Kombëtarja Shqiptare “ngre kokën” me amatorët e Andorrës

507
Sigal

Kuqezinjtë mposhtën 3-0 rivalët modestë, duke marrë suksesin e parë në eliminatoret e Euro 2020

Kombëtarja shqiptare është rikthyer tek fitorja në ndeshjen e parë pas largimit të ish-trajnerit Kristian Panuçi, i cili u shkarkua disa ditë më parë, pas një ecurie thuajse katastrofike nën drejtimin e kuqezinjve. Ndeshja e djeshme, pavarësisht problemeve të shumta të skuadrës sonë, nuk pritej të shfaqte probleme, dhe kështu ndodhi, të paktën në aspektin e rezultatit. Përballë një kundërshtari “amator” si Andorra, lojtarët tanë shënuan 3 herë falë Sadikut, Balajt dhe Abrashit megjithatë ky është një rezultat gënjeshtër dhe nuk pasqyron atë që skuadra e drejtuar në këtë ndeshje nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema dha në fushë. Shqipëria ishte shumë larg nivelit të pritshëm ndaj një kundërshtari tepër modest dhe sfida mbeti e hapur në deri në fund. Gjithsesi kjo fitore do të shërbejë për moralin e skuadrës kuqezi në përballjet e ardhshme, teksa tekniku i ri që pritet të zyrtarizohet së shpejti, do të ketë shumë punë për të rikthyer harmoninë dhe për të nxjerrë në pah aftësitë teknike të këtij grupi futbollistësh.

Momentet e ndeshjes

Në ndeshjen e tij të parë si trajner i Shqipërisë, Ervin Bulku bëri 5 ndryshime krahasuar me formacionin që hodhi në fushë nga minuta e parë Kristian Panuçi në ndeshjen ndaj Turqisë, dhe zgjedhjet e tij u panë që në fillim të lojës ku skuadra jonë e nisi me vrull me Uzunin që për pak sa nuk shënoi që në sekondat e para, por goditja e tij pas asistit të Grezdës u ndal nga traversa. Në minutën e 2-të, arbitri i mohoi një penallti të pastër Grezdës, gjithsesi Shqipëria nuk u demoralizua dhe në minutën e 21-të, Sadiku përfitoi nga një gabim i portierit Gomes të Andorrës që nuk e largoi mirë topin, me bomberin elbasanas që i vodhi kohën kapitenit të Andorrës duke e dërguar topin me mjeshtëri në portën e boshatisur. Ky ishte goli i parë i Shqipërisë në një ndeshje zyrtare pas plot 4 takimesh pa gol dhe i 12-ti i Sadikut me fanellën e kombëtares me këtë të fundit që kaloi Hamdi Salihin në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave. Në pjesën e parë mundësinë ideale për të dyfishuar shifrat e kishte Taulant Xhaka që me portën e boshatisur bëri të pabesueshmen duke gabuar nga shumë pranë. Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra disi ndërsa Bulku bëri tre zëvendësime duke hedhur në fushë, Abrashin, Balajn dhe Memushajn. Pikërisht sulmuesi shkodran i rrëmbeu topin një mbrojtësi kundërshtar dhe i vetëm përballë portierit i ndihmuar edhe nga devijim i çoi shifrat në 0-2. Në sekondat e fundit të 5 minutave shtesë, pas një goditjeje standarde e ekzekutuar nga Ledian Memushaj që u ndal nga portieri kundërshtar dhe traversa, topi përfundoi në kokën e Amir Abrashit që shënoi golin e tij të parë me kombëtaren duke vulosur fitoren 0-3 të Shqipërisë dhe 3 pikët e para të kuqezinjëve në këto eliminatore.

Kuqezinjtë kanë bërë detyrën, duke marrë fitoren, por pa shkëlqyer në lojë. Skuadra nuk ka harmoni në veprimet e saj dhe rrjedhshmëri në lojë. Mungon bashkëpunimi mes reparteve dhe rastet që krijohen në sulm janë sporadike. Duhet një dorë e fortë për ta sjellë këtë skuadër në vete. Pas dy ndeshjeve të para në grup, kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë, me 3 pikë. Shanset për kualifikim janë në teori, por loja nuk premton asgjë.

Formacionet Andorrë – Shqipëri     0-3

Andorra: Gomes, Rubio, Lovera, Lima, San Nikolas, Rodrigez, Rebes, Vales, Klemente, Martinez, Vieira. Trajner: Koldo Alvarez.

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji, Xhaka, Kaçe, Basha, Uzuni, Grezda, Sadiku. Trajner: Ervin Bulku

UEFA Euro 2020

Renditja, Grupi H

Skuadra           Nd       P

1. Francë         2          6

2. Turqi            2          6

3. Shqipëri       2          3

4. Islandë        2          3

5. Andorrë       2          0

6. Moldavi       2          0

Ndeshjet, Grupi H

E Hënë, 25 Mars

Turqi – Moldavi           4-0

Andorrë – Shqipëri      0-3

Francë – Islandë          4-0