Gogu: Pas 10 vjetësh reformë, arkitektura e drejtësisë duhet të bëhet kulturë institucionale

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së vitit akademik 2026–2027 në Shkollën e Magjistraturës, ku iu drejtua kandidatëve të rinj për gjyqtarë, prokurorë dhe profesione të tjera ligjore. “Dhjetë vjet më parë, sfida ishte të ndërtonim arkitekturën e një drejtësie të re. Sot, sfida është që ajo arkitekturë të bëhet kulturë institucionale . Qytetari nuk e lexon kulturën institucionale në raporte. E ndien kur vendimi vjen në kohë. E kupton kur i shpjegohet qartë pse fitoi, ose pse humbi”.

Ministri theksoi se shteti i së drejtës nuk kërkon institucione që bien gjithmonë dakord, por institucione që dinë si të mos bien dakord. “Me argument. Në forumin e duhur. Pa sulme personale. Sa më shumë pushtet ushtrojmë, aq më shumë vetëpërmbajtje duhet t’i kërkojmë vetes. Pavarësia nuk mbrohet vetëm me dispozita kushtetuese. Ajo kërkon siguri në sallën e gjyqit, numrin e nevojshëm të magjistratëve, administratë që funksionon, teknologji dhe infrastrukturë dinjitoze. Duke iu drejtuar kandidatëve, Gogu nënvizoi se drejtësia duhet të jetë e kuptueshme për qytetarin dhe se standardet e reformës duhet të bëhen pjesë e kulturës së zakonshme të punës. “Për ju, mund të jetë një çështje mes shumë të tjerash. Për të, mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij”.

Sigal