Dorëzohet Mirel Josa: “Tani mendoj për Ligën e Europës”

474
Sigal

Trajneri i Skënderbeut: “Shahkteri e meritoi fitoren. Ishim më mirë vetëm në kontrollin e topit.”

Një Mirel Josë tërësisht i dorëzuar pas humbjes 3-0 me Shahkterin në “Astana Arena”. Trajneri i Skënderbeut pohoi për mediat kazakistaneze se, tashmë ai mendon jo për ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve, por për raundin “play-off” të Ligës së Europës. Atje ku kampionët e Shqipërisë do të vazhdojnë aventurën europiane. “Shahktari fitoi 3-0 dhe në fakt, ndeshja e kthimit mund të jetë si një shëtitje për të. Ne e kontrolluam topin më shumë, por nuk arritëm ta menaxhonim këtë avantazh. Unë dëshiroj ta harroj sa më shpejt këtë ndeshje. Ne e humbëm duelin e sotëm me Karagandën. Tani unë jam duke menduar më shumë për Ligën e Europës”, – citohet Josa nga portali sportiv kazakistanez, Viesti.kz. Sipas trajnerit të Skënderbeut, disa nga arsyet e humbjes kishin të bënin edhe me mungesën e lojtarëve kyç: mbrojtësi ynë i majtë u dëmtua në stërvitje (Ditmar Bici), ndërkohë që mesfushori (Gilman Lika) firmosi një kontratë të re në Arabinë Saudite. Nuk do t’i kemi këta dhe në ndeshjen e kthimit”, – shtoi Josa. Duke analizuar lojën, Josa tha: “Lojtarët e mi ishin shumë statikë, lëvizin shumë pak. Shahkteri e shfrytëzoi jashtëzakonisht këtë. Ne fituam vetëm në zotërimin e topit. Gjatë 75 minutave të mbetur ne bëjmë një lojë të pëlqyeshme, por futbolli është një lojë që matet me rezultatin. Gjithsesi, unë nuk kam asnjë pakënaqësi ndaj lojtarëve të mi. Ata bënë më të mirën e mundshme të tyre”. I pyetur, për të bërë një krahasim midis dy kundërshtarëve të korçarëve në Ligën e Kampioneve, Neftçit dhe Shahkterit, Josa tha: “Neftçi ishte një ekip që mbështetej tek individët, ndërsa Shahkteri është një skuadër reale. Ekipi juaj është më i mirë në mbrojtje, nuk është aq agresiv në sulm, por i shfrytëzon rastet e rralla që i krijohen. Në Tiranë do të jetë e vështirë dhe është thuajse e pamundur që ta përmbysësh një rezultat 0-3”, – përfundoi trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Shahkter Karagandy triumfoi 3-0 ndaj Skënderbeut në “Astana Arena”, me kazakastinasit që i dhanë një leksion të hidhur kampionëve të Shqipërisë në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Golat e Shahkterit mbajnë firmat e boshnjakut Aldin Xhixhiç (8’) në pjesën e parë, dhe të dy kazakistanezëve: Roman Murtazajev (78) dhe Sergei Khizhniçenko (90’).

 Trajneri Kumikov: Ja pse humbi Skënderbeu

 Trajneri i Shahkterit, Viktor Kumkikov, konsideroi si një nga arsyet në fitoren komode të ekipit të tij kundër Skënderbeut, mungesën e dy lojtarëve lider të skuadrës shqiptare. “Në fushë nuk ishin dy nga futbollistët kyç: dy lojtarë të ekipit Kombëtar. Ndoshta ata do të jenë në ndeshjen e Shqipërisë. Nuk ishin shumë agresivë, sidomos në krahun e majtë”, – tha ai për mediat kazake. “Ishte një ndeshje e vështirë, sidomos pas pushimit. Mund të kishim shënuar, por dhe pësuar dy gola. Nuk patëm dhe aq shumë besim në lojën tonë, gjithsesi ne arritëm t’i çanim ata. Gjithsesi, rivalët e zotëruan më shumë topin. Ndonjëherë ishin ata të lodhur, ndonjëherë ishim ne me fat. Tani neve na duhet të mbrohemi fort në Shqipëri. Ne do të luajmë për të mbrojtur rezultatin”. Sipas Kumikovës, në përgjithësi lojtarët e tij ishin më inferiorë se kundërshtarët, por ndeshja përfundoi 3-0 për ata.

