëria në ishull, shumë vite më parë. Që në moshën 13 vjeçare, ata e regjistruan Royn në Barnet Footbal Akademy, ku edhe spikati si mesfushor, me prioritet qendrën (organizator). Në moshën 15 vjeçare, duke parë aftësitë e tij në fushë, kjo akademi i afroi .dy vjet scholarship. Pas një pune intensive, Roy aty u formua si kapiten e lider i skuadrës së Barnet U-18 vjeç, madje duke luajtur edhe për skuadrën U-21 vjeç. Në muajin janar të këtij viti, 2018, klubi i ofroi Roy Sylës një kontratë profesioniste 4-vjeçare me ekipin e parë, pra ende pa i mbushur 18 vitet. Ndërkohë, në muajin shkurt 2018, Roy u shpall fitues në formacionin më të mirë në Angli për këtë moshë, si futbollist dhe si student i shkëlqyer në shkollë. Roy është një lojtar me vizion dhe teknikë të lartë, një lojtar energjik dhe organizator shumë i mirë.


Sigal