Bulku i kënaqur me 3 pikët: Rëndësi kishte vetëm fitorja, nuk hedh poshtë punën e Panuçit

362
Sigal

Ervin Bulku është shfaqur i lumtur për fitoren e Shqipërisë në ndeshjen e parë të tij në drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Bulku analizoi lojën e skuadrës së tij duke shpjeguar lëvizjet që bëri në krahasim me paraardhësin e tij. “Me zgjedhjet që bëra, duhej të fusnim lojtarë që luajnë mirë me topin, luajnë shpejt, sepse duhej ta ndërronim sa më shpejt krahun, të gjenim hapësirat. Duhet ta bënim më shpejt golin e dytë, jo të zgjaste aq shumë. Mundësitë i kishim. Çunat treguan vlerat me rezultatin 0-3. Çdo rezultat tjetër, do ishte jo i përshtatshëm. Dhanë maksimumin. Treguan kualitetet. Jemi të bashkuar.”, tha Bulku, i cili ka dalë dhe në mbrojtje të Panuçit. “Unë kam qenë njeriu më i afërt, nuk duhet t’i hedhim poshtë kaq shpejt. Kemi menduar më shumë për ndeshjen me Turqinë, por diskutuam pak për Andorrën. Edhe ai po të ishte në vendin tim, do bënte ndoshta këto zgjedhje. Ky rezultat na kënaq. Kjo fitore duhej marrë me çdo kusht, me çdo mënyrë. E thashë që rezultat i vetëm është fitorja. Pa diskutim, edhe pikët janë të rëndësishme, por edhe morali, sepse kishim bërë edhe ndeshje të mira, por pa rezultate.”