 Dyshimet e specialistëve kazakë: “Skënderbeu bëri gabime amatore”

 Dy nga specialistët e njohur të futbollit të Kazakisanit, Juri Knkov dhe Dmitri Ogaj, analizuan fitoren 3-0 të Shahkterit. “Ishte një fitore e merituar, pasi kundërshtari ishte i paorganizuar. Luajti shumë keq në mbrojtje, sidomos në zonën e rreptësisë. Nuk ishte në gjendje të sulmonte fort. Kjo çoi edhe në shënimin e golave. Në disa momente, portieri i miqve (Shehi) i shpëtoi nga pësimi i golave që tjerë. Shkurt, (Skënderbeu) ishte një kundërshtar i dobët. Përfundimi i ndeshjes tregoi se, Shahkter Karanganda ishte ekipi më mirë, teksa në dy golat e fundit fajtor ishin vetë shqiptarët. Ata kishin vetëm një shans për gol. BATE — skuadra që Shahkteri eliminoi në turin e parë – ishte me e fortë. Besoj se lojtarët tanë nuk do të kenë probleme ndeshjen e kthimit”, – tha Juri Konkov për Vesti.kz, i cili ka qenë trajner i katër ekipeve në Kazakistan. Duke folur për ekipin vendas, Konkov tha se, Shahkteri ishte një ekip i ekuilibruar dhe luajti në stilin e tij të zakonshëm: mbrojtje e ngjeshur, sulm i shpejtë. Specialisti tjetër, ish-trajneri i njohur, Dmitri Ogai tha: “Shahkteri luajti siç i ka hije një kampioni. Arriti një rezultat fantastik. Në pjesën e parë, Shahkteri mund të kishte shënuar më shumë. Ishte e vështirë për të gjykuar potencialin e kundërshtarit, pasi gabimet që bënë shqiptarët nuk janë të pranueshme për këtë nivel (të Ligës së Kampioneve). Ishte shumë e paqartë, se cilën strategji kishte zgedhur Skënderbeu. Nuk e lejuam kundërshtarin të organizohej. Vepruam të organizuar dhe të disiplinuar. Por, të jemi të qartë në një pikë se, Skënderbeu nuk është BATE”. Gjëja më e rëndësishme në futboll është rezultati”.

 Zyrtare, Berisha kalon te Kievo

 Portieri i Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha nga muaji janar i vitit 2014 pritet të vesh fanellën e skuadrës së Serisë A, Kievo.

Lajmin e ka dhënë uebfaqja zyrtare e klubit “verdhë e kaltër” e cila ka lajmëruar arritjen e akordin me portierin 24-vjeçar të Kalamarit. Aty thuhet se portieri shqiptar ka kontratë me Kalmarin deri në 31 dhjetor 2013 dhe më pas Kievo do ta transferoj me parametra zero. Berisha ka nënshkruar një kontratë trevjeçare dhe do të jetë zëvendësi i Puxhonit. Kosovari është në pritje të marrë pasaportën suedeze, pra të jetë komunitar, çka ia lejon shumë pozitën e tij në Itali.

   Adnan Januzaj, në qiellin e shtatë

 Goli i parë me Mançester Junaitid. Kampionen e Anglisë. Adnan Januzaj është i lumtur për golin e tij të parë me “Djajtë e kuq”.

Mesfushori kosovar me pasaportë belge tha për mediat angleze se, ai ndihet shumë e lumtur që gjeti rrjetën në fitoren 5-2 të formacionit të tij kundër Kitchee, të hënën. Januzaj, i cili ka bërë një përshtypje me kampionët e Premier Ligës angleze në turin e tyre parasezonal në Azi, shënoi golin e katërt të Junaitid në pjesën e dytë me një gjuajtje të fuqishme me kokë. “Ke një ndjenjë të fuqishme kur shënon gol. Ishte një kros i mirë nga Aleks Batneri dhe unë isha në vendin e duhur. Ne të gjithë dimë të luajmë topin mirë, ne shënuam shumë shpejt dhe kjo ishte diferenca (me kundërshtarin)”, – tha Januzaj për televizionin e klubit anglez, MUTV. Januzaj parashikohet të jetë në skuadrën e parë për sezonin e ri. “Unë kam bërë disa gjëra të mira (gjatë këtij turi) dhe shpresoj të ruaj vazhdimësinë. Kjo është ajo që unë dua të bëj. Jam duke punuar fort dhe të përpiqem të vazhdoj të bëj atë që po jam duke bërë aktualisht”, – shtoi shqiptari, i cili sezonin e kaluar u shpall si lojtari më i mirë i të rinjve të Junaitid.

Cana me dhimbje shpine, por asgjë serioze

 Mjeku i Lacios pohon se futbollisti shqiptar ka pësuar një lëndim të lehtë dhe për këtë ka munguar dje në stërvitje të ekipit.

Dr. Biankini specialisti i mjekësisë pranë skuadrës së Lacios së Romës ka folur dje për gjendjen shëndetësore të futbollistëve të kësaj skuadre. Ai ka folur veçanërisht për ata që kanë lëndime në fazën përgatitore që po kryen ekipi para stinorit të ri. Duke folur “Lacio Style Channel”, Dr. Biankini ka folur edhe për futbollistin shqiptar, Lorik Cana. “Ai nuk është paraqitur dje në stërvitjet e pasdites për shkak të dhimbjeve në shpinë. Nuk është asgjë serioze apo e rëndësishme, por në këtë kohë të përgatitjeve nuk ka nevojë me u ngarkuar me dhimbje. Ai ka bërë ushtrime fizioterapeutike dhe i mbetet trajnerit të vendos nëse do të luaj kundër Sienës”, tha Dr. Bianchini